Në vendlindjen time perlë,
në Therandën e dashurisë së paskaj
ku më përkëdheli për herë të parë
rrezja e shpërndarë,
ku më stisi filli dhe vazhdimi im i përtërirë.
aty është rrënja ime e dëlirë.
Aty kam mal kujtimesh shkrirë në krenari shpirti
me mijëra sish veç nga fëmijëria
duke luajtur fushave e korijeve shkallore
në Rrëzëhisarin antik me shtresime lashtësie
me lisnaja e gjelbërime mrekullie.
në përqafim të diellit.
Në vendlindjen time,
cicërrimat magjike të zogjëve
simfoni e dehur përherë
e lejlekët e bardhë krahëhapur në foletë e tyre
shënjtëri e përsëritur për çdo pranverë e verë.
Me moshataret hirëplota hapëroja
edhe në rininë me buzëqeshje agu,
me portat e zemrës mbushur dashuri
shpresat të pashuara i kishim në vazhdimësi
e lutjet asnjëherë harruar
për sofrën e shtruar pa lotë përmallimi
për ata që na mungonin, rritën të na bekonin
labirinteve të trishta padrejtësisht ngujuar.
Për gjyshër e prindër pishtarë
që nëpër furtuna të acarta kohore
e dëshmuan trimërinë
burgjeve të trishta e sfidonin robërinë,
se nën pushtimin barbar serb
përdhunshëm frymonim.
Në vendlindjen time
në shkollë shkonim
me dashurinë sublime të derdhur
për të fituar dituri si një mrekulli,
fletoret mbushur përplotë me shkrime
me ëndërra të pashuara për agun e bardhë,
për lirinë me buzëqeshje pranvere flakëruar
që një ditë gjithësesi që do të vije
në tërë etninë e përkushtimit të mbarë
në hartën e përthekimit të trashëguar.
QERSHIA E VJETËR
Qershi e vjetër me peshë të derdhur kohe
relikt magjik në sirtarin e kujtimeve të mia
që më kthejnë tek përmallimi i ruajtur
për fëmijërinë time me pulësim rrite,
brezë pafajësie
në vendlindjen time thesar lashtësie.
Qershi e fëmijërisë
me sytha bulëzimi harlisur
për çdo stinë pranvere,
kur gëzimi buçiste shtigjeve
ombrellë strehimi për shiun e verës,
përherë me etje përmallimi në kujtesën time.
Për qershinë e vjetër
përballë kullës së gurtë
rrëzë Hisarit të lashtë me gjelbërime gufuar
gjyshen time shpesh herë e dëgjoja
duke thënë si në shpoti,
se kjo bene tri hise vend po i zë
sa edhe diellit buzëqeshjen po ia zbeh
për ngrohtësi të shpirti mbi ne,
rrënjët shtrirë shtatë pash në thellësi
deri te brirët e kaut të zi.
Me qershinë e vjetër në kujtime
që nuk zbehen kurrë
pikturoj fëmijërinë time në shtresime
shtigjeve në rrëzëllim,
edhe rininë e parë me shpresa jehu
për rritën pa brenga,
etjet e pashuara për bardhësi jete.
Luhaqen kur e vëja
në qershinë e vjetër
degëve të saja krahështrira prush
bashkë me moshataret e mia
buzëqeshje zgjimi përjetonim
agmisë në flakërim i këndonim.
Kolovajzë në rrjedha ngazëllimi,
trashëgimi nëpër kohë e përtërirë
jehut të dëlirë
në përshëndetje dallëndyshesh të reja
me sprovim hovesh të para në fluturim,
rrezet e diellit me hirësi jete
në përqafim.
Prishtinë –2019
Naxhije Doçi
NJË JETË NË KËRKIM TË DRITËS
(Korifeut Destan Bajraktari)
Stinëve me hapekrahje të dehur lirie
në Kosovën flamur shkabë anë e mbanë
flas me emrin tëndë në pllakë mermeri
ngritur në Therandën rrënjëthellë lashtësie
djep në rrjedha zgjimi me dehje frymëzimi
ku u linde ti puls i ndezur orfeik
nga hirësi e etur në ekstazë shprese.
Përbri krahëhapur në përqafim të diellit
gumëzhin hareshëm tempulli i diturisë
me emrin tënd pagëzuar
“Destan Bajraktari”
ta mbanë ison e moteve të derdhura
me dëshmi krenarie kurorëzuar.
Feniks i dëlirë nga hiri yt ripërtrirë
të flakërinë edhe “EMBLEMA E ARTË
për veprimtari jetësore në çështjen kombëtare”,
Mirënjohjet në numër për krijimtari,
të thanë edhe simbol me përkushtim thesari.
Në Prishtinë, ku gjatë bëre jetë sfidimi
një rrugë e emërtuar
ujëvarë zgjimi emri yt, galeri urtësie.
Penarti pishtar me syrin zjarr
vargëzimesh të derdhura me motive agu
mençuritë popullore në panumërim
një jetë në kërkim të dritës
ritualin e buzëqeshur shqip
me shkronja mrekullie qëndisur
në tërë trinën e trashëguar
në ribashkimin
me gjoks e zemër kërkuar.
Ti pajtimtar i sprovave të mëdha
vëllain me vëlla të përqafuar e doje
shtrëngimin e duarve me thellësi ndjenjësie.
Vetëm kështu shuhen përmallimet thoje,
dhembjet fashiten e plagët shërohen,
pa pikë gjurmësh mbesin ndasitë,
shlirshëm jehojnë shtigjet skaj më skaj
nga melodi e krisur.
Përjetove burgje të tmerrshme
labirinteve të errëta, Fortesë Ifi
përplotë me lagështirë trishti
e minigjallesa gjakpirëse mveshur shtatit
në Rahavec e në Prizrenin lashtor
me vargonj robërie pllakosur,
të shumtat nëpër Serbi
me krime krekosur.
Mesnatave të damkosura deri në shëmtim
torturimet fizike me petk mesjete
nuk kishin kurrë të ndalur mbi ty
deri edhe për vdekje,
UDB-istët kriminelë serbë
dhe argatët mjerana të paguar
edhe mendësinë tënde në fokusim.
Hark ylberi me shkrepje pranvere
në mijëvjeçarin e tretë rrëzëllues
dhjetëvjetësh i dytë në hapërim
kurorëzuar edhe me Mëvehtësi të shumëpritur
Kosova me dekret madhështie të vlerësojë
“MEDALJA PRESIDENCIALE E MERITAVE
të dekorojë.
Në shpalosje plotënie
falënderimi melodi orfeike në komponim
me jeh të dehur agmie
gurrë e kristaltë në gurgullimë.