“Shumë zhurmë për asgjë” çon Shekspirin në Teatrin e Gjakovës

Kultura

“Shumë zhurmë për asgjë” çon Shekspirin në Teatrin e Gjakovës

Më: 14 tetor 2019 Në ora: 00:01
Gjakovë

Njëra nga komeditë më të bukura të Uilliam Shekspirit, me plot nuanca romantike dhe situata komike, do të luhet në skenën e Teatrit të Qytetit të Gjakovës.

Kjo shfaqje vjen nën realizimin kontemporan regjisorial të Zana Hoxhës, koreografit Robert Nuha dhe trupës së gjeneratës së re të aktorëve gjakovarë.

Të ftuar nga Leonati, Princi i Aragonës dhe pasuesit e tij mbërrijnë në Mesinë, dhe këtu trimat e rinj i ritakojnë dashuritë e vjetra, që do t’i shtyjë këta të rinj të bëjnë të pamundurën të fitojnë zemrat e vajzave të reja të shtëpisë.

Përplasja e personazheve karizmatike do të dhurojë një përrallë me plot kthesa që kanë për qëllim përplotësimin e dashurisë.

Përmes gjetjes, ngjarja është e vendosur në kontekst me arbëreshët e Italisë, që ka përmbushur aspektin muzikor të shfaqjes.

Duhet cekur se kjo është hera e parë që në Teatrin e Gjakovës, dyzet vite pas themelimit, vihet në skenë një vepër e Shekspirit.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët Vali Krasniqi, Vlera Pylla, Ylber Mehmeti, Besfort Berberi, Mikel Markaj, Vlora Dervishi, Edmond Hafizademi, Valon Pallaska, Edi Gjakova, Yllka Lota, Altina Kusari dhe Hysen Binaku.

Premiera e shfaqjes “Shumë zhurmë për asgjë” do të jepet të mërkurën në ora 20:00, ndërsa repriza një ditë më pas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat