Majmuni

Kultura

Majmuni

Nga: Gjon Marku Më: 14 tetor 2019 Në ora: 20:58
Gjon Marku

Lugut të qiellit fluturojnë retë hijerënda e si ushunjëza të zeza turreshin drejt asaj përtejqafe në malin përballë ku një këmborë bie në njërën anë. Sonte vdiq një njeri shurdhazi si nata, pëshpëriti me vete dhe veshtrimin e hodhi përtej dritareve gojëmekura mbi lumin ngjitur me burgun që, ndër gurgullima, sikur kërkon legjendat e humbura. Në breg sulet shkumë e turbullt, ndërsa një bari, duke vërshellyer një melodi, i printe tufës së dhive. Mbi kampin buzë lumit mjegullat zvarren. Ndërsa thellë luginës, grykave përvidhet e i zgjatet natës shtati.

Ai priste aty në dritaren e godinës që të kalonin dhe ato pak minuta sa të vinte ora e ajrosjes. Në anën tjetër të kampit dëgjohej krrokama e lemerishme e korbave që frikëson edhe të vdekurit e gjarpërinjtë që turreshin të shqyenin njëri- tjetrin. 

U hapën dyertë e hekurta dhe ata si grumbull shpirtërash zbritën shkallët drejt daljes se godinës. -Ku ishe ti? pyeti Ergysi, që rrallë dilte në atë pistë të zhavortë ku bëhej ajo orë ajrosjeje. Ndërsa Engjelli nuk foli, por nxori paketën dhe i zgjati një cigare. Krrokama e korbave sipër godinave të kampit ishte përzier me angullimën e qenve që, diku jashtë tij, sikur mbnin ison atyre zogjve pendënatë. 

 E hodhi vështrimin në harqet e vetullave të tjetrit, por brenda vetes i kishte të rënda mendimet. Ti ke shkuar tej harrimit, mendoj, ndërsa po ecte drejt cepit të pistës së ajrosjes.

-Ky shpendkeq, që prej krrutës së sqepit të tij të madh ka nisur këngën e tij krrau krrau, sikur ndjell një të keqe, -foli sërish Ergysi që s’po merrte asnjë përgjigje. Engjelli kujtoi këmbanën që vetëm pak minuta më parë binte në njërën anë në kishën e ndërtuar në atë shpatull mali. Po duke dashur të ndërrojë bisedë e për t’i dhënë përgjigje tjetrit, veshtrimin e hodhi drejt qiellit dhe me zaguri mërmëriti, vransirë e zezë sterrë. Retë murrashe paralajmërojnë stuhi e bëzajnë tu ulurit rrufe. Zgërdhihet koha shtrigë. Po edhe pse s’foli më gjatë me vete, mendoi vallë cili qe ai korb që më përshendeti tinëzisht dhe vetullat ngrys si ai muzg me re.

-Vetëm ujqërit, thonë, e duan mjegullën, foli sërish si të kishte frikë mos tjetri kishte lexuar mendimin e tij. Në qiellin saç të nxirë vriten mes vedit rrufetë dhe këndojnë këngën e furtunës. Zogjtë skjeve ikin idhshëm, hijet si akrepat zgjaten. Ndërsa këta si statuja të hirta, bashkë me ne, Ergys, ecin rrëshqanë në këtë pistë të zhavorrtë, dhe vështrimin e ndali në qelqet e syve të tij të lodhura e një brengë i ishte ulur në vetull.

-Shtëpia ime buzë rrugës kryesore,- foli Ergysi dhe heshti gjatë si të ishte duke shprushur mendimet… Sonte ndjej mall të eci anë e mbanë qytetit, teksa jam këtu fill i këputur keq nga lëmshi i jetës me mendimin tim krahthyer, ndërsa brenda meje gurgullon pikëllim. Ju drodhën vajshëm sytë, kurse tjetri po mundohej të kuptonte thelbin e asaj bisede pa fillim e pa fund.

Si hy një çast një dallëndyshe mes dimrit dhe pranverës, erdhi dhe ajo. Në atë shtrat i iku çupëria. Nata drithëron e tërbuar prej epshit. Më fal mëkatin e dëshirave të marra, i kisha thënë, ndërsa ajo veç deneste. Sa do të doja që të isha me të, të mbështeste gjinjtë në gjoksin tim që rrahjet ia njeh. Endej kudo, përvidhej e takoheshim në krye të livadheve të pakositura. Dëshirat e pabindura struken në gjokas. Sa do doja të isha me të në këtë çast edhe çdo çast pas atij momenti dhe asaj puthjeje do të desha të lija diçka në ikje, një grimë malli, inati, një lot të trishtë. Kërkoj në rrënjët e zemrës sime të prishur vetëm pak qetësi. Përkundem në një mijë klithma, kam ditë që kur gjumi mi vesh sytë, kam frik të fle se në ëndrra me dalin lugetër që valojnë prej morrave.  Silueta ime horizontin si çapitje kose do ta presë çdo natë. Dhëmbët më lëshojnë xixa e rryma e urrejtjes më vërshon ndjenjave. Gjurmoj ta cingris inatin zemrak. Dëshirat e pabindura më struken në gjoks e brenda meje vetmia lulëzon mes heshtjes. Përpëlitem me imazhin e saj nëpër kokë. Ne e kemi shpirtin në palcën e gurit. Ec e dije kujt i takon jeta jonë.

 Fliste turrthi edhe pse s’ishte shumë gojëtar. E ndezi cigaren që mbante ndër gishta dhe heshti disa çaste. Një pingërimë e shkurtër e një zogu, një pingërimë që të trishton, erdhi prej bregut të lumit.

Engjëlli vu re se tjetri dridhej prej dënësës. Po s’dinte çfarë t’i thoshte, sepse s’kishte mundur të kuptonte ku ishte thelbi i bisedës. Fjalët e kishin humbur fuqinë magjike.

-Trishtimi buron e fryn në thellësitë e mija, nisi të flasë sërish, Ergysi. Ka një javë që ka lindur vajza ime e vogël, ndërsa unë jam këtu ku gjunjëzohet burrëria. Nuk dua që ime shoqe të rrijë e strukur në qoshen e zemrës time dhe të fshihet nga frika e fjalëve të botës. Dua që fëmija im të jetojë…

Prej cepit të përtejmë ku gjendej godina numër tre dikush nguli në ajër një britëm, -ujku tek njëshi, dhe ajo britëm e kishte ndërprerë gjithçka.

-Majmuni, kishte bërtitur sa kishte pasur fuqi Ergysi, dhe turrthi kishte vrapuar drejt hyrjes së godinës.

Engjëlli jo vetëm s’po kptonte asgjë, por ishte shtangur pa ditur çfarë po ndodhte.

Ujku, dëgjohej nga godinat ngjitur me godinën tonë.

-Ujku, Ujku , Ujku tek njëshi.

Majmuni, dëgjohej të thërrisnin në pistën e ajrimit dhe disa prej të paraburgosurve turreshin drejt hyrjes së godinës.

-Ujku, Ujku, Ujku.

Engjëlli s’po kuptonte asgjë as kush ishte ujku dhe as kush ishte majmuni.

Ujku, dëgjohej thirrja në korprej të pesë godinave ngjitur me godinën tonë ndërsa prej godinës tonë degjoheshin thirrejt: majmuni, majmuni.

Ai kishte dy javë që kishte mbërritur këtu dhe se dinte kush ishte ujku e as kush ishte majmuni.

Polici në hyrje të godinës ishte plandosur përtokë shtyrë prej majmunëthirrësve që turreshin nëpër dhoma.

-Ujku, ujku, thërrisnin në kor prej të gjitha godinave. Ujku, tek njëshi. 

Ndërsa në godinën tonë kishte veç lëvizje, dëgjohej ndonjë thirrje në të rrallë: majmuni, majmuni.

  Iu lidh fjala nyje në gojë. Një tufë policësh halldupë dhe me maska brofën turravrapi drejt godinës tonë.  Këpucët kërcisnin si patkonj përmbi asfalt.

Retë ruajnë majen kujdesshëm pse ajo është e vetmja mbështetje.

 Afër tij erdhi Artani edhe ai shokë i dhomës së tyre.

Dera e godinës ishte mbyllur, dhe ata që nuk ishim turrur të hynim në godinë si delet në vathë brenda telave të pistës së ajrosjes, prisnin zemërngrirë ata që vinin t’i shqyenin. Në këtë katund të ndarë në mes me lumë në të tij gjendej kampi ynë.

Se shita dot shpirtin tim asnjëherë dhe pse djajtë s’më munguan kurrë në jetë, mërmëriti Engjëlli, dhe iu kujtua ku(rvë)nata, motra e ish gruas që për t’ia dredhur burrit të saj mjek, ç’nuk bënte dhe sajonte. Cili burrë do të vijë të te ndëzë kandilin e shuar të zemrës tëndë prej ku(rvë)nate, mendoi. Kush të njeh ik prej tjeje, se ti çka s'mund të bësh, po yt shoq fatkeqësisht s’të njeh. Apo kurvëkunata,  gruaj e vëllajt të ish-gras se tij që shoku i dhomës së fakultetit e kishte pasur të dashur dhe ishte zhgërryer me të mureve të Butrintit të vjetër, apo hoteleve të Bregut të Jugut. S’ke çfarë bën, i shoqi mbaruar për inxhiner elektrik s’dinte çfarë është femra e aq me tepër të dallonte një kurvë nga një e ndershme. Apo vëllai i madh i të shoqes, ish- drejtues,  i bashkisë së qytetit të tij që bëni kompromis me djallin e kërkoi parajsën në tokë. qen e njeri bashkë. Në tërthoren e shikimit të tij gjithnjë kishte parë e lexuar veç djallëzi. Tinëzisht mundohej të të hante në pabesi. Siç në pabesi kishin kurdisur arrestimin e tij, e tash qytetit të vogël bashkë me motra e kunata shpiknin për të çmendi e lloj lloj ndytësishë.    

-Ulërin kopeja e ujqërve të tërbuar, -foli Artani.

 Por Engjëllit fjalët iu dukën fatale si një bizhu e lyer me helm. Ç'trishtim që jetoj në një vend brengë ku shumë gjëra ecin për mbrapsht. Më është ndryshkur shpirti si ai parmaku i dyerve të vjetra. Biseda ishte e ftohtë dhe e tendosur si një teh shpate e vjetër.

-Mos lëvizni, -thërrisnin ujqërit me maska nga jashtë telave që kishin rrethuar vathin e të paraburgosurve.  Pjesa me e madhe e tyre ishin futur në godinë nëpër dhoma.

Engjëlli e hodhi vështrimin drejt qiellit, ai i shkretë pa asnjë yll. Veç re që hiqeshin zvarrë në shtegun e humbur të yjeve. Diçka fryn stuhishëm brenda meje, është kohë e ligë. Sa pak lumturi ka mbetur për ne. Retë u shthurën në shi.  Sa dua të dëgjoj zërin e largët të nënës time! Ditëve pa ty iu ngjita emra të frikshëm nëna ime,  mërmëriti. Por nga jashtë u dëgjuan bërtitje

-Asnjë fjalë, klithte ujku.

Dera e godinës u hap dhe një nganjë na fustën në godinë duke na kontrolluar me kujdes. Mbas derës terri ngeli. Nata e tërbuar ulurin si bishë e uritur. Kur nata mbështjell kampin me petka të zeza shfaqen hijet e të vdekurve rreth tij. Errësira e natës kishte shkopsitur kraharorin.

I drejtuan për në dhomën e improvizuar, rrethuar me tela të trashë, që gjendej në katin e parë të godinës, të gjithë bashkë. Engjëlli u hodhi një vështrim të shpejtë atyre qenieve të lagura dhe të izoluara. Sytë e tyre të lodhur flasin përqartë mendoj po nuk foli. Rrufetë maleve këndonin këngën e furtunave të egra që thua se merrnin jetë mbi shkretëtirën e mendimit të tyre të zi. Ata si në një ëndërr trishtuese kishin mbërritur deri te kjo bokërrimë e gërryer pikëllimi. 

Tinëzisht hetonin sytë përmes vrimave të kapuqëve të zinj me fytyra ujku. Asgjë s’kanë për të thënë sonte. I vështronte ato shikime të gjarpërinjta që s’do t’i shkuleshin më kurrë prej mendjes.

U hap dera zgarë e hekurt.

-Ngjituni nëpër dhoma,- foli polici i godinës.

Ata morën shkallët të ngjitëshin nëpër katet ku gjendeshin dhomat e tyre.

Doli dhe Engjëlli prej atij kafazi të hekurt dhe filloi të ngjiste shkallët.  U ndje i vetmuar në mes të udhëkryqit. Selimin e kishin lidhur me duartë mbrapa dhe e tërhiqnin pothuajse zvarrë drejt daljes së godinës.

Në koridorin e katit të sipërm u gjend përballë Ergysit. Shikimet i tyre u ndalën te njëri- tjetri, po nuk folën asnjë fjalë. Ç’të bëj unë me dhimbjen time ndër duar, sikur thoshte shikimi i tij.

 Nëpër dhoma ishte lëvizur gjithçka e mbizoteronte rrëmuja. Ujqërit kërkonin të gjenin majmunët, nuhasnin kërkonin.

U ndal në dritaren e fundkoridorit dhe vështrimin e hodhi mbi lumë. Brofin valët, shuhen e ikin me murmurima. Këdo që është i dobët, ai e rrëmben. Shpresa i ngjan një shege të mbyllur.

Tej lumit, një plep i zhveshur degëpërkulur. Një vashë ndër xunktha buzë lumit. Ergysi e vuan puthjen e parë të lënë përgjysëm dhe pamundësin të shohë vajzën e tij të sapolindur engjëllore. Ai e ndjenë se si gërryen heshtja përbrenda. 

Në driza flenë gjarpërinj të zi, mendoi. Dhe fluturimthi mendja i shkoi tek e bija. Kudo që vete ty të mbart si një plagosje bija ime. Eh medet sa shumë baltë po hidhet padrejtësisht dhe mbi ty. E pas meje ti ke mbetur tabela e zezë e shpifjeve të dajave dhe tezeve të tua kurva. Trishtimi buron e fryn në thellësitë e mija. Ëndrrat rënë si gjethe të pikëlluara vjeshte. I mbështjellë jam me rrjetën e zezë të dhembjes. Jeta jote i ngjan një shtege të mbyllur.

 Në dhomën e tij të gjithë mundoheshin të rregullonin diçka nga rrëmuaja që kishin bërë ujqërit, ndërsa ai as që donte t’ia dinte. Gjithcka të tij e kishte parë të hedhur në dysheme.

Iu kujtua e shoqja. Në buzëqeshjen tënde të idhët ka djallëzi dhe pabesi proverbiale mendoi. Ti shpif në mënyrat më të ndyra s’ke si ta justifikosh kërkesën time për duivorc dhe pjell mizëri shpifjesh bashkë me njerëzit e tu të zinjë e të ligj. Je grua e gjithçka mund të bësh. Aq më tepër me atë motër ku(rvë)nate e me ate kurvëkunatë që ti, ke apo me ato vëllezër njeri me i ndytë se tjetri. Zogu i pendesës ka marrë arratinë. As hijen tënde se dua. Unë iki prej prej jush me besimin e humbur tek ju, se ju njoh mirë me gjithë poshtërsitë e ndytësitë tuaja. Dhe qyteti ju njeh mirë. Ti shpif sot në mënyrat me të ulta pa pyetur për asgjë.

Është vit jehonash.  Rrugët plot pengesa e mistere e zot vetes duhet t’i dalësh. 

Dera e e hekurt e dhomës u hap, pastaj edhe zgara e prej andej doli Ergysi dhe u drejtua drejt tij.

Eja! Majmunin e Selimit e zunë ujqërit.  Selimin e morën. Majmunin tim nuk e gjetën.

U fut në dhumë dhe u plandos në krevatin e tij që Ergysi e kishte rregulluar. Gjithçka e tij ishte në vendin e vet. Akoma mendjen e kishte tek shpifjet e ndyra që bëheshin në kurriz të tij dhe të së bijës.  U hap dera dhe polici i turnit thiri Ergysin dhe atë.

Dolën në koridor dhe u drejtuan drejt të ashtuquajturës kolonë.

Ka vdekur i jati i Aldit tha polici. Është aksidentuar me motor

Engjëlli mbeshtolli fytyrën me duar. Në vesh i buqiste këmbana që binte në njërën anë. Pastaj krrokama e korbave, nëpër kamp angullimë e qenve që s’dinte ta dallonte nese ishte angullimë qensh apo ujqërish. Iu kujtua nata e mortit në kamp kur kish vdekur nëna e Lekës.

Vallë do ta çojnë Aldin të varros të atin?!!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat