Silueta e vetmisë së gurit  

Kultura

Silueta e vetmisë së gurit  

Nga: Nexhat Halimi Më: 6 nëntor 2019 Në ora: 12:20
Nexhat Halimi

Ai me sëpatën e prehtë të madhe nën dorë, e cila shërbente për të latuar lëndë, e shikonte stacionin nga i afrohej dhe herë e ëndërronte robërinë e herë tjetër lirinë. Veç liria, megjithatë, qe larg, mendonte, ndërsa stacioni i xhandarmërisë i egër  i ngrehej lart e lart e lart, t`i humbte në sipërfaqen e pafund të hapësirës së qiellit, tretej në thellësi mjegullash të përhirta e përsëri shfaqej. Zbriste prapë e ndjekur nga krijesa të çuditshme përrallash të vjetra e përnjëherë humbte tërësisht e tërë pamja. Ecte, me sëpatën e  prehtë e të madhe në dorë, me të cilën ia kishte prerë kokën kolonit serb, të ardhur nga pidhi i së ëmës, të bënte çerdhe në tokën e vëllezërve Dedaj.

-Kjo gjë nuk bëhej lejuar dot!

 -A s`do të ketë dëgjuar ai për shqiptarët, të cilët luftojnë për tokën e tyre!? Dhe vdekjen e kanë të lidhur me të, njëjtë  siç e kalojnë urën  e arrijnë në stacionin tjetër të faqes së jetës së amshuar. Vdesin veç tokën nuk e japin...

Stacioni policor humbte në mjegull.

Ai afrohej të rrëfehej, vetëm sa të shfaqej prapë dhe ky të mund të ecte ngadalë, me hapa të vendosur, t`u thoshte çfarë kishte ndodhur.

Pse ata që vijnë nga bota tjetër vrasin, marrin tokën e huaj dhe prapë fajtorë mbesim ne. Kjo gjë e padëgjuar do të ketë ndodhur këtu mes nesh.

Iu afrua stacionit, të cilin e ruante në hyrje një xhandar.

Ky pa folur fjalë mësyu nga objekti, prej të cilit derdheshin të qeshura të shkapërderdhura, të çakorduara dhe fjalë të rënda, të ndyta, për mjedisin në të cilin shërbenin.

-Hej, ti, - reagoi xhandari te laura e hyrjes në oborr. – Ku ke mësyrë ti?

            -Ta lajmërojë një vrasje?

            -Kush e ka bërë atë vrasje?

            -Unë, - tha ai me sëpatën e prehtë e të madhe në dorë, në të cilën ndritën njollat e gjakut të mbetur aty. –Ndodhi papritur!

            -Prit njëherë, - tha ai. – I lajmëroj unë ata për ty! – e ktheu kokën nga ai gjatë, duke mos e bindur fare veten të ketë bërë ky leckaman diçka të tillë.

            -Veç pak prit, t`u tregoj për ty, t`ua shpjegoj.

-Ku mund ta shpjegosh ti atë që nuk e ke parë?

-Ata do ta zbusin shpinën ...

-Po a? – e lëvizi sëpatën ashpër nga dora e majtë në të djathtën. Sy ndezur.

            -Kë e ke vrarë?

-Një kolon... S`ndalej. Më hyri në yrt e donte të ma marrë dhe shtëpinë e gratë...

-Tash i tregoj kryesorit dhe ata vendosin çfarë të bëjnë me ty.

            Ai me sëpatë  të mbrehtë e   të madhe ndali të priste, ndërsa roja hyri brenda ta lajmërojë. Nuk vonoi e roja i armatosur doli nga zyra e komandantit. Eci mendueshëm deri te laura para hyrjes në xhandarmëri dhe ndali para njeriut me sëpatë të prehtë e të madhe në dorë.

            -Ja, do të dalin ata e do të vendosin çfarë të bëjnë me ty.

            -S`kam kohë unë të pres. Po, e vëren,ka zënë të më zërë gjaku!

            -Secilit të vrarë duhet t`i lihet diçka të mos ngrihesh para gjaku!

            --Mirë do të qe sikur ta kisha ditur këtë gjë.

            -Ndërsa je i bërë gati të vrasësh, duhet mësuar dhe udhët të cilat duhet ecur!

            Ndërkohë, nga zyra e xhandarmërisë doli një xhandar e i thirrit shqiptarit, që priste me sëpatën e pretë e të madhe në dorë. Derdheshin kaq të qeshura të çakorduara nga zyra.

            -Ej ti, eja brenda. Të kërkojnë!

            Ai eci, duke e mbajtur fuqishëm në dorë sëpatën e prehtë e të madhe,  të cilën e përdorshin në familje për të latuar drurë për ndërtimin e shtëpisë apo të ndonjë kasolle. Kjo sëpatë qe ndër më precizet për t`i latuar gjërat  që u duheshin .

            Eci brenda në zyre. Mes kaq xhandarësh, të cilët i urrente kudo t`i shihte. 

            -Ti je ai vrasësi i kalonit në fshatin tënd të vogël?

            -Po, në Penuhë. Dua ta lajmërojë vrasjen dhe  të dorëzohem!

            -Ndoshta ke gabuar.

            -S`është punë gabimi. Ai tashmë e ka kokën te bytha!

            -E ti për këtë gjë nuk pendohesh aspak, - ia plasën të  qeshurës së çmenduar. –Ti, or arnë i ndyrë, ta vrasësh një kolon. Ke dëgjuar ti.

 -Shqiptarët, do ta kuptoni, vdesin për tokën e vet dhe natyrisht vrasin për këtë tokë. Kujtojeni Brezhnicën, ç`ndodhi atje dhe sa vetë i kthyen në arkivole, ndërsa shkuan t`ia marrin shtëpinë e tokën e Hoxhës. Ia mbyllën anëtarët e familjes brenda shtëpisë dhe rreth i ndezën zjarr. Të digjen të gjithë bashkë me trajtë e shtëpisë. Veç nuk iu doli ashtu. E shkrepi Hoxha me të bijtë armën dhe i la të vdekur, t`iu kthehen nënave plaka, në të zeza, në Serbi të gjithë xhandarët, në arkivole. Gjithsecili që prek atë që s`i takon do ta pësojë në këtë mënyrë. Asnjë nga shqiptarët e njëmend nuk dorëzohet pa luftuar.

Pa e lënë aty frymën e fundit,ose pa i radhitur me radhë të vrarët...

-E vrave, apo jo, - foli njëri nga xhandarët. –E vrave një tonin!

            -Ja, pra, e vrava dhe unë një tuajin, për ta mbrojtur atë që më takon mua!

            -Na shpjego  ndodhinë...

            -S`kam çfarë të shpjegoj. E vrava një tuajin, i cili erdhi  të ma marrë shtëpinë dhe gratë e tokën. Kuptojeni, tokën dhe gratë i kemi të shenjta!

            Ata prapë morën të shkapërderdheshin ashpër në të qeshura.

            -Dil më parë, me atë sëpatë të madhe e na shkurto disa drurë. Të ngrohemi duke të dëgjuar nga rrëfen inserte të papara përrallash...

Ai eci me hapa të fortë, mori të dilte jashtë. Në të njëjtin çast, shpërthyen klithje, britma, zhurma grash në fustane dhe zëra grash në të zeza. Flisnin me zë. E akuzonin veten dhe këdo që do t`i ketë nisur të vinin në këtë tokë të shkretë, në këtë  vend të mallkuar. I bën grushtet të mbledhura me mllef dhe i ngrehnin lart. Kush do të ketë vendosur të na sjellë në këtë tokë pa zot!

            -Zoti e vraftë!

            -E vranë Milon!

            -Aty për aty ia prenë kokën nga kurmi!

            -Ose na mbroni ose na shkruani tash vdekjen!

Ai me sëpatë të përgjakur, të prehtë e të madhe në duar, qëndronte në mes të oborrit të xhandarmërisë. As shkonte te drurët nga i thanë, as ikte t`i afrohej laurës që e mbronte roja. Qëndronte njëjtë me mullarin, në të cilin vjen e paloset sana e tokës së djegur, e tokës që s`falej pa gjak.

            -Lidhjani prangat shqiptarit, - piskati me zë të lartë komandanti, ndërsa mori të kalonte përmes rrëmujës së njerëzve  të çartur, të ikte menjëherë me njësitin e vet te arat e Dedajve. Ikte i shoqëruar nga zëra të trembshëm, të çjerrë dhe nga klithjet e mallkimet, të cilat nuk shuheshin dot.

Njëri nga xhandarët e prangosi njeriun me sëpatë të mprehtë e të madhe.

            -Ma jep sëpatën, - i tha me urdhër. – E ec para. E paske bërë belanë. Do ta paguash dhe ti këtë gjë me kokë!

            -Tri jetë t`i kem, - psherëtiu i liruar tashmë nga sëpata, të cilën e mori xhandari. – Prapë njëjtë do të veproja. Ta mbroja timen me gjak. Të vdisja për tokën dhe për gruan! – Eci i shoqëruar nga xhandari, i cili e mbylli në çeli.

            -Ke vrarë vetë apo të ndihmuan arnat e ndyrë shqiptarë.

            -Vetë kam vrarë, ta mbrojë tokën dhe gratë. Vetë kam vrarë, pa ndihmën e askujt tjetër.

Xhandari që bënte roje te laura, para hyrjes në stacionin e xhandarmërisë, e dëgjonte nga fliste pa iu trembë syri dhe në vete pëshpëriste çfarë e shtyri të vinte nga guri i Malit të Zi në këtë tokë për të cilën do të vdes secili plis bardhë. Shikonte retë e rënda të lëshuara dendur mes brigjesh, në të cilin ende flinte fshati i bukur shqiptar dhe aty rrinte zemra e paepur, me vetëm dy fjalë, Besa-Besë. Natyrisht, ai  e ata të lidhur me besën nuk frikësohen pse vdesin për tokën e gruan e kalin, siç tha ai sypatremburi, tashmë i futur në çeli, bënte përpjekje roja i frikësuar të tirrte rrëfime të ndryshme për trimëritë e atyre me plisa të bardhë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat