Ritakimi

Kultura

Ritakimi

Nga: Dibran Demaku Më: 25 nëntor 2019 Në ora: 21:09
Dibran Demaku

 

Në cilën çelizë shpirti mori nismë tatpjeta
e një ndjenje të ngulitur në shpirt e në zemër
apo ishte e thënë apo e shkruar nga vetë jeta
që një ditë ti të ikësh me një brengë në zemër

në cilën pjesë të trurit u vizatua urrejtja
për yllin e ylbertë të një ëndrre të ndritur
apo largësia dhe pamundësia ushqyer nga brejtja
morën rrugë të pakthimit në drejtim të pa ditur

në cilin yll polar do të ndodhë ritakimi
në botën e këtejme apo të përtej varrit
apo gjithçka ishte vetëm një çast mashtrimi
në ëndrrën e shpifur apo buzëqeshjen e të marrit...

Sa herë jam nisur

sa herë jam nisur për tek ti
          këputur më ka kthimi
nëpër venët e gjakut
          helmuar nga harrimi
sërish nëpër gjurmët e shpirtit
          kërkuar kam një adresë
vetëm që në rrugicat e fatit
          të mos ketë harresë
as ëndërr e kripur as e ëmbël
           më nuk sjell shpëtim
edhe nëse ëndërr e mëngjesit
           është e mbështjellur në gëzim...

Syrit tënd do të rrjedhë loti

kur të zbres luginës së brigjeve të thata
dhe do të zbres dikur se ndryshe nuk bën
nuk di nëse do jetë më e gjatë dita apo nata
lot i valë do të rrjedhë pandalë syrit tënd...

Të prita

të prita se do vije
shtigjeve të malit
me buzën e qeshur në shuarje të mallit

të prita se do të vije
shtigjeve të ujit
me varkën e Noes në fillim të muajit

të prita se do të vije
shtigjeve të qiellit
me ngjyra të ylberit nën rrezet e diellit...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat