Çfarë kishte shkruar Ismail Kadare 20 vite më parë për fituesin e Nobelit në Letërsi, Peter Handke

Kultura

Çfarë kishte shkruar Ismail Kadare 20 vite më parë për fituesin e Nobelit në Letërsi, Peter Handke

Më: 12 tetor 2019 Në ora: 15:06
Isamil Kadare, Peter Handke

Peter Handke është fituesi i çmimit Nobel në Letërsi për vitin 2019.

Ky çmim po kontestohet së shumti madje janë nënshkruar peticione ku i kërkohet akademisë suedeze ta anulojë, pasi Handke njihet si një simpatizant i Sllobodan Millosheviqit dhe mbahet mend për shqiptarët si njeriu që vajtoi për diktatorin e fundit të Ballkanit.

Gjithkush ndër ne, mund të ketë pritur një reagim nga shkrimtari ynë Ismail Kadare, që prej vitesh është favorit për Nobelin. Kadare, nuk e ka komentuar këtë çmim… Por ama Kadare ka folur për Handke këtu e 20 vite më parë.

Gazeta letrare “Exlibris” ka publikuar sot qëndrimin e Kadaresë për Peter Handken, në ditarin e tij për Kosovën “Ra ky mort e u pamë”.

ISMAIL KADARE, 20 prill 1999

Televizioni austriak më kërkon një mendim për qëndrimin e Peter Handkes. Në Austri dhe në Gjermani ka fushatë të ashpër kundër tij. Ai qëndrim, ç’është e vërteta, më shumë se zemërim, më ka shkaktuar brengë. Siç ndodh me njerëzit që i njeh. Siç ndodh me sjelljet që ndryjnë brenda një mister.

Shkrimtari më i njohur i Austrisë. Me nënë sllovene. Frankofon. Prej vitesh, duke qenë këshilltar pranë shtëpisë botuese austriake “Residennz Verlag”, është ai që ka propozuar librat e mi për përkthim.

E kam njohur para ca vitesh në Paris. Ambasadoja e Austrisë në Francë na ftoi për darkë të dyve, bashkë me gratë. Gruaja e tij franceze është e admirueshme.

Nuk e gjej dot ç’grerëz e ka pickuar. Gjithë ai tërbim kundër shkrimtarëve boshnjakë, gjithë ai zell për të mbrojtur krimet serbe në Bosnjë e pastaj në Kosovë.

Një shkrimtar kroat përpiqet ta shpjegojë me zanafillë frojdiste. Nuk më besohet.

Ndërkaq, nga darka në ambasadën austriake më kujtohet një frazë e tij. Një frazë disi e veçantë, e thënë me njëfarë pikëllimi: “nuk jam më i njohur si më parë”.

A mund të jetë atje ana e së keqes? Ndoshta, pse jo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat