“Beautiful America” dhe jo BE-së - Bota Sot
“Beautiful America” dhe jo BE-së

Kultura

“Beautiful America” dhe jo BE-së

Nga: Prof. Dr. Agron F. Fico Më: 4 nëntor 2019 Në ora: 15:13
Prof. Dr. Agron F. Fico

Ilirët, arbërorët, shqiptarët, që kur u krijuan që në ngjizje të  rruzullit tokësor, këtu hodhën rrënjë e mbinë, nga jetë dhe mot, aty ku janë edhe sot.

Iliria, Arbëria, Shqiptëria, kanë ekzistuar që kur lindi Dielli dhe Hëna.

Shqiptarët e shekulit XXI, me arkeologjinë, me historinë, me kulturën dhe mbi të gjitha me gjuhën e tyre të lashtë dhe origjinale, kanë qenë dhe janë europianë. Të përkëdhelur nga Zoti dhe nga natyra, ata zotërojnë dy dete, detin Adriatik dhe detin Jon, kanë pasuri mbitokësore të pamasë, po ashtu edhe nëntokësore.

Le ta dëshmojmë këtë fakt madhor edhe nëpërmjet këtyre fjalëve të mençura të poetit të madh të Rilindjes Kombëetare, Naim Frashëri:

“Bota që kur është zënë,/ Shqipëria gjallë ka qenë./ Pellazg’ u thoshim më parë,/ Më së fundi shqipëtarë./ Gjuhë’ që flisnin Perënditë,/ Atë flisnin pellazgjitë./ Atë kanë shqipëtarët,/ Siç e kishin edhe të parët...”

Pozita gjeo-politike kaq e lakmueshme, pasuritë mbitokësore dhe nëntokësore të pamasa, klima e qëndrueshme me rreth 300 ditë diell në vit kanë kushtëzuar edhe zilinë e oreksin pushtues të disa perandorive; romake, bizantine, turke-osmane, si dhe të disa shteteve të tjera.

Ndërkohë që populli shqiptar, pas një mali luftërash me armë, shkronja, gjuhë, kulturë, kundër sundimit barbar turko-osman, ishte në prag të fitores së lirisë dhe pavarësisë, shtegun e daljes shqiptarëve ua kishin zënë Fuqitë e Mëdha Europiane.

Më 13 qershor - 13 korrik 1878 u mbajt Kongresi i Berlinit, me traktatin e nënshkruar ku pjesë të tëra të tokave shqiptare u jepeshin Malit të Zi. Kongresi i Berlinit me vendimet e veta nuk ndryshonte në thelb nga Traktati i Shën Stefanit në qëndrimet e Fuqive të Mëdha ndaj trojeve shqiptare.

Lidhja shqiptare e Prizrenit, e themeluar më 10 qershor 1878, si organiztatë politike dhe me progam të thellë kombëtar, zhvilloi një luftë të fuqishme politike, diplomatike, kulturore-arsimore dhe ushtarake për mbrojtjen e interesave të kombit shqiptar. Shqiptarët nuk u pajtuan me vendimet e Kongresit të Berlinit dhe organizuan një qëndresë të vazhdueshme ndaj turqve, ndaj fqinjëve dhe ndaj Fuqive Europiane. Kryengritjet e viteve 1910, 1911, 1912, tronditën themelet e pushtimit turk dhe sollën ditën historike të Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912 nga shtetari i madh Ismail Qemali.

Përsëri shtetet europiane i zunë shtegun Shqipërisë së pavarur dhe në konferencën me emrin famëkeq Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913) i dhanë kombit shqiptar goditjen më të madhe, më të hidhur..

Kundër vullnetit të popullit shqiptar kjo konferencë i mori 2/3 e trojeve të Shqipërisë etnike dhe ua dha Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Nga katër vilajete  (Kosovë, Shkodër, Janinë dhe Manastiri) gati  148  mijë km. katrore (Sipas Prof. Ahmet Gashit) dhe qindra e qindra  mijë shqiptarë, mbetën jashtë Shqipërisë. Ky ishte një genocid antishqiptar  i mirëfilltë i Europës së djeshme, por ende , që edhe  në ditët tona , nuk po shkëputet  dot  nga ajo e  e kaluar.

Më 26 prill 1915 u nënshkrua Traktati i fshehtë i Londrës, që synonte copëtimin e mëtejshëm të trojeve të mbetura të Shqipërisë nga Konferenca e Ambasadorëve (1913).

Kundërshtimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Udrou Uillson (Woodrow Wilson) i kompromisit të fshehtë anglo-franko-italian (janar 1920) zgjoi ndjenjat kombëtare te shqiptarët. Mesazhi i Uillsonit erdhi në çastin e përshtatshëm për atdhetarët shqiptarë, që organizuan Kongresin e Lushnjes dhe Luftën e Vlorës, me anë të të cilave u arrit të sigurohej dhe konsolidohej qenia jonë kombëtare.

Në Konferencën e Parë të Paqes në Paris (1919-1920) shqiptarët patën përkrahjen energjike të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Udrou Uillson, (1856-1924) i cili siç na thotë Fan Noli i kishte thënë se: “Një zë do të kem në Konferencën e Paqes dhe atë zë do të përdor për të mirën e Shqipërisë.”

Shqiptarët mirënjohjen e thellë dhe të përhershme për Presidentin Uillson e shprehën edhe me rastin kur ai u nda nga jeta. Shtetari dhe diplomati i shquar Rauf Fico propozoi në Asamblenë Kushtetuese të Shqipërisë që të nderohej kjo figurë e përmasave botërore. Raufi tha: “Zoti Kryetar, pa hy në bisedimet e rendit të ditës, dua të bëj një propozim. Me hidhërim murmë vesh se ish-Kryetari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Udoru Uillson vdiq. Duke marrë parasysh shërbimet e mëdha që i ka bërë Shqipërisë, propozoj të bëhen 5 minuta pushim si shenjë hidhërimi dhe t’i hiqet një telegram ngushëllimi familjes së të ndjerit”. (Rauf Fico, f. 62-63.)

Në një hark kohor gati një-shekullor, nga 28 Nëntori 1912 kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur e gjer 17 Shkurt 2008, kur Kosova fitoi pavarësinë, Amerika ka qenë dhe është bërë faktor kryesor për fatin e popullit shqiptar.

Presidenti Bill Klinton frymëzoi dhe udhëhoqi aleancën politike-ushtarake të NATO-s për shkatërrimin e pushtimit ushtarak serb të Kosovës dhe u bë  garanti i shpalljes së Kosovës shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik.

Shqipëria u pranua anëtare e NATO-s me përkahjen e Presidentit të Amerikës Xhorxh Bush (George W. Bush).

Kombi shqiptar, populli shqiptar, sot ka një status të denjë në gjirin e kombeve dhe popujve të rruzullit tokësor për të gjitha arritjet historike, por kryesisht për miqësinë dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në kujtesën e popullit shqiptar ruhen të gjalla, faktike, me gjurmë të pashlyeshme, armiqësitë e shteteve të caktuara kundër Shqipërisë. Po përmendim pushtimin ushtarak fashist të Italisë, në 1939, që u shoqërua me krime, me vrasje, djegie të fshatrave e qyteteve etj. Një tjetër është okupimi nazist gjerman, 1943 gjer në nëntor 1944.

Madje edhe në Konferencën e Potsdamit (1945), ku u vendos “ndarja e thelave të byrekut”, d.m.th. ndarja e zonave dhe pasurive të shteteve të mundura, Shqipëria mbeti e harruar. Ndodhi që në mëngjesin e ditës së dytë mbas ceremonisë së Konferencës së Potsdamit, Ministri i Jashtëm britanik, Bevini, takoi Kryeministrin e Britanisë së Madhe dhe e pyeti: “What about Albania?” Çurçilli (Churchill) duke gëlltitur uiski dhe thithur llullën me puro, ia ktheu: “Well, Albania belongs to Yugoslavia!”

Nuk duhet harruar që në Luftën e Dytë Botërore Shqipëria kishte qenë shtet aleat i koalicionit ShBA-Britani e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik, shtete që e kishin njohur botërisht, nëpërmjet deklaratave të ministrave të tyre të jashtëm.

“Jo”-ja e BE-së për hapjen e bisedimeve për pranimin e Shqipërisë ishte e padrejtë dhe e pamerituar. Franca, Holanda, apo cilido shtet qoftë, me votën e tyre kundër Shqipërisë treguan se këto shtete europiane nuk janë ndarë plotësisht nga politika e tyre tradicionale ndaj një vendi europian si Shqipëria.

Shqiptarët panë dhe dëgjuan qartë se, edhe këtë herë, ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nëpërmjet përfaqësuesve të vet më të lartë, që nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, zoti Palmer, e gjer te Sekretari i Departamentit të Shtetit, zoti Pompeo, shprehën zhgënjim ndaj aleatëve të tyre europianë për qëndrimin refuzues ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Merr një kuptim të ri dhe bashkëkohor mendimi i shprehur nga arkitekti i miqësisë Shqipëri-Amerikë, Fan Noli, se populli shqiptar, kombi shqiptar i është mirënjohës Amerikës, se:

“Të gjithë e dimë sa të mira kemi prej saj...”

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat