Fakte historike mbi serbizimin e popullatës shqiptare në Kosovë

Kultura

Fakte historike mbi serbizimin e popullatës shqiptare në Kosovë

Më: 25 shtator 2019 Në ora: 22:39
Kopertina e librit

Prishtinë, 23. 01. 2017: (Odiseja e Familjes Korça në Kosovë) - Në shekullin XVIII, disa familje korçare u vendosen në trevat shqiptare të veriut. Njëra ndër këto familje me trung familjar të përbashkët janë sot familjet shqiptare Korça nga fshati Gmicë në komunën e Dardanës që jetojnë sot në disa qytete të Kosovës, familjet serbe Korçiç nga fshati Zebincë komuna e Artanës, që sot jetojnë në Zebincë dhe shumë qytete në Serbi, si dhe familja Llapashtica që sot jetojnë në fshatin Marec, Hajvali dhe qytete të Kosovës. Lagjja Korça në fshatin Gmicë të Dardanës sot ka mbi njëzetë shtëpi myslimane shqiptare që e dëshmojnë prejardhjen e përbashkët të krishterë me familjet sot serbe në fshatin Zebincë. Fshati Zebincë në mesjetë është quajtur Arbanashi i Artanës. Këto familje janë trashëgimtarë të dy vëllezërve Ilit dhe Simonit. Duke e parë origjinën e përbashkët të këtyre familjeve akademiku serb i shtyrë nga politika pansllaviste pa të drejtë shkruan se korçajt e Gmicës janë serb që së pari u myslimanizuan dhe kinse më vonë u shqiptarizuan. Pas hulumtimit dhe studimit të kësaj çështje vërtetohet se pikërisht korçiçët e Zebincës u asimiluan dhe u bënë serb në fillim të shekullit XX. Këto dy familje gjatë gjithë shekullit XX kanë komunikuar mes veti dhe të gjithë të moshuarit e korçiçve të Zebincës e kanë folur gjuhën shqipe. Si dëshmi tjetër është edhe përkatësia e përbashkët fisnore e fisit Krasniqe. Ili pas myslimanizmit e ndërroi emrin në Ali, ndërsa Simoni mbeti i krishterë në fshatin Zebincë.

Për të marrë disa të dhëna rreth origjinës së këtyre familjeve unë së bashku me kolegun tim Behxhet Dibranin historian dhe vëllai im Përparimi përmes një shqiptari nga Artana e vizituam familjen e Srboljub Maksimovic nga lagjja e korçajve në fshatin Zebincë. Nga kjo vizitë kuptuam se kjo familje ka pasur origjinë shqiptare që kishin ardhur nga Korça e Shqipërisë në shekullin XVIII. Kjo e dhënë për ardhjen e tyre nga rrethina e Korçës në Kosovë përputhet edhe me ngjarjet kulturore dhe historike që u zhvilluan po këtë shekull në Voskopojë. Në shekullin e XVIII Voskopoja e kishte arritur një zhvillim të hovshëm kulturor. Në fillim të shekullit XVIII në Voskopojë u hap një kolegj në gjuhën greke, dhe u pajis me shtypshkronjë. Me 1744 në Voskopojë u themelua “Akademia e re e Voskopojës”, ku programi arsimor ishte i njëjtë me programet e shkollave të mesme të vendeve më të përparuara të Evropës. Në këtë periudhë kohore nga kjo shkollë dolën shumë dijetarë të edukuar në frymën e iluminizmit. Ngritja e Voskopojës vazhdoi deri më 1767 kur Patrikana e Stambollit e suprimoi Patrikanën e Ohrit, e cila në atë kohë i përkrahte kishat shqiptare dhe bullgare. Në luftën Ruso-turke të vitit 1769 Voskopojarët u treguan simpatizues të rusëve dhe i përkrahën himarjotët në kryengritje. Perandoria Osmane e shfrytëzoi këtë rast dhe e sulmoi Voskopojën. Pas këtij sulmi qyteti u shkretua, u dogjën shumë ndërtesa publike dhe me mija banorë migruan në vende tjera. Migrime të popullatës nga Voskopoja ndodhën edhe në vitin 1772 dhe 1789. Sipas të gjitha gjasave në këtë periudhë kohore nga viset e rrethinës së Korçës disa familje ortodokse shqiptare u vendosën në territorin e Kosovës së sotme.

Familja e ime thotë Serbolubi dhe disa familje tjera që tani janë serbizuar jemi të një vëllazërie me familjet shqiptare Korça që sot jetojnë në Gmicë, Tuxhec, Dardanë, Gjilan, Prishtinë dhe qytete tjera të Kosovës. Ai theksoi se nga origjina e kësaj familje është edhe familja e Llapashtica që jeton në fshatin Marec. Ai tregoi se këta pjesëtarë të familjes së tyre kur janë shpërngulur nga Korça janë vendosur në fshatin Llapashticë të komunës së Medvegjës. Pas shpërnguljes së shqiptarëve nga sanxhaku i Nishit kjo familje u vendos në fshatin Marec dhe mbajti mbiemrin e Llapashticës së Medvegjës. Serbolubi tregon se edhe në këtë kohë këto familje vizitohen mes veti. Ai tregon se të parët e tyre kishin qenë murator të mirë dhe pas ardhjes në Kosovë familjar të tyre kishin punuar muret e manastirit të Graçanicës dhe disa renovime tjera të bëra në shekullin XIX. Serbolubi tregon se të parët e tyre në Kosovë i kanë sjellë atë kohë bejlerët, ai i kishte edhe fletat poseduese të tokës që nga periudha osmane.

Babai i Serbolubit kishte pasur raporte të mira me shumë udhëheqës shqiptar gjatë kohës së Jugosllavisë së Titos. Ai rikujton se mysafir të shpeshtë të kësaj familje dikur ishin: Sinan Hasani, Halil Fejzullahu, Mustaf Hoxha etj. Ai tregon se i ati i tij kishte pasur raporte shumë të mira edhe me Fadil Hoxhen, Xhavit Nimanin, Mahmut Bakallin dhe shumë liderë tjerë shqiptar të asaj kohe. Serbolubi tregon se raporte të mira kishte pasur edhe me presidentin Ibrahim Rugova. Ai tregon kumbullat në oborrin e tij të cilat ja kishte sjellë Mustaf Hoxha para 30 viteve. Për Sinan Hasanin tregon se në odën e tij është marrë vendimi që të zgjidhet atë kohë kryetar i Jugosllavisë dhe se prej Zebince ka udhëtuar për në Beograd pas këtij vendimi.

Pasi e pyeta për origjinën e serbëve tjerë të rrethinës së Gjilanit dhe Komunës së Artanës, ai tregon se pjesa dërmuese e tyre këtu kanë ardhur kah fundi i shekullit XVIII prej rrethinës së Korçës në Shqipëri, prej Prilepit të Maqedonisë dhe vendeve tjera nga trevat jugore. Një themel shtëpie gërmadhë jo më larg se 5 m prapa shtëpisë së Serbolubit ishte shtëpia ku kishte lindur ministri serb i Qeverisë së Kosovës Goran Svilanoviqi. Serbolubi tregon se nëna e ministrit Svilanoviq është nga familja e korçiçve. Për kopilakët në komunën e Artanës Serbolubi thotë se më parë kishin qenë shqiptar katolik, të cilët më vonë u serbizuan dhe kaluan në fenë ortodokse. Ai thotë se kopilakët ishin shqiptar prej Mareci. Për kopilakët unë kam shkruar edhe më parë në shkrimin për Milush Kopilin se kishin origjinë shqiptare dhe se në mesjetë kishin jetuar në vendbanimin Quka e Kopilit në mes fshatit Marec dhe Mramuer. Edhe sot në fshatin Mramuer, lagjja e Nezirajve e cila shtrihet nën Quken e Kopilit, nga banorët e lagjeve tjera përreth quhen “Kopilakët”.

Quka e Kopilit në fshatin Mramuer, komuna e Prishtinës. Për disa familje tjera serbe në komunën e Artanës ai pohon se edhe sot i quajnë bullgar. Nga të dhënat e terrenit kam mësuar se popullata shqiptare e Malësisë së Gallabit disa familje serbe të fshatit Metergocë i kanë quajtur po ashtu bullgar e kjo tregon se përkatësia e tyre etnike është e dyshimtë. Serbolubi kishte pasur funksione të shumta gjatë ish pushtetit të Jugosllavisë dhe kishte qenë edhe kryetar i komunës së Artanës edhe pas luftës së fundit deri në vitin 2002. Ai pohoj se pas lufte disa nga familjet e korçiçve ishin shpërngulur në Serbi, 3 familje tha se jetojnë në Krushec, ai vet kishte blerë shtëpi në qendër të Leskocit dhe atje jetonte njëri nga djemtë e tij dhe shumë familjar tjerë. Ai vazhdon bisedën duke treguar kur kanë ardhur nga jugu në këto anë janë themeluar lagjet sipas origjinës së tyre. Ata nga Prilepi thotë ishin të Shën Petrit, familje tjera Shën Gjorgjës (Gjergjit), Shën Nikollës etj.

Si banor ma të vjetër ata kur kishin ardhur këtu i kishin gjetur banorët në fshatin Makresh, për të cilët thotë se kishin qenë rojtar të minierave. Serbolubi i ndikuar nga propaganda pan sllaviste ortodokse ai e shpreh mllefin e tij pse ne shqiptarët po e quajmë si katedrale kishën e Shën Nikollës në Artanë, ai thotë se nuk ishte Katedrale por Mitropoli. Katedrale thotë është kisha Saksone. Këtu vërehet ndikimi i politikës ditore serbe gjatë viteve nëntëdhjeta të shekullit XX kur atë kohë bisedohej shumë për restaurimin e katedrales dhe përvetësimin e këtij objekti monumental si Mitropoli ortodokse. Ai shtoi se shumë shqiptar dhe turq kanë jetuar edhe në livadhet e Artanës. Nga ndikimi i politikës ditore serbe ai pohon si zakonisht, Serbia është në krizë, se për 36.000 banorë Serbia zvogëlohet çdo vit. Se Serbia deri në fund të shekullit XXI do të zvogëlohet në 2-2,5 milion banorë etj. Ai pastaj tregon se si i kishte folur një i vjetër që e ka mullirin në fshatin Grace i cili e ka një vajzë në Shqipëri dhe se pas vizitës që i ka bërë ka krijuar përshtypjen se në Shqipëri tërë popullata po kalojnë në fenë katolike dhe për 50 vite të gjithë do të bëhen katolik shton Serbolubi.

Ai tregon për Prishtinën e vjetër për rrugët e vjetra lagjet kalldrëmet, hebrenjtë e shumë gjëra tjera që i kishte treguar gjyshi i tij që e merrte shpesh në qytet. Serbolubi disa herë e kishte vizituar edhe Kotorrin në Mal të Zi, ai pohoj se në kishën katolike Shën Marku të Kotorrit ka shumë dokumente për shqiptarët. Ai kishte dëgjuar prej nënës së tij se gjyshi i saj kishte ardhur prej Cetinjes së Malit të Zi dhe ishin vendosur atë kohë afër lagjes së çifutëve në Artanë. Gjatë gjithë kohës së bisedës na shërbyen gruaja e Serbolubit një arsimtare e lëndës së fizikës që tani është në pension dhe reja e Serbos e cila kujdesej për djalin e saj Aleksin 3 vjeçar. Serbolubi planifikonte që këtë vit në muajin Maj apo Qershor me dy shokë ta vizitoj qytetin e Korçës në Shqipëri.

Gruaja e Serbolub Maksimoviqit ishte me origjin nga një familje po ashtu Malazeze nga Medeci i komunës së Medvegjës. Të rikujtojmë se familjet malazeze që u vendosën në sanxhakun e Nishit pas shpërnguljes së shqiptarëve kishin origjinë shqiptare. Serbia shpërnguljen e shqiptarëve nga ato vise gjatë krizës lindore 1878 e realizoi kryesisht me familje shqiptare gjysmë të sllavizuara që me privilegje të mëdha u nxitën që të ushtrojnë dhunë mbi shqiptarët autokton. Me origjinë shqiptare dikur kishte qenë edhe familja e Koicës së Marocës i cili gjatë luftës ballkanike i kishte grabitur 2 vajza shqiptare njërën në fshatin Kremenat dhe tjetrën në Kranidell të komunës së Dardanës. Nga kjo familje doli edhe Radivoje Papović ish rektor i Universitetit të Prishtinës gjatë viteve nëntëdhjeta të shekullit XX. Nga gjithë kjo që shihet është momenti i fundit që shqiptarët ta zhvillojnë nacionalizmin gjuhësor për të mos u asimiluar dhe bërë armiku kryesor i gjuhës dhe gjakut iliro-arbrorë-shqiptar.

Regjistrimi i popullatës në Serbi gjatë shekullit XIX

Nga viti 1804 numri i banorëve mysliman në varosh të Beogradit vinte duke rënë, ndoëse numri i shtëpive mbeti i pa ndryshuar. Në vitin 1833 nga gjithësejt 3000 shtëpi myslimane që kishin qenë më parë, në 1000 prej tyre filluan të banojnë të krishterët. Pas vitit 1815 e deri në vitin 1820 në Beograd ishin gjithsejtë 120 shtëpi të ndërtuara nga të krishterët, ndërsa pas vitit 1820 numri i shtëpive të krishtera arriti në 500 sosh. Sipas përkatësisë fetare popullata e Beogradit ndahej në mysliman, të krishterë dhe hebrenj. Popullatën myslimane sipas origjinës e përbënin boshnjakët, shqiptarët dhe një numër fare i vogël turq të vërtetë. Në vitin 1830 në Beograd jetonin rreth 2000 hebrenjë disa prej të cilve më vonë u shpërngulën në Smederevë. Në vitin 1833 në Beograd jetonin 1530 hebrenj në 210 shtëpi. Pas fitimit të autonomisë së Serbisë princi Millosh Obrenoviqi kërkoi në vitin 1833 që të bëhet regjistrimi i popullsisë. Sipas regjistrimit në kohën e kryengritjes së dytë më 1815 në territorin e Serbisë që e fitoi autonomin më 1830 ishin 473.000 banorë. Në vitin 1834 u bë regjistrimi i popullatës dhe në këtë kohë Serbia numëronte 678.192 banorë. Në vitin 1834 është bërë regjistrimi i parë i popullsisë edhe në rajonin e Beogradit. Është interesant të vemi në dukje disa të dhënat të regjistrimeve të më hershme të popullsisë sipas së cilave në Beograd nga viti 1804 e deri në vitin 1830 numri i banorëve sillej përafërsisht si vijon: Në vitin 1804 kishte 25.000 banorë, në vitin 1808 rreth 30.000 banorë, në vitin 1816 rreth 30.000 banorë, në vitin 1827 rreth 30.000 banorë, dhe në vitin 1833 rreth 18.000 banorë. Siç shihet pas kryengritjes së parë e deri me fitimin e autonomisë së Serbisë, numri i banorëve në Beograd sillej prej 25.000 deri në 30.000 banorë. Po ashtu edhe numri i shtëpive ishte i njëjtë . Gati të gjitha shtëpitë në varoshin e Beogradit në ato vite ishin të regjistruara si turke ose myslimane, përderisa numri i shtëpive të tregtarëve të krishterë ishte fare i vogël.

regjistrimin e vitit 1834 sipas konfesionit 40% të popullatës e përbënin të krishterët dhe hebrenjtë. Në këtë kohë popullata myslimane ishte akoma shumicë në numër. Në regjistrimin e vitit 1846 popullata e Beogradit që përbëhej nga të regjistruarit si serb, hebrenjë, romë dhe të huajë të cilët paraqiteshin si një grup kompakt dhe rival i popullatës myslimane. Shtëpi myslimane në këtë kohë kishte rreth 35% nga numri i përgjithshëm. Sipas këtij regjistrimi u pa se kishte pasur ndryshime të mëdha krahasuar me regjistrimin e vitit 1834 kur shtëpi serbe dhe të hebrenjve së bashku në Beograd ishin 769 ose 25% e numrit të përgjithshëm të shtëpive. Në regjistrimin e vitit 1846 numri i shtëpive serbe dhe të hebrenjve ishte shtuar në 1720 ose 45%. Shtëpi të hebrenjve në vitin 1846 ishin 4% , në vitin 1856 numri i tyre u rritë në 6%, ndërsa romët përbënin 1% nga numri i përgjithshëm i popullatës së qytetit. Të regjistruar si shtetas të huaj në Beograd gjatë regjistrimit të vitit 1846 ishin rreth 7%. Sipas regjistrimit të vitit 1856 popullata myslimane përbënte 31%, kurse serb dhe vlleh së bashku përbënin 61% të popullsisë. Popullata e Beogradit në këtë kohë ishte ndarë sipas përkatësisë fetare. Numri i objekteve të kultit në këtë kohë ishte si vijon: 11 xhami, 4 teqe, 2 kisha provasllave për serb dhe vlleh dhe 1 sinagogë. Në këtë periudhë ndarja ishte bërë edhe nëpër shkolla si vijon: 10 shkolla fillore për popullatë myslimane, 1 hebreje, 1 greke, 3 shkolla fillore serbe, gjimnazi, shkolla e tregtisë, liceu dhe bogosllavija në gjuhën serbe.

Në vitin 1854 u tentua që të bëhet diferencimi i popullatës në aspektin antropologjik në disa grupe (lloje), tipi Kaukaz si e quanin në atë kohë me origjine indoevropiane dhe të cilit i përkisnin të krishterët, serbët, vllahët, katolikët dhe protesanët. Hebrenjtë dhe romët u ndanë në tipe tjera të ndryshme. Tipi Kaukaz përbënte 92,4%. Popullata e Beogradit gjithnjë vinte duke u diferencuar në aspektin fetar, etnik dhe social. Në vitin 1867 myslimanët u detyruan ta braktisin qytetin, shtëpitë dhe pasuria e tyre ju nda qytetarëve serb. Para vitit 1867 të krishterët vllahë nga Maqedonia dhe shqiptarët ortodoks nga viset jugore e përbënin grupin ma të madh të popullatës dhe njiheshin si toskë, të cilët u bënë faktori kryesor në formimin e profilit etnik të popullatës së Beogradit. Myslimanët që konsideroheshin si turq të cilët u shpërngulën nga Beogradi ishin boshnjakët, shqiptarët, myslimanët e Nishit dhe shumë pak osmanlijë. Në vitin 1862 nga Beogradi u shpërngulën 8000 mysliman, në vitin 1867 edhe 15.000 të tjerë, kështu që pas kësaj shpërngulje në qytet mbetën vetëm 600 mysliman. Numri i hebrejve në vitin 1862 kishte arritur në 10.4% në numrin e përgjithshëm të popullsisë. Në këtë kohë popullatën e Beogradit e përbënin grupe të reja që vinin në qytet me strukturë heterogjene etnike dhe fetare. Pas shpërnguljes së myslimanëve në vitin 1862 në qytet erdhën popullatë e re nga viset qendrore. Beogradi në këtë kohë udhëhiqej nga popujë të ndryshëm dhe nuk kishte kurrfarë modeli të udhëheqjes, prandaj edhe thuhej se sa ka shtëpi aq ka edhe tradita (adete) dhe popullata me vështirësi e flisnin gjuhën serbe. Kështu, pas vitit 1862 serbet filluan ngadalë të marrin nën kontroll tregtinë, zanatet dhe kulturën. Në dokumentet që ruhen në arkivin historik të qytetit të Beogradit, në literature dhe në kujtimet e regjistruara të qytetarëve të vjetër kishte mjaftë shumë emra të qytetarëve që tregonin përkatësinë e tyre të më hershme jo sllave.

Njëri ndër ta ishte Arnautoviq Ilija oficer me gradën oficer, i cili e mbante këtë mbiemër sepse në Beograd kishte ardhur nga jugu, përkatësisht nga trevat shqiptare. Në këtë kohë vërehen edhe shumë emra dhe mbiemra tjerë që tregojnë se në Beograd kishin shkuar nga viset jugore edhe qytetar tjerë si: Demir Kumanova, Nikoll Kosova e tjerë që ishin shumë aktiv në luftën kundër Turqisë më përkatësisht në shpërnguljen e shqiptarëve etnik nga Sanxhaku i Nishit. Nga Maqedonia në Beograd kishin shkuar edhe vëllezërit zografi, pastaj shqiptar tjerë nga Kërçova Dibra, Ohri, Manastiri, Shkupi dhe qytete tjera që kishin profesione dhe zanate të ndryshme. Në vitin 1878 Serbia në jug u zgjerua edhe në katër rrethe (Nishin, Pirotin, Vranjen, dhe Toplicen). Pas zgjerimit regjistrimi i popullatës u bë në vitin 1884 dhe Serbia tani numëronte 1.901.736 banorë. Migrimi drejtë Beogradit i popullatës autoktone me origjinë shqiptare dhe vllahe nga jugu, si dhe ardhja e emigrantëve tjerë nga diaspora ndikuan që Beogradi të zhvillohet në hap me qytetet tjera evropiane. Procesi i asimilimit të popullatës së Beogradit u zhvillua me një dinamikë të shpejtë sa që sipas regjistrimit të vitit 1889 në Beograd u regjistruan vetëm 69 qytetar si shqiptar. Sipas këtij regjistrimi Beogradi në atë kohë numëronte gjithsejtë 55.868 banorë, prej tyre 44.855 ishin regjistruar serb ndërsa jo serb ishin regjistruar 11.013 banorë. Në dhjetor të vitit 1900 në Beograd, filloi të botohet gazeta dyjavore “Bratimstvo”(Vëllazërimi) emërtimi i së cilës ishte i shkruar edhe në gjuhën shqipe me shkronja cirilike. Pronar i kësaj gazete ishte Aleksa Bogosavleviq-Berisha me origjinë shqiptare. Të dhënat e dokumentuara më lartë tregojnë dukshëm nevojën për hulumtime dhe studime në këtë fushë në të ardhmen, të cilat mendojmë se do të jenë tema befasuese për historiografinë e Ballkanit nëse studiohet dhe përshkruhet në mënyrë objektive numri i shqiptarëve dhe vllahëve të serbizuar gjatë shekujve XVIII, XIX dhe XX. Në regjistrimin e vitit 1921 Serbia i kishte 4.819.430 banorë. Prej tyre në Kosovë jetonin 439.010 banorë ndërsa në Vojvodinë jetonin 1.536.994 banorë. (Artikuj të huazuar nga revista “Shqiptari”, Shtator 2019).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat