Besniku

Kultura

Besniku

Nga: Esat Myftari Më: 12 tetor 2019 Në ora: 22:55
Foto ilustrim

Në korrikun e vitit 1968, pra gjatë pushimeve verore, në nji prej ditëve m’u paraqit në dhomën time të konviktit, pa ndonji paralajmërim a ndërmjetësim, një djalë i ri, bjond e plot shëndet, me emnin Besnik. Më tha se ishte prej Opoje të Prizrenit, se studjonte mjekësinë, këtu, në Tiranë dhe se ma parë kishte punue si infermier në rrethin e Lezhës. Shtoi se ishte ndje tepër i vetmuem në konviktin e zbraztë të mjekësisë, ndaj e kishin këshillue të vinte në Qytetin e studentit ku kishte kosovarë të tjerë që e kalonin verën aty, si të pa familje e të pa shtëpi që ishin.

Për nja nji muej, bisedat po na ecnin mbarë. Ai më tregonte episode nga shkolla e mesme në Kosovë, kurse unë për të mijat. Por ajo që filloi të na lidhte e të na bante disi sentimentalë ishte malli për prindët e vendlindjet tona. Ndërkaq, ditëtve të fundit të gushtit, kur po afrohej momenti i largimit të tij për në konviktin e mjekësisë, në sjelljen e tij po vija re nji farë hutimi e reagime të çrregullta.

Nji mbasdite, ndërsa kishim dalë në ballkon e po sodisnim kodrat e buta përreth Pallatit të Brigadave, befas më pyeti:

“Isa, a më beson si njeri?”

Kthehëm nga ai dhe shoh nji ftyrë pothuej të tjetërsueme dhe sytë e tij të përloshun.  

“Si asht puna, Besnik?”, e pyes me shqetësim.

“Të thashë, a më beson?

“Pse mos me t’ besue, ti dukesh djalë plot mirësi”, ia ktheva.

“E pra, unë çdo të mërkurë shkoj te rruga e barrikadave e raportoj për ty!”

“Dhe çfarë u thue?”, e pyes me buzë në gaz.

Me sa duket, butësia ime me të cilën e prita rrëfimin e tij mundues e çarmatosi krejt, m’u hodh në qafë e u shkreh në vaj.

Si u qetësue e lau ftyrën, u ulëm e kuvenduem shtrumas. Dhe ai më tregoi se herën e fundit i kishte thanë operativit të barrikadës se kot po e thërriste mbasi nuk kishte ndigjue prej meje asnji fjalë anmiqsore kundër Partisë. Dhe, si për mrekulli ai, operativi, i kishte premtue se nuk do ta ngacmonte ma dhe se mund të vazhdonte miqsinë me mue pa droje e detyrim ndaj tij.

Në fillim të shtatorit u largue për në konviktin e mjekësisë.

I lehtësuem, Besniku i vazhdoi vizitat e tija te unë, por me të rrallë. Kur takoheshim, uleshim në kafe e diskutonim tema të ndryshme. Besniku ishte shumë studjoz dhe kisha shpresë të madhe se ai do të bahej nji mjek i zoti. Edhe përparimi i tij në gjuhën gjermane ishte frapant. Por, mjerisht, shpejt do të kuptoja se fati i kishte caktue tjetër fund, madje shum tragjik. Shenjat e para konkrete që paralajmëronin nji gja të tillë ishin se Schmaus-in, metodën e gjermanishtës, kishte fillue ta mbante kudo nën sqetull, por tashma si mbetje nostalgjije e jo mjet nxanjeje, ligjërimin ta zgjatëste e ta stërpikte me fjalë e shprehje banale, të humbiste fillin logjik gjatë diskutimit...

Në maj, kur pranvera kishte shpërthye me ngjyrat dhe aromat e veta të begata, shkova për ta pa për herë të parë në konviktin e mjekësisë. Trokita në derën e dhomës së tij. Më del nji ftyrë e pikëllueme studenti që më tha:

“Ka dy  ditë që Besniku asht zhdukë prej dhome, nuk e dimë ku ndodhet”

“Si?!”, thirra unë.

“Po ti shko te kosovarët e tij se ata mund të të  japin spjegime më të sakta”, më thotë studenti i panjohun.

Në oborrin e fakultetit takova D.M., prej rrethit të Pejës.

“Ku asht Besniku”, e pyes.

“Nuk e di me saktësi, por thonë se e kanë pa të largohet kah mali Dajti”, më përgjigjet me gjys zani dhe mjaft i shpërqëndruem.

“Mirë”, ia kthej, “por si, kurrkush nuk i paska ra mbrapa?!”

“E kupton, asht kohë provimesh”, nisi të shfajsohej.

Fjalët e tija më vranë shum. E shikova gjatë në heshtje dhe u largova prej tij pa ia shtri dorën. Mora rrugën e Dajtit me nji parandjenjë të randë, por nuk m’u desh të ngjitesha shum përpjetes: aty, ndër kodrat e para mbjellë me hardhi, krejt buzë rrugës, e gjeta të shtrimë mbi bar, mes rreshtave të drejta e simetrike të vneshtit. Mbeta i shtangun sepse pashë sytë kristalin të tij që m’i nguli me nji shikim të ngrimë e të zbrazët.

Mezi shqiptova: Besnik, ç’don ti këtu?!

“S’jam fort mirë, Isa”, ma ktheu me za të fikun. “Por edhe kjo do kaloj, do kaloj, mos u mërzit. Hajde, ulu rrimë pak, se m’ka marrë malli me ndejë bashkë”.

U ula dhe e mora ngrykë. Të dyve na u njomen sytë. E mandej, si u lenuem paksa, qeshëm. Më spjegoi se andej ndodhej tash dy ditë, se nuk e kishte vizitue kush dhe se gjatë gjithë kohës qe ushqye me gjethe të njoma hardhije.

Atë ditë e shtruen në spitalin psikiatrik, në pavijonin përkatës. Dhe, meqë isha i vetmi që u kujdesa për të, m’u dha e drejta që ta vizitoja herë mbas here.

Disa javë mbas shtrimit të tij, kur dola prej spitalit e po shkoja drejt ndalesës së autobusit, më afrohet një grue mbi të tridhjetat dhe më drejtohet me emën:

“Isa, një minute, të lutëm!”

Ndalova, kurse ajo, për të ma heq keqkuptimin, u ngut me shtue:

“Jam mjekja e Besnikut”.

“Ah, thirra me habi, gëzohem që po Ju njoh”, i thash dhe ia shtriva dorën.

Ajo ma mori dorën në të sajën e më shikoi me nji farë mëshire të papërcaktueme. Ishte nji shenj bashkëndjesije. 

“Po deshe, shkojmë më këmbë deri në qendër”, propozoi ajo.

“Me kënaqësi”, iu gjegja. Dukej se ishte e mbushun.

Rrugës, ajo më tha pak a shumë si vijon:

“Këto që do të të them, janë gjëra paksa delikate, por intuita më thotë se je njeri i besës. Dje kanë qenë dy punonjës të MPBr dhe morën kontakt me Besnikun. Ata i dhanë disa fije letre dhe e porositën të shkruente çfarë dinte për ty. Dhe ai shkroi mjaft, por nuk e di se çfarë kishte aty brënda, nuk pata mundësi të lexoja asnji rresht nga deponimi i tij. Megjithatë, merret me mend. Por dije se ai nuk e ka në dorë veten sepse e kemi diagnostikuar me skizofreni në fazë mjaft të përparuar. Prandaj këto që t’i thashë ndoshta nuk çojnë peshë, por mund të të hyjnë në punë për ndonji eventualitet. Dije vetëm se, kur i dorëzoi ato fije letre të nxime me nji shkrim nervoz e rreshta të valëzuem, fytyrën e kishte plot panik e trishtim. Dukej një kufomë e gjallë që tmerrohej me egërsinë e kësaj bote e sikur donte të largohej prej saj me përbuzje e sa më heret”.

Gjatë gjithë rrugës e ndigjova në heshtje e vendosa të mos bajsha asnji koment. Në fund, mbasi e falenderova me përkulje venerimi, u ndamë aty diku te Sokaku i të Marrëve. Ajo zojë e madhe nuk ma tha emnin, as unë nuk qeshë shty për t’ia mësue sepse nuk desha të cenoja diskrecionin e saj. Por mbas paralajmërimi, unë i preva vizitat në spital. Sido që të jetë, në qoftë se ajo zojë asht gjallë dhe ka rastin me i lexue këto rreshta, po i dërgoj prej këtu mirënjohjen time të vonshme e pafundësisht të ngrohtë, sepse në ato çaste kritike, gjesti i saj ishte nji provë guximi e dinjiteti të admirueshëm qytetar që gjithmonë e kam pasë ndër mend, sidomos në çastet e dobësisë sime. 

Mbas nji varg zhgënjimesh, atë vit unë bana kërkesën për t’u kthye në Kosovë por nuk më lejuen. Ma vonë, kur dola prej burgut, pra kur koha kishte relativizue pothuej gjithçka, mora vesh se Besnikun e kishin tërheq prindët në votrën e tij familjare në Opojë dhe se edhe për pak vite kishte vazhdue të bante jetën e tij të mjerë, deri sa nji ditë vjeshte e kishin gjetë të pa jetë në nji greminë pylli.

Po shtoj në fund se kurr nuk e kisha mendue që mbas katërdhjetë vjetësh, kur do të tërhiqja dosjen për të pa se si më kanë perceptue të tjerët në atë kohë, do të gjeja edhe rrëfimet e Besnikut të sëmunë mendërisht, rrëfime këto gjithsesi të falshme, por edhe sot shum trishtim-ndjellëse. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat