Ann Christine Eek sjell përmes fotografisë jetesën shqiptare në Kosovën e viteve të ‘70-ta

Kultura

Ann Christine Eek sjell përmes fotografisë jetesën shqiptare në Kosovën e viteve të ‘70-ta

Më: 5 dhjetor 2019 Në ora: 07:19
Ilustrim

Sot në ora 19:00 në Galerinë e Ministrisë së Kulturës bëhet ceremonia e hapjes së ekspozitës së fotografes, shkrimtares dhe pedagoges nga Suedia, Ann Christine Eek, e titulluar “Albanian Village Life – Isniq, Kosovo 1976”.

Ann Christine Eek e ka vizituar Kosovën për herë të parë në vitin 1976, duke qëndruar këtu për gati shtatë javë në fshatin Isniq, bashkë me antropologen Berit Backer. Gjatë këtij qëndrimi në vendin tonë ajo dokumentoi përmes mijëra fotografive mënyrën e jetesës së shqiptarëve në Kosovë, me fokus rajonin e Dukagjinit.

Për shkak të qasjes më të kufizuar në botën më të mbyllur të gjinisë mashkullore të asaj kohe, Eek projektin e saj e kishte koncentruar në tregimet e pesë grave të fshatit. Edhe pse Eek nuk fliste shqip, gratë shpejt e pranuan atë, duke mos u vënë në siklet nga prezenca e saj.

Kjo marrëdhënie i mundësoi Eek të lëvizte e pavërejtur, të fotografonte gratë gjithnjë duke punuar, në shtëpi apo në bjeshkë, duke pjekur bukë, zier, thurur, endur në vek, duke u kujdesur për fëmijët dhe duke u kujdesur për të lashtat dhe bagëtinë.

Sot, si dokumentim i një rëndësie historike, nëpërmjet 50 fotografive bardh e zi, Ann Christine Eek na tregon se si dukej jeta e përditshme në një fshat të Kosovës në vitin 1976, përmes narrativit të grave të cilat e ftuan në shtëpitë e tyre.

Fotografitë e shfaqura janë shtypje digjitale të vitit 2019, të realizuara në Hahnemühle Photo Rag Baryta në letër të tipit MOAB Juniper Baryta Rag, dhe shtypje analoge të vitit 1991 në AGFA Record Rapid.

Në 2020, ajo do të publikojë këtë histori në formë të librit me po të njëjtin titull, “Albanian Village Life – Isniq, Kosovo 1976” në bashkëpunim më ish-Ambasadorin e Kosovës në Washington, Avni Spahiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat