Fragment nga romani “Zhvarrimi” që mori plaketen “Pena e Pjetër Bogdanit” në takimet e Gjeqovit në Zym

Kultura

Fragment nga romani “Zhvarrimi” që mori plaketen “Pena e Pjetër Bogdanit” në takimet e Gjeqovit në Zym

Nga: Gani Mehmetaj Më: 12 tetor 2019 Në ora: 19:24
“Pena e Pjetër Bogdanit” në takimet e Gjeqovit në Zym

Letra e atë Shtjefnit, famullitar në Zllokuqan të Pejës, dërguar ipeshkvit tonë, më cyti të kopjoj kronikat e vjetra e të ndaj pjesët më interesante. Atë Shtjefni kërkonte informacione për një interesim të tij, prandaj i shkruante ipeshkvit: “Imzot, në ndonjanën prej katakombeve asht sarkofagu i mretit. Kam hulumtu gat e gat, kam gjet shumë gjana të vlefshme nga koha e ilirëve, gjyshave tonë. Hasa e mblodha sende të rralla edhe nga mesjeta, kam ba nji muze të vogël, që e ruej me fanatizëm. Po vorri i mretit tonë ma të lavdishëm, nuk me len të qetë. Aq shumë ka mjegullime për te, saqë nuk ia fali vetes, po nuk ia bana hyzmetin kësaj pune. Ju lutem me nepni ndihmën tuaj të çmume, sepse e di se në  bibliotekën e françeskanëve ka shënime për këtë punë.  Njashtu mund  të baheni garantë te Ati i Shejt, që të na e hap bibliotekën...”

Në vazhdim atë Shtjefni i tregonte ipeshkvit sesi i ra trup e tërthorë Shqipërisë nga Shkupi në Shkodër, pastaj tutje në Himarë. Sepse, jo një herë pati vegime sikur Gjergj Kastriotin e rivarrosën:  “në bregun e detit Jon, diku në kambë të shkambijve. Kam disa sheja që ma thonë ketë gja, ka disa shpella atje. Jo nji herë shkova në Himarë e Dhërmi, po nuk gjeta ferkem vorri. Më mbërthyn ethet jo pse aventurierë të ndryshëm e lypnin me qiri e me pishë vorrin e më të parit tonë, ata s’e donin për punë plaçke a lavdi, por pse po baheshin pesëqind vjet që askush nuk gjeti shej të tij. Ai la shumë gjurmë, pranej s’ka si të mos e ketë vorrin a shenjat e vorrit diku. Ai la testament për trashëgimtarët e vet, ai testament duhet të gjinet në tokat e Arbnit”.

(Me duhet të shtoj se atë Shtjefnin disa vjet më vonë e vranë në prit xhandarët serbë. Ai nuk e përfilli asnjë rrezik e ndalesë, nuk e kapërdiu asnjë gënjeshtër).

Letra e priftit dardan kurrë nuk mori përgjigje, por mua me mbërthyen ethet e fshehtësisë së këtij varri. Prandaj, i përsërisja leximet e kronikave të vjetra, përpiqesha të gjeja ndonjë fjali që do të ma ndriçonte rrugën, por sikur ngeca në errësirë, në mes një katakombi, i cili fshihte thesare, mbase fare afër meje, kurse unë nuk i gjeja, ashtu sikurse kishin ngecur të gjithë para meje. Asnjë letër nuk më ka intriguar më shumë sesa kjo grishje e atë Shtjefnit. Zekthi më nxiti të rrëmoja ngado që do të shkoja.   

Bishtuku i dytë, që ma ndriçoi rrugën e fshehtësisë, ishte raporti i françeskanit, fratit Mhill, drejtuar Ipeshkvisë së Shkupit, shumë vjet më parë:

“Njerëzit bridhnin  poshtë e nalt. Niseshin faltoreve të vjetra prej Dodonet te Baba Tomori, masanej ktheheshin nga faltoret e mavonshme. Të vjetrat i lanë shkret, prej faltoreve të reja u zhgënjyen. Druheshin se faltoreve të  braktisuna do t’u ketë mbet hatri. Zemërimin e grumbulluen mbrenda si qelbin, kështu që mund t’u hidhnin llavë të zjarrtë. Apo nuk u përvëluen disa herë?  Në  kulm të  hutimit, kur druenin se mos po gabojshin prapë, turma sillej pa Zot e pa atdhe, fenë e moçme e ndalun, të renë nuk e pranun. Ata e paten nji mbret që u printe, ma ha mendja e lypin hijen e tij që t’u rri sipri”.

 Frati kërkonte këshillë, më shumë kërkonte ndihmë, sepse donte ta qetësonte turmën e trazuar. “Turma do Zot, ndryshe të përlanë”, shkruante në fund prifti.

Prapë nuk e gjeta përgjigjen e superioreve, megjithëse e kërkova në të gjitha raportet.   

Më kishin caktuar të merresha me bibliotekën e Kuvendit, pasi u thashë se jam i interesuar të lexoja kronikat e sivëllezërve që nga raportet diplomatike të Pal Engjëllit, pastaj udhëzimet drejtuar priftërinjve të Arbërisë si të pagëzoheshin të porsalindurit në rrethanat e luftës, e deri te korrespodencat e ipeshkvinjve. Më prisnin një mal me korrespodenca, të shkruara në pergamenë, në lëkurë të regjur e në letra, të mbështjella me lëkurë bualli, po edhe me pëlhurë, të punuara nga punëtoritë e vendit. Më dhanë detyrë  të bëja sistemimin e kronikave të vjetra, të cilat u ruajtën në kohë të vështirë në kishat e qytetit e të rretheve. Jam i sigurt se nuk do mërzitesha sikur ta kaloja jetën në këtë ambient, ku librat të grishnin gjithë kohën, kurse dorëshkrimet e vjetra janë trazim që të lënë pa gjumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat