Edhe shqiptarët e Çamërisë ishin “në anën e duhur të historisë” - Bota Sot
Edhe shqiptarët e Çamërisë ishin “në anën e duhur të historisë”

Kultura

Edhe shqiptarët e Çamërisë ishin “në anën e duhur të historisë”

Nga: Fahri Dahri Më: 8 nëntor 2019 Në ora: 09:08
Fahri Dahri

Në emisionin e drejtuar nga Prof. dr. Paskal Milo, dt. 03.11.2019, u fol për planin italo-gjerman lidhur me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

E ndoqa me interes dhe mendova se do trajtohej si një e pandarë edhe për situatën e njëjtë gjeopolitike të rajonit autokton të banuar historikisht nga banorët etnikë shqiptarë të Çamërisë. Në atë debat mes historianësh nuk u trajtua, megjithëse ishte e njëjta situatë historike. Mendoj se duhej trajtuar në atë debat historik i një niveli të lartë shkencor.

Duke marrë shkas nga ai debat dhe nga mos trajtimi i situatës gjeopolitike të të njëjtës natyrë, mendova të marr pjesë si debatues i jashtëm, duke u përqëndruar në situatën gjeopolitike të asaj periudhe në rajonin e Çamërisë. 

Për pamundësinë e pjesmarrjes në atë debat, për disa arësye të kuptueshme, preferova variantin e këtij shkrimi, bazuar në të dhënat e botuara:“Përgjegjshmëria historike dhe dështimi i nacionalistëve çamë”, pjesë e shkëputur nga libri “Të vërtetat që duhen njohur për Çamërinë”, botim i vitit 2014 (autor F. Dahri).

Të gjithë jemi në dijeni se L2B pati rezultate tepër të rënda negative, kryesisht në shtetet Europës, në të gjitha drejtimet jetësore.

Anashkalojmë trajtimin e tërësive fatkeqe që rodhën në kontinentin tonë dhe ndalemi tek situata e përgjithshme e banorëve të rajonit të Çamërisë, si pjesë e pandarë e strategjisë joshëse të pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar në tërësi (të shqiptarëve të shtetit Shqiptar, të shqiptarëve të Kosovës në shtetin Jugosllav dhe të shqiptarëve të Çamërisë në shtetin Grek).

Pushtuesi italo-gjerman, nisur nga vendimmarrjet e gabuara të vitit 1913 të konferencës së Londrës, ku tërësinë territoriale të Shqipërisë natyrore e ndau në 5 shtete, si dhe trajtimin  me egërsi raciste dhe etno-fetare të shiptarëve enikë, por në vartësi të shteteve të tjera, projektoi taktikën e joshjes së kësaj pjese popullate me parrullën se: Mbas mbarimit të luftës, do të ribashkonte të gjitha territoret  shqiptare në një të vetme, duke korigjuar vendimet fatkeqe të Londrës dhe vendosur drejtësinë. Këtë taktikë ndoqi si për Kosovën dhe Çamërinë.

Duke qenë se në emisionin e lartpërmendur debati u përqendrua vetëm për rajonin e Kosovës, pavarësisht nga disa mendime të kundërta, në gjykimin, tim debati ja arriti qëllimit, të vërtetat mposhtën të pavërtetat, do të ishte mirë që ai debat historik të bëhej i plotë, ku të përfshihej edhe situata ku ndodhej popullsia shqiptare e Çamërisë, jo vetëm si popullsi etnike e Shqipërisë, ashtu si dhe Kosova, por dhe si shtrirje tërësore gjeografike e Shqipërisë natyrore dhe e pandarë nga joshja taktike e pushtuesit italo-gjerman qoftë në shtetin Jugosllav dhe atë Grek. Kjo nuk ndodhi, nuk u debatua. Padiskutim duhej të ishte përfshirë në debat, sepse pavarësisht trysnive, dëshirave pozitive apo negative, ajo ka qenë, është dhe mbetet detyrë e historisë, si e tillë veprimi apo mendimi për shmang’je e cënon historinë si tekst, por cënon dhe “vret” historinë e një kombi.

Le të shtrojmë shkurtazi edhe për rajonin e Çamërisë, disa nga çështjet që u trajtuan për rajonin e Kosovës, në ndihmë të protagonistëve të emisionit të zhvilluar ditën e hënë, me datë 03 nëntor 2019 në RTSH. Nëse nuk është e mundur për tu debatuar nga ai ekip historianësh, mendoj se do kishte vlera dhe rëndësi historike të debatohet duke dhënë mendime qoftë dhe me shkrim në mediat e shkruara apo vizive, sigurisht historianë seriozë, studiues, apo dhe dëshmitarë të asaj periudhe, etj.

1) Popullsia e rajonit të Çamërisë (Thesprotisë) a ishte “Në anën e duhur të historisë”?.  Në përcaktimin e kësaj çështjeje, për t’ju ardhur në ndihnë, sjell në kujtesë:

● Në atë periudhë popullsia e Çamërisë (banorë të besimit mysliman) ishte 28-29,000 banorë. Nga këta 70-100 veta u bashkuan me pushtuesit, ndërsa 700-1,000 veta u rrjeshtuan me EAM-in, me partizanët grekë kundër pushtuesit, ndërsa 96% e popullsisë çame, nuk mori pjesë në asnjë forcë politike greke apo pushtuese.

● Sjell në vemendje edhe faktin se brenda “Aleatëve”, Anglia dhe Amerika anonin dhe përkrahnin për fitore të djathtën greke (ku bënin pjesë rreth 70 burra çamë), në rastin  në fjalë EDES-in; ndërsa e majta greke ELLAS-i (ku benin pjesë  rreth 1,000 djem e vajza çame) megjithëse ishte në anën e Rusisë, ishte e pa shpresë për fitore.

2) Dihet në Çamëri nuk kishte parti të mirëfillta politike, situata luftarake në mënyrë rastësore krijoi grupe të organizuara në përballje me gjendjen e krijuar. Kështu lindën apo u shfaqën kolaboracionistë, nacionalistë dhe Këshilla nacionale për çlirimin e vendit nga okupatori. Këto krijesa, produkt i luftës, nuk ishin rezultat i zgjedhjeve nga popullsia çame, ato ishin grupime të cilat propagandonin në emër të popullit, por jo të zgjedhura prej tij.

3) Në kushtet kur pushtuesi italian, në 28 tetor të vitit 1940, hyri në territorin e shtetit Grek (në rajonin e Çamërisë), shteti Grek, pa asnjë gjyq, apo shkak, internoi  6,000 burra dhe djem çamë, nga 16 vjeç deri në 70 vjeç, në ishujt detit Egje (u internuan të gjithë meshkujt e aftë për luftë). E vërteta e internimit të tyre ishte se shteti Grek nga viti 1913, kur rajoni bashkë me popullsinë e Çamërisë i kaloi Greqisë, ndaj asaj popullsie ishte sjellë në mënyrën më të keqe të mundshme, si me shpronësimet, me trajtimin “popullsi të padëshiruar”, “popullsi të këmbyeshme”, i quante pa identitet, ose turq; tradhëtarë të kombit nga që ndërroi besimin fetar etj. 

Shteti Grek e dinte se si ishte sjellë në trajtimin e popullsisë, prandaj ajo e paragjykojë atë popullsi dhe nga frika mori masa ekstreme duke përdorur internimin, me synim që duke qenë në situatë lufte mendoi se do përfitonte për të realizuar asgjësimin fizik të tyre. Dhe realisht asgjësimi fizik i burrave në internim kishte filluar, fakt sjellim se brenda pak javësh nga internimi 500 prej tyre u vranë dhe vdiqën nga torturat greke.

4) Në vazhdim të shtjellimit të debatit historik të mësipërm, sipas informacioneve dhe arësyetimit me paanësi të veprimeve të “nacionalistëve çamë”, rezultojnë vlerësime dhe opinione të ndryshme. Këto të “ndryshme” janë të spjegueshme mbasi lidhen me kendvështrimet e palëve pjesmarrëse në veprime, vlerësime dhe në opinione. Në këtë drejtim “nacionalistët çamë” janë vlerësuar, apo gjykuar si:

- Ata me veprimet dhe ndërmarrjet që kryen, ndihmuan në qasjen e strategjisë së kahershme të shtetit grek, në marrjen e masave, deri në kryerjen e gjenocidit ndaj banorëve myslimanë të Çamërisë. Në këtë kendvështrim historia i gjykon si armiq për popullsinë çame.

- Ata, në kushtet e rënduara ekonomike, politike, sociale, etnike, rrjedhojë e masave tejet të shtrënguara, të ashpra që shteti grek u kishte krijuar për afro 32 vjet, u munduan të bënin përpjekje për t’ju ardhur në ndihmë banorëve çamë, për ti shpëtuar nga diskriminimi i tërësishëm etno-fetar, t’u siguronin lirinë dhe barazinë si nënështetas të të njëjtit shtet. Nga ky kendvështrim historia i gjykon si heronj.

Në pozicionin e debatuesit të jashtëm të emisionit, mendoj se me një vështrim real të ngjarjeve komplekse të kohës, “Nacionalistët Çamë”, përfshirë këtu edhe drejtuesit çamë të grupimit në përkrahje të ELLAS-EAM-it, nuk duhen trajtuar as si heronj  dhe as si tradhëtarë. Në gjykimin tim ata dështuan në veprimtaritë e tyre dhe si të tillë le të mbeten “dështakë”.

Të cilësuar “dështakë”, kam parasysh disa ndërmarrje të kryera prej tyre. Ata mbështetën një synim pa siguruar mjetet përkatëse, metodat dhe rrugët që duhej të ndiqnin për ti realizuar. Rrjedhojë e mungesës së përvojës, të paaftësisë për ti bërë ballë ngarkesës që i vendosën vetvetes, ata dështuan sepse nuk arritën të siguronin  as mbështetjen e banorëve myslimanë të Çamërisë, as mbështetjen e shtetit grek dhe as mbështjejen e strukturave të kohës të shtetit shqiptar (forcat politike dhe ushtarake shqiptare të kohës).

Ata nuk siguruan as përkrahje nga ndonjë shtet tjetër. Miopia ndaj realitetit gjeopolitik dhe ushtarak, ndaj koalicioneve ndërluftuese dhe konceptit të luftërave të drejta dhe jo të drejta, jo vetëm ndikoi në dështimin e tyre, por me veprimet e tyre u shpejtua tragjedia ndaj çamëve, tragjedi e cila ishte e vendosur që para mbi 100 viteve nga shteti dhe kisha greke. Shteti dhe kisha greke e kishin vulosur qendrimin ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë: “Çamët e krahinës së Çamërisë, sidomos ata të besimit mysliman, ose do të asimiloheshin, ose do të largoheshin nga Greqia (Çamëria)”.

5) Nuk duhet lënë pa u theksuar fakti se pavarësisht nga anësia e “Aleatëve”, fati i shqiptarëve në Kosovë, e cila ishte brenda shtetit Jugosllav dhe kaloi në anën e fitores së të majtës, ndryshe nga banorët e Çamërisë, ku u përkrah dhe fitoi e djathta, ishte i njëjtë. Të dy këta banorë etnikë shqiptarë u përfshinë në raprezalje të njëllojta, vrasje, burgime, shpërngulje dhe trajtime tepër të diferencuara racisto etno-fetare.

Të ndodhur në të njëjtat situata, gjykimi dhe analiza na rezultojnë se karshi këtyre dy pakicave (njëra në shtetin Jugosllav dhe tjetra në shtetin Grek) nuk mund të mashtrohemi me akuzat e dy shteteve ndaj tyre, por del qartë e vërteta e pa dyshimtë se shteti Jugosllav dhe shteti Grek parësojnë besimin fetar në trajtimin e popujve, gjë e cila shpreh bindshëm racizmin e tyre etno-fetar kundër shqiptarizmës. Qendrim i cili, për fat të keq, na shpie në trajtim të diferencuar sipas besimeve fetare të popujve të kontinentit Europian, në të krishterë dhe islamikë. Është koha e sheshimit të këtyre diferencimeve bizantino-osmane. 

● Nga njohja e historisë së hershme dhe të sotme të Rajonit Thesproti/Çamëri dhe të banorëve të saj, të djeshëm dhe të sotëm, dhe në njohjen e të vërtetave të këtyre sjelljeve që disa u parashtruan më sipër, jo sot por gjithë jetën time kam mbështetur dhe mbështes, pa as hezitimin më të vogël, të vërtetën absolute se:

“Banorët autoktonë, shqiptarët myslimanë të rajonit të Thesproti/Çamëri gjatë L2B kanë qenë në “Anën e duhur të historisë”. Fatkeqësia e tyre ishte se 2/3 e koalicionit “Aleat” mbajti krahun e të djathtës nazi-fashiste greke, ndërsa 1/3 e atij koalicioni u tërhoq duke sakrifikuar të majtën greke, përfshirë edhe banorët  autoktonë çamë të etnisë shqptare”.

(¹). Debatet historike, përkatësisht të kohës së L2B, mendoj se duhen të përfshijnë të gjitha ngjarjet e ndodhura jo vetëm brenda terrirotit të shtetit Shqiptar, por edhe ato të ndodhura në shtetet fqinje ku gjallon etinia shqiptare. Ndryshe, padrejtësisht historia mbetet gjysmake, e verbër. Mbetem me shpresë të trajtimit në debatin historik edhe të rajonit të Çamërisë.

 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat