Në Ulqin u inaugurua gurëthemeli i kishës katolike shqiptare, dedikuar 38 të martirizuarve

Kultura

Në Ulqin u inaugurua gurëthemeli i kishës katolike shqiptare, dedikuar 38 të martirizuarve

Nga: Rexhep Elezaj Më: 9 nëntor 2019 Në ora: 21:19
Mr. asc. Nikollë Shabani

Z. Shabani, Ju si një rrëfyes - analist i rregullt në gazetën tonë, në mes tjerash i interesuar për shqiptarët në Pellgun Verior të Shkodrës, çfarë mund të na veçoni për këtë inaugurim si dhe shkaku çfarë e lidhë Ulqinin me këta martirë të mbarë shqiptarisë nga periudha e komunizmit?

N. Shabani: Po, mbasi që në Katedralen e Shkodrës më 10.11.2002 filloi procesi kanonik dioçezan për beatifikimin e 38 martirëve shqiptarë, ka përfunduar po aty në festën e Zojës së Papërlyer, më 08.12. 2010. Një material me tetë mijë faqe është dërguar Kongregatës së Selisë së Shenjtë për çështjet e shenjtërve në përpunim, kështu që me 26. 04. 2016 papa Françesku ka firmosur dekretin për beatifikimin e Mons. Vinçenc Prenushit dhe të 37 shokëve, martirë të fesë katolike, ku në mesin e tyre është edhe Atë Serafin Koda, meshtar françeskan nga Janjeva e Kosovës.

Siç duket meshtarët aktual në Ulqin, Don Gabriel Grabanica, Don Simon Filipaj, Don Viktor Dedaj dhe kryesuesi i Dekanatit të Ulqinit, Don Palush Gjinaj, të kryesuar nga Arqipeshkvi i Tivarit, Monsinjor/Imzot Rrok Gjonlleshaj, të frymëzuar nga ky akt i lartpërmendur gjatë kohës së tyre të shkollimit për meshtarë, sot po reflekton me këtë përzgjedhje që kjo kishë t’iu dedikohet këtyre shenjtorëve shqiptar. Do i kisha veçuar tri veti të cilat, për mendimin tim, e lidhin Ulqinin me këta martirë. Ulqini me ramjen nën okupimin Otoman me 1571, pësoj një martirizim të 38 murgeshave, të cilat në këtë luftë për mbrojtjen e Ulqinit ishin të angazhuara për të mjekuar luftëtarët e plagosur, po edhe për të ndihmuar luftën për mbrojtjen e Ulqinit, dhe në momentin kur nuk mbeti asnjë luftëtarë në jetë dhe Ulqini po binte nën zgjedhën otomane, murgeshat kërcyen nga bedemet e citadellës dhe u martirizuan për mos t’u ç’neruar nga ushtarët barbarë. Kjo dëshmi ruhet ende sot në popullin e Ulqinit dhe për çdo vit kujtohen me ndezje të qirinjve, që me një procesion nga kisha e re deri në bedemet e Citadellës të Ulqinit të kujtohen në të ardhmen vuajtjet e shqiptarëve në këtë trevë autoktone arbërore.

E dyta, në këtë vend u masakruan dhe u vranë shumë patriote vendas nga komunistët, por nuk u kujtuan në asnjë rast, andaj ia vlen që edhe këta të përfshihen brenda lutjeve të cilat do dalin nga kjo kishë e martirëve, siç janë të ekzekutuarit, Don Nikollë Tusha, meshtar i Ulqinit, u pushkatua në Cetinë, apo masakra/ pushkatimi i Hoxhë Llunjit me patriotë ulqinakë në Marjan/Braticë, pushkatimi i Pader Zef Tagajt nga Shestani dhe shumë e shumë të tjerë. At Prenushi e përjetoi me shqetësim sulmin e Malit te Zi ndaj shqiptarëve, kur Mali i Zi okupoi Shkodrën, përkohësisht me 1913, dhe ato ishin ditët kur At Prenushi u kthye nga studimet e meshtarisë që i kreu në Tirol të Austrisë.

Dhe e treta, Kryqi i Mons. At.Vinçenc Prenushit (emri i pagëzimit Nikollë-Kolë, nga prindërit Gjon dhe Drane Prenushi), mbasi u hap varri ku u pushkatua me 19 mars të vitit 1949 eshtrat e tij i çuan në Tiranë derisa Kryqi i tij është në Ulqin.

Image
Foto e Kryqit të Monsinjor At Vinçenc Prenushit (Kryqi i parë) dhe i Monsinjor Rrok Mirditës (Kryqi i dytë) i publikuar përherë të parë për lexuesit.

Më këtë rast unë po iu paraqes një foto të këtij kryqi të cilën e mbajti rreth qafe At Prenushi edhe në ditën e pushkatimit. Në foto vëreni dy kryqa, i pari është i Monsinjor At Prenushit dhe i dyti është i Monsinjor Don Rrok Mirditës, i cili e trashëgoi postin e prijësit të kishës katolike shqiptare mbas Martirit/shenjtorit At Prenushit me ardhjen e demokracisë.(Monsinjor Don Rrok Mirdita i lindur në Kllezen, Famulli e Ulqinit, gjeneratë e priftërinjve vendas të cilët e mbajtën fenë katolike në jetë në Ulqin: Don Simon Filipaj, përkthyesi i Biblës në shqip, Don Fran Markiqi dhe Don Tomë Koçoviqi, të kryesuar atë kohë me dinjitet nga Biskupi Pjetër Perkoliqi, i cili u burgos 3 vite me radhë nga komunistët për të ndërprerë traditën e tubimit të shqiptarëve në Logun e rrafshnaltës në Çokuliere për ditën e Shën Rrokut në Shestan).

Z. Shabani, që kur Ulqini ra nën okupimin e Malit te Zi me 1878 nuk u ndërtua më asnjë kishë shqiptare katolike në këtë qytet, çfarë mund të na thoni për këtë padrejtësi ndaj shqiptareve të kësaj treve autoktone?

N. Shabani: Diku para 150 vitesh nën okupimin Otoman u muar leja në Shkodër për ndërtimin e kishës së fundit në Ulqin, dhe u bë ndërtimi i saj në periferi të qytetit, i quajtur ”Bishti i Malit”. Kjo ishte kisha e parë e lejuar për t’u ndërtuar në Ulqin, që nga rënia e Ulqinit nën okupimin Osman me 1571. Tjerat u rrënuan apo u shndërruan në xhami. Ulqini është qendër Biskupale katolike shqiptare, dhe sipas dëshmive të shkruara që nga viti 877. Një qendër Biskupale kur një herë titullohet, i mbetet përherë titulli Biskupal, edhe nëse kjo nuk vepron në vend ajo është e përfaqësuar përherë në selinë e shenjtë në Vatikan. Dhe, biskupi i Ulqinit quhet, Biskup titullar “Titular Bistum Ulcinium“, siç ishin Biskupi titullar në vitin 1968-1970, gjermani Simon Konrad nga Passa, 1975-1979, Jose Gonüalves da Costa nga Niteroi-Brasili, 1979-1983, William Henry Keeler nga Harrisburg-SHBA, 1984-1985, Fernando Antonio Figueiredo nga T. Otoni-Brasil, 1984-2015, Jozef Pazdur nga Breslau-Poloni, derisa kush është sot, le t’iu tregojnë meshtarët e Ulqinit, çfarë besoj se edhe do e ftojnë të marrë pjesë në celebrimin e hapjes së kësaj kishe.

Një qytet në Gjermani afër Stuttgartit/ “Schwäbisch Gmünd“ qe dy vite ka dëshiruar të bëjë partneritet me Ulqinin, mbasi që ata vite me radhë kërkojnë në seli të shenjtë të bëhen qytet ipeshkvnor dhe nuk iu mundësohet. Shpresojnë se me një binjakëzim me Ulqinin mund ta arrijnë indirekt këtë titull Biskupal, si hap të parë të binjakëzimit me Ulqinin në vitin 2017, meqë rast organizuan festimin e ditës së rishtetësimit të Malit të Zi, ku ishin prezent edhe kryetari i Ulqinit, atë kohë z. Nazuf Cungu dhe kryetari i komunës së Ulqinit, sot z. Loro Nrekiqi, por nga ky binjakëzim nuk u arrit asnjë rezultat, sepse siç duket kur dikush kërkon diçka nga ne, ne nuk dimë t’ia japim.

Te kthehemi tek pyetja e juaj, e vetmja kishë që u ndërtua në komunë të Ulqinit është ajo e Shën Markut në Shtoj, e lejuar për ndërtim gjatë kohës së kryetarit të Ulqinit, Prof. Mehmet Bardhit. Por sikur thatë edhe ju, asnjë kishë nuk u ndërtua në qytet brenda, edhe pse në Ulqin kemi shumë themele kishash mbi të cilat ka mbirë bari, janë ndërtuar godina apo është bërë parking. Në rrënz të qytetit të vjetër, aty ku është pranë tyrbes ndërtesa e naftës kemi themelet e kishës Benediktine, sot aty kemi klubet e natës. Mandej kemi po ashtu themelet e kishës katolike tek ish stacioni i autobusëve dhe sot ai vend është parking i veturave në pronësi të Bashkësisë Islame të Ulqinit. Kemi po ashtu tek kino-salla në qendër të qytetit themelet e kishës të bekuar nga i dërguari i Vatikanit në fund të shekullit 19-të, dhe këtë e dëshmon meshtari Don Mark Markolloviqi.

Z. Shabani, a kishte qenë më mirë kjo kishë e martirëve të behet në themelet e këtyre kishave, ngase t’i lëshojmë të vjetrat dhe të ndërtohen të rejat, sikur nuk shkon, andaj çfarë mendon popullata për këtë?

N. Shabani: Po, tek ne po ndërtohen shpesh godina të reja në Ulqin, nën kryesimin e Gëzim Hajdinagës u ndërtua xhamia e Ranës, nën kryesimin e Nazif Cungut u ndërtua xhamia e re në Pinjesh dhe medreseja për femra në tokën e fushës së Ulqinit në Mandarina, dhe sot po aty pranë në kryesim të ing. Loro Nrekiqit u inaugurua kisha në fjalë. Gjatë tërë kësaj periudhe kisha ortodokse po vazhdon të uzurpon kultet e vjetra të shqiptareve dhe askush nuk po ndërmerr asnjë hapë për t’i ndihmuar prijësit fetarë të rindërtojnë në themelet e vjetra të besimtareve të tyre.

Popullata në Ulqin është tejet e pakënaqur me ndërtimin e godinave të larta në qytet, aty nuk merret vesh më asgjë, në tokë buke e cila ka ushqyer tërë familjet e Ulqinit ndërtohet pa mëshirë. Besimtarët e Ulqinit dëshiruan një kishë jo të fshehur nëpër rrugica apo nëpër godina të paskrupullta, dëshirojnë që kisha mos të jetë e ndonjë stili me të cilin nuk identifikohen me besimin që kanë. Nuk iu pëlqen me barin që duan me ia mbjellë sipër çatisë, thonë; “Bari me shekuj po na mbulon kishat”, ndaj ata dëshirojnë që në famullinë e tyre të kenë një kishë me pamje fisnike, ashtu siç e patën pamjen martirët e saj. Shpresojnë se do pyeten për pëlqimin e projektit final të kishës.

Image
“Dhanë jetën për Fe dhe për Atdhe”

Por, popullata është e shqetësuar se është tejet e ngarkuar me emigrimin e rinisë dhe i tingëllojnë fjalët e Rilindasve në vesh: “Të lajmë kisha e xhamia, se feja e shqiptarit është Shqiptaria”. Popullata donë të jetojë e pa asimiluar dhe e pa shpërngulur si dhe e pa uzurpuar nga popullimi i etnive tjera, dhe për ta lehtësuar popullatën nga ky shqetësim mund t’i kontribuojnë më tepër prijësit fetarë shqiptarë në vend nga të gjitha besimet.

Për fund, po iu citoj një thënie të At Prenushit, një lutje të cilën ia bëri Zotit për popullin shqiptar në momentin kur e çuan për pushkatim. Këtë e bëri në shqip, por edhe në gjermanisht: “Më tepër dritë për popullin tim”, “Mehr Licht für mein Volk”..!

Lavdi, paq dhe dritë të pafundme martirëve mbarë!

Z. Shabani, ju falënderoj shumë për bisedën tonë mjaft përmbajtësore!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat