Jahja Lluka tregon më shumë detaje për librin e tij “Përmbledhje Shkrimesh”

Kultura

Jahja Lluka tregon më shumë detaje për librin e tij “Përmbledhje Shkrimesh”

Më: 21 tetor 2019 Në ora: 08:48
Jahja Lluka

Para pak ditësh, Jahja Lluka e ka promovuar librin publicistik-historik “Përmbledhje Shkrimesh”.

Ai në Sytë 7 ka dhënë më shumë detaje lidhur me këtë libër.

“Ky është libri i gjashtë. Unë për një periudhë të gjatë kam pasë shumë shkrime nëpër portale dhe gazeta dhe në Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut më thanë ‘hajde t’i mbledhim të gjitha dhe bëje një libër’. Kështu lindi ideja, i mblodhëm shkrimet dhe doli një libër”.

“Në këto shkrime ka kryesisht personalitete tona nga historia, që nga Skënderbeu e deri te luftëtarët e UÇK-së që ja sollën lirinë Kosovës. Po besoj që është një libër i mirë, sidomos për rininë tonë, për shkak që interneti e ka bërë të veten dhe shumë pak po lexohet”.

“Shumë njerëz po thonë se pse po bëni libra kur nuk po lexohen, por do ta lexojë dikush dhe është mirë që libri të jetë prezent”.

Ai ka folur edhe për kujtesën historike duke thënë se ajo duhet të freskohet kohë pas kohe.

“Kujtesa historike duhet të na mbajë. Neve po na përsëritet historia sepse shumë shpejt i harrojmë gjërat. Ne e harruam edhe luftën e fundit dhe eksodin kur sllavët deshën që më në fund të asgjësojnë popullin shqiptar”.

“Kujtesa duhet të freskohet çdo herë, jo vetëm kohë pas kohe. Arsyeja është shumë e thjeshtë – ne kemi përjetuar shumëçka gjatë historisë. Jemi ndoshta populli më i shkapërderdhur në botë për shkak të gjenocidit dhe presionit për t’u shpërngulur nga këtu, dhe falë qëndrueshmërisë së shumë gjeneratave ne sot jemi të lirë”.

Por, ai s’e ka lënë pa përmendur edhe çështje që lidhen me votën e diasporës – një çështje shumë aktuale në Kosovë.

“Unë jam marrë tash e 30 vjet me çështjen e kthimit të shqiptarëve. Nuk duhet të fillojmë me etiketime të diasporës sepse diaspora ndonëse nuk jetojnë me ne janë në gjakun tonë, janë njerëzit tanë që kanë dhënë shumëçka për Ksovën dhe lirinë e Kosovës. Në momentet më të vështira, ata kanë sakrifikuar kafshatën e gojës për ta ndihmuar Kosovën, për t’i mbajtur institucionet paralele, për ta ndihmuar UÇK-në dhe shumëçka tjetër”.

“Edhe sot, mbi një miliardë euro vijnë në Kosovë nga diaspora dhe ne tani dimë të flasim keq – nuk e meritojnë”.

Në librin “Përmbledhje Shkrimesh” janë përfshirë dorëshkrime të Jahja Llukës në një periudhë kohore prej dy vjetësh e gjysmë.

Autori i librit, në fund, ka dhënë një mesazh.

“Unë librin nuk e shes. Deri më tani, të gjitha i kam falur. Kur t’i shihni librat te shitësit ambulantë, ato janë për ta dhe jo për mua. Libri është për lexuesin”.

“Mesazhi im është që rinia jonë të lexojë më tepër sepse interneti nganjëherë nuk është bash i sigurtë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat