Të papriturat e dy mendësive

Kultura

Të papriturat e dy mendësive

Gani Mehmetaj Nga Gani Mehmetaj Më 6 nëntor 2019 Në ora: 09:23
Pamje nga filmi “Kthimi” i Kastriot Abdylit

“Kthimi “ i Kastriot Abdylit trajton një temë bashkëkohore, ballafaqon dy mendësi, ve para njëra tjetrës dy kultura jetese, zhvillon në rrafshin paralel dy mënyra të te menduarit, brenda një kontinenti, por që ndryshojnë ndjeshëm. Katundi, vendlindja e Ilirit është vend i varfër, i harruar nga shoqëria e nga zoti. Jeta e të rinjve është e njëtrajtshme e pa të ardhme, jeta e të vjetërve nuk ndryshon shumë nga shekujt e kaluar. Gjakimet janë të ndryshme. Të rinjtë duan të ikin nga katundi e mjerimi, të moçmit nuk e kapin hapin me kohën, duan ta konservojnë mënyrën e tyre te jetesës, madje edhe varfërinë e familjen tradicionale, ku morali e fjala e dhënë mbizotërojnë mbi arsyen e zhvillimet dinamike.

Bota e Sabinës, francezes simpatike që vjen me Ilirin në katund për ta kurorëzuar martesën dhe njëkohësisht për ta njohur familjen e të fejuarit, sikur përmbyset para sfidave që e presin. Edhe qasja e saj është ndryshe, por ndryshon fare pak nga qasja e një vajze qytetëse në Dardani a në Maqedoninë shqiptare.

Përmes francezes së re Sabinë, në interpretim të Delphine Depardieu, filmi shpalon botën etnografike, rurale, etnopsikologjike dhe mënyrën e të jetuarit. Varfëria është ajo që i veçon dhe i izolon nga bota, ndërsa koha që i ka shkelur, është faktori tjetër përjashtues i qytetërimit. Francezja sa fascinohet nga disa gjëra, aq skandalizohet me disa të tjera.

Image

Regjisori Kastriot Avdyli përmes dy të rinjve dhe situatave shpesh herë komike shpalon mjedisin rural shqiptar, mbase herë-herë të sforcuar, apo të tejkaluar si mendësi, mbase real, por sidoqoftë interesante. Drama ka dy rrafshe rrëfimi: rrafshi i parë janë marrëdhëniet e Ilirit (luan natyrshëm Hazir Haziri ) me babanë (në interpretim të mirë të Selman Lokajt), që janë të tendosura e plotë fërkime, dhe marrëdhëniet me të fejuarën Sabinë, që e luan natyrshëm Delphine Depardieu dhe ish të dashurën Bardha (në interpretim simpatik të Liridona Shehut) nga katundi që e braktisi para shumë vjetësh.

Regjisori ka ndjekur linjë dinamike të rrëfimit, mbanë pezull kërshërinë e shikuesve, pamjet panoramike dhe atmosfera e filmit është për lakmi. Por e sforcon karakterin e babait të Ilirit, një tip i paepur që nuk pranon risitë dhe as jetën ndryshe nga ajo që e kishte ai. Babai i Ilirit nën prizmin e Kastriot Abdylit del paksa jashtë kohe, teatral, jo në mënyrën e interpretimit, por në mënyrën se si e sheh regjisori, ndërsa një ekzemplarë të këtillë është vështirë ta gjesh sot, madje edhe në katund. Nënën e përvuajtur dhe të nënshtruar e luan me rrjedhshmëri aktrimi Safete Rogova.

Vlen të veçohet fotografia e mirë e Vlatko Samoilovskit që krijon atmosferë të këndshme, kostumet e gjetura të Izet Currit, skenografia e Zeni Ballazhit, montazhi i Kastriot Saqipit e Blagoje Nedelkovskit dhe muzika e Memli Kelmendit. Në rolet tjera Sefedin Nuredini, Xhevat Qoraj, Ismail Kasumi etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat