Kur gratë e marrin situatën në dorë

Kultura

Kur gratë e marrin situatën në dorë

Nga: Gani Mehmetaj Më: 21 nëntor 2019 Në ora: 20:21
Gani Mehmetaj

"Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”, film artistik i metrazhit të gjatë me skenar dhe regji të Kushtrim Bekteshit, bashkëprodhim i Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë.

"Pranverë e paharruar në fshatin e harruar" i Kushtrim Bekteshit, është ndër komeditë që të provokon, ka qasjen e burleskes shpërthyese, humor të lehtë e emocione të forta. Ngjarja e filmit zhvillohet në një katund të humbur të provincës ku nuk ndodh asgjë, ndërsa i vetmi argëtim për burrat është pirja e çajit të rusit dhe shkuarja në xhami. Vizita e politikanëve nga qyteti bëhet për vota e jo për hallet e tyre. Fshati është një shoqëri mashkullore, me shpirt të zbrazët e emocione të flashkëta. Apatinë e tyre dhe të grave të shushatura e thyejnë dy vëllezër ndërmarrës që sjellin bullgare për argëtim. Gratë e qejfit e çrregullojnë nga themelet jetën e njëtrajtshme, e tronditin jetën dyfytyrëshe të burrave, e shkundullojnë moralin sa për sy e faqe.

Në katundin e harruar asgjë nuk funksionon si duhet: niveli i arsimit ka rënë, besimi në zotin është i luhatshëm, prindërit ndryshe veprojnë dhe ndryshe u flasin fëmijëve.

Regjisori i shtjellon me kujdes ngjarjet e sforcon ndonjë skenë për efekt vizual, ka qasje fshikulluese ndaj politikës e arsimit, është fshikullues edhe ndaj njerëzve që para dite shkojnë në xhami e në mbrëmje pinë raki. Ka qëndrim dashamirës ndaj grave që në këto situata të shoqërisë mashkullore janë viktima. Ato përpiqen të kapin fillin e jetës së tyre, të organizohen e të kundërveprojnë. Filmi jep portretet e disa grave që janë strumbullari i rrëfimit, fitili i shpërthimit të pakënaqësisë që përfundon me djegien e shtëpisë publike dhe me dëbimin e së keqes nga fshati. Është një tip rebelimi i grave që e sfidon mendësinë tonë.

Por hoxha është i sforcuar. Filmi nuk e ka guximin e filmave italianë apo kroatë që dinë të tallën me priftin e fshatit. Sikur ta kishte tw njwjtwn qasje do tw dilet mw simpatik. Pritej të zhvillohej batuta e ndihmësit kur thotë: hoxha e ka vendin me xhematin tw bullgaret...

Interpretimi i aktorëve edhe pse i paraqitjes e karaktereve të ndryshme është atraktiv: Shkumbin Istrefi, interpelon bosin që e dinamizon filmin, Osman Ahmeti e plotëson karakterin e tij, ndërsa Ndriçim Xhepa është një figurë disi ndryshe nga të tjerët, megjithëse nuk ka ndonjë karakter që i jep mundësi shpallimi. Luan Jaha është një figurë simpatike që rrezaton. Vjollca Bekteshi Hamiti, Adriana Matoshi, Diana Spasova, Ilire Vinca,kanë rolet simpatike që të mbetën në kujtesë.

Përzierja e dialekteve, folmeve lokale dhe zhargonit, varësisht nga janë aktorët, ndonjëherë të huton, sepse është fjala për personazhet e një katundi e jo të krahinave të ndryshme shqiptare.

Interpretuan edhe Salaetin Bilall, Muzbajdin Qamili, Hismet Ramadani, Musa Isufi, Ervin Bejleri, Romir Zalla, Adrian Aziri, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Donikë Ahmeti, Taulanta Jupi, Mona Mustafa, Sokol Hajrullai, Vebi Qerimi, Adem Karaga, Muzafer Etemi, Besmir Bitraku, Gentë Ratkoceri, Lili Çavdarova Suçeva, Amernis Nokshiqi Jovanovska, Emine Kadriu, Flora Kadriu, Blerim Dardhishta, Muhamed Arifi, Mendim Murtezi, Teuta Ajdini Jegeni, Drita Kaba Karaga, Elhame Bilalli, Hajrullah Ramizi, Zijadin Murtezi, Vaske Niço etj.

Drejtori i fotografisë është Almir Gjikolli, që ka krijuar pamje panoramike të fshatit e atmosferë të mirë në kafene e dhoma katundi, muzika origjinale e Trimor Dhomit është e gjetur mirë, montazhi i Radovan Petroviçit ka lidhshmëri, skenografia e Durim Nezirit i përshtatet katundit, kostumet e Zhaklina Kërstevskes janë në funksion të filmit, ndërsa dizajner i zërit Darko Spasovski ta jep tonalitetitn e tingëllimave e dialogut.

Filmi është bashkëprodhim në mes Manufaktura Production (Maqedoni) me producent Sasho Pavslovski, Media&Film Production (Kosovë) me producent Mumin Jashari, Ska-Ndal Production (Shqipëri) me producent Genc Permeti dhe Skupifestival (Maqedoni) me producent Muzbajdin Qamili dhe Osman Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat