Pranverë e përgjakur

Kultura

Pranverë e përgjakur

Nga: Zymer Mehani Më: 1 dhjetor 2019 Në ora: 08:43
Zymer Mehani

1.Ato fusha t’ blerta

N’kujtesë më kanë mbetë

Në atë sy pranvere

T’bjerra e t' lënë shkret

 

I braktisëm fshatrat

Braktisëm qytet

Nga truall iliriku

Na dëboi armiku

2.

Treni i gjatë çante

Qanin zemrat tona

Trishtueshëm fishkëllonte

Linim vatrat tona

 

Agime t’përlotura

E muzgje të përbaltura

Fshatra pranverake

Shtëpi të përflakura

 

Armiqtë e pamëshirshëm

Na dëbonin e përndiqnin

Me duar të përgjakura

Na prenin e na vritnin

3.

Përndiqeshim e vriteshim

Se ishim shqiptarë

Fushat me lulëkuqe

I linim duke qarë

 

Të shtëpive tymëra

Në kraharor më shponin

Lulet e këputura

Në zemër më lëndonin

4.

Por, atdhe i dashur

Me zemër të plasur

Kam parë zi e tmerr

Në dritë e n’skëterrë

N’atë pranverë të mjerë

 

Buzë pleqsh për ujë t’etur

Sy fëmijësh të tretur

Me lodrat n’shtëpi mbetur

Me buzëqeshje t’helmuar

E mendje t’shkallmuar

Me qafë të këputur

E kokë të përulur

5.

Bijtë e Shqipes trime-

Ushtarët çlirimtarë

U betuan me besa-besë

Për vdekje a për jetë

Për luftën e drejtë

Nën Flamurin kuqezi

Për mua dhe për ty

 

Në truallin tënd të përgjakur

Të djegur e t’përflakur

Qëndruan burrërisht

Dhe vdiqën trimërisht

Se këtë tokë arbërore

E donin shqiptarisht

N’këtë qiell janë lartësuar-

Meteorë të pashuar

6.

Qante me lot mali

Për lisat e gjatë

Për një xixë shkëndije

Qante e gjata natë

 

Dhe fusha lotonte

Për lulëkuqet e saj

Pamëshirshëm fishkullonte

E keqja n’ty atdhe

Nga skaji në skaj

Ngase ishim lindur

Shqiptarë të gjithë ne

7.

Ujqërit ulurinin

Dhëmbët i zgërdhinin

Seç na futnin tmerr

Këta derr-beterrë

 

M’kujtohet tani

Ajo lemeri

N’atë kohë të përgjakur

Ti Atdhe i përflakur

I tëri seç ishe

Nga kthetrat e asaj bishe

Kudo shkrumb e hi

Furtunë e stuhi

8.

Por, ne jemi shqiptarë

T’përbuzur e t’vrarë

Armikut idhnak

Kurrë s’i patëm hak

 

N’vështirësi qëndruam

S’u mbytëm- jetuam

Pa atdhe të mbetur

Nëpër botë të tretur

9.

E n’ty imi qytet

Në të bukurin shesh

Vërtitej një dreq

Me dreqërit e tjerë

Me lebeti e tmerr

T’shprazën për t’lënë t’mjerë

 

Nëpër rrugët tua

Gjaksori kaloi

E ne na dëboi

Donte t’na fsharosë

T’na presë e gjakosë

Gjarpërisht na kafshonte

Me helm na helmonte

10

Tani seç më vijnë

Kujtimet pastaj

Për lanetë e djaj

E më bëjnë me vaj

Nga zemërimi qaj

 

Përmbi sy të nënës

Një mjegull u shfaq

Vuajtje ndjen në zemër

Për djalin e saj

Nga hidhërimi theu gishtat:

-Qofshin të mallkuara bishat

 

E mbuloi fytyrën

Dhe u mbyll në vetvete

Me grusht i ra gjoksit

U drodh si në ethe

 

Por nga gjoksi i saj

As zë as dënesje

As ah dhe as oh

As bërtimë e prekshme

 

Veç lotët i pikuan

Për faqesh i shkuan

Fytyrës së mekur

Për birin e vdekur

11.

Mali seç u shkund

Fusha seç u tund

E nëna s’u mund

 

N’mbrëmjen e purpurtë

Seç shkëlqeu një yll-

Djali i saj trim

N’zemër plot guxim

 

Mu para agimit

Me krahët e fitimit

Kënga mori udhë

E malet gjëmonin

Brigjet seç ushtonin

Dielli po ndriçonte

E ky trim lirie

I vdekur po jetonte

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat