Mirëserdhët në gjuhën shqipe, moj poeteshë e dashur!

Kultura

Mirëserdhët në gjuhën shqipe, moj poeteshë e dashur!

Nga: Baki Ymeri Më: 8 dhjetor 2019 Në ora: 15:12
Koperina e librit

Poetesha rumune Camelia Radulian është një personalitet kompleks, e admiruar dhe e talentuar, e bukur dhe inteligjente, e lindur në Mbretërinë e Poezisë, për të cilën poezia është ëndërr dhe ëndrra është poezi. E arrdhur nga Kështjella e Banisë, Camelia Radulian është Mbretëresha e metaforave më subtile, më delikate dhe më komplekse. Ndërmjet vargjeve të saj fshihen fjalë të shprehura dhe të pashprehura, të cilat konturojnë kuptime të thella me fjalë të tjera të mbyllura ndërmjet faqeve të librit. Autorja e këtij vëllimi dygjuhësh është laureate e një numri të konsideruar mirënjohjesh, e pranishme në publikime të panumërta letrare, në festivale të poezisë, në evenimente kulturore etj. Magnetizmi i veçantë, sidomos proza dhe poezia, i kanë sjellë qindra e mijëra miq e dashamirë, realë apo virtualë, gjithmonë duke pritur me padurim për t’ia lexuar dhe deshifruar mendimet dhe ndjenjat.

Camelia Radulian është mbretëresha e zemrave tona dhe autore e një lirizmi të ri, gjithmonë i mahnitshëm, gjithmonë i pasur në shprehje, thellësi dhe nynca. “Më pëlqejnë shumë vargjet e saj. Kanë mushtin e talentit të gjallë dhe janë një befasi të çuditshme. Fjalët e ftojnë njëra-tjetrën në përngjitje të reja. Kjo femër ka një ndjenjë të mrekullueshme dhe të freskët. (…) Camelia është një poete gjithmonë e befasiueshme. Shpirti i saj ka flakën e diellit, rrezet e hënës, freskinë e fontanës së thellë. E pranoj këtë që e them: Camelia është poetesha e këtij çasti.". (Emil Brumaru).

Kritiku letrar, Daniel Cristea-Enache, shton se ajo ka guximin dhe forcën për të rehabilituar lirizmin e botës rumune, tani i ndodhur në një periudhë të mospërflljes, thuajse të përgjithësuar. Dhe e bën këtë me shije të veçantë, me forcë dhe mjeshtëri. "E jashtëzakonshme është poetesha Camelia Radulian, me versalitetin e saj tematik dhe me formulat lirike, me humnerat dhe majat sentimentale të poemave të saj, që të shpiejnë, si në një labirint, nëpër rrugët më të paparashikueshme, për të të nxjerrë në liman, mu atëherë kur mund të kesh humbur shpresën dhe kuptimin e kërkimit". (Andra Ticher Podia)

Gazetare, eksperte në fushë të komunikimit, poete, prozatore, kritik letrar. Presidente e Unionit të Shkrimtarëve të Gjuhës Rumune - Filiala Rumania; Presidente e Shoqatës Multikulturore Transkufitare "ArteC"; Presidente e Klubitt "ArteCarte"; Bashkëpunëtore permanente e ''Literatura de Azi”, ''Catchy'' dhe ''Bel Esprit'', nënshkruese rubrikash letrare dhe recensionesh. Botime letrare në New York Magazine - SHBA, Sukoon Magazine - Dubai, Albanezul/Shqiptari, Bukuresht. Prezente në antologji dhe revista të ndryshme letrare në Rumani dhe jashtë saj. Absolvente në Fakultetin e Letërsisë – Historisë në Krajovë dhe e Psikologjisë në Universitatea de West, Timishoara. Specializime në Semiotikë dhe teknikat e komunikimit - Manchester - Britani e Madhe, 2001. Debutim Letrar në Revistën Ramuri (Degët), 1984). Në adoleshencë, frekuenton Klubin letrar "Traian Demetrescu" dhe Klubin "Mirror" në Krajovë.

Pas një pauze të gjatë letrare, iu kthye shkrimit në vitin 2000, me nxitjen e njeriut të kulturës Romulus Vulpescu. Në vitin 2004, Romulus Vulpescu e bën parathënien (pa dijen e saj) dhe ia boton librin e parë me poezi, ''Plagët e fjalëve”, në Editurën Semne. Pasuan vëllimet me poezi: "Turrë në tetor", i shoqëruar nga albumi muzikor i Madalin Amon-it, që përmban 14 këngë me vargjet e Camelia Radulian. Pasojnë vëllimet “Pasqyrat 1” dhe 'Pasqyrat 2 - Qyteti ku hesht Zoti”, të shoqëruar nga albume muzikore të nënshkruara nga Dan Pantiş, që përmbajnë 26 këngë me vargjet e poetes. Përndryshe, Camelia Radulian është një nga “poetët më të kënduar” të kësaj kohe, vargjet e saj duke frymëzuar botimin e mbi 80 këngëve.

Në vitin 2015, vëllimi ''Pasqyra” zë vendin e tretë në konkursin Bookaholic - libri rumun më i mirë me poezi – i iniciuar nga Cărtureşti. Autorja depërton në botën e përjetësisë me dashuri hyjnore në krahët e ëndrrës. Ajo vjen para nesh duke e shijuar parfumin e fjalëve, duke flutuar nga fjala në fjalë dhe nga mendimi në mendim. Ka ardhur koha kur kësaj artisteje me shpirt delikat dhe të jashtëzakonshëm, t’i urojmë nga zemra: Mirese errdhët në gjuhën shqipe, e dashura Camelia! (Bukuresht, 28 Nëntor 2019)

 

BETOHEM SE E KAM DASHUR!

M’i burbuqëzoi duart, m’i zalisi gërshetat

Në të gjitha ëndrrat m’u fanit, porsi stuhi.

Me të gjitha gratë e verës e kam fejuar.

Si një dhëndër i botës, kështu unë e desha.

Në litarin e jetës po qe se do të lindja,

Do të zhurritesha në mishin tim, prej prrushi

Do të vërsulesha poashtu përmbi gjakun tim

Në krahët e tij, si një violinë unë do të thehesha.

Do ta doja atë pastaj në puthje

Të shkruara në lëkurë fluturash.

Me pak gjumë të vogël, me mall të mallkuar,

Grua që po qan në syrin e një burri,

Do të isha dehja e tij, do të bëja mëkat.

Më shikoni, agime, vajza të mira!

Betohem në legjendat tuaja,në botë:

M’u burbuqëzua gjithë fryma ime,

MË lulëzoi britma, pëllëmbët, deti.

Më sulmoi pika e parë e vesës,

Me atë bukuri - si po kalonte -

Me shpirtin tim të prerë në dy.

Me puthjen e fundit të pemës së shembur

Mbi shpatullat e jetës ju betohem:

E kam dashur!...

 

NESËR DO TË BIE BORË

 

Nisja ka rroba bajamesh

Heshtja e rrugëve

do të flasë dikurë për ne.

Kalon edhe një natë

sa një katedralë litarësh.

Ditët shkojnë në veriu

duke i mbështjellur prej nesh

cigaret e para të lamtumirës.

Ja se si hiri ynë

bie nga heshtja

mbi gjunjët e qyteteve.

Ne ende ëndërrojmë,

por në shtëpinë përtej rrugës

na shungullon rëra

dhe gazetat kapin, në tavolina,

ngjyrën e harresës.

Hapen mishrat e kohës, i dashur

mua më ka kapluar acari.

Fillon që tani të më dëshirosh,

derisa vishem me bajame, por ti,

më bën të qartë, dashuria ime.

E shkrova këtë poemë me duart në litar.

Nesër do të bie borë. Po shkoj. Kërkoj ndjesë!

 

ËNDËRR

 

Magdalena e gatuan bukën

ajri largohet nga mushkëritë e saj

derisa mbi asfaltin e grimcuar nga kamionët

nëpër kamaretë e dheut hyn era

shoferët janë të mbingarkuar

ajo revendikon një sekondë në zinxhirë

tik-tak-tik-tak

kohë

dje i kam coptuar dy trupa

as nuk e di nëse të kam dashur

shëtita me dorën time me vete

isha 16 vjeçare

dhe disa lule qershie në vend të irisit

në vend të flokëve kisha ujë të peshkut.

 

Qengjat janë larg, Zot, në periferi të qytetit

e merr në të majtë pas sinjalit të semaforit

shih, rrjedhin zëra dhe është në fillim të prillit

deri në lagjen e të varfërve u shua pranvera

ka erë rrobash të lagura e të përgjakshme

tani gjithë ajri po largohet nga mushkëritë e mia

sytë e njerëzve bien

lule të qershive të papjekura

baltë

shi.

Magdalena e gatuan bukën.

 

PËRRALLË E THINJUR

 

Devotchka, ti ta dish,

një tren do të kalojë mbi të gjitha

do të derdhet shumë asfalt

kujtesa jonë do të shtrihet

mbi hekurudhën

dhe azili ynë do të digjet

 

Më parë do të na bien dhëmbët

pastaj brinjët do të na bien

peshqit do të shkojnë me ne në thellësi

flokët do të notojnë mes dritave të fosforit

por supet

a do të mund t'i mbulosh nganjëherë

me shalle

 

Pastaj do të ndez një llambë

në një tango të kahershme

do të ulemi në gjunjtë e saj

ti dhe unë duke i shkruar njëri-tjetrit

letrat më të bukura

të dashurisë...

 

POTHUAJSE TANGO

 

Shputat do të shpojnë asfaltin e rrumbullaktë

ndërsa flokët do të marrin formën e ujërave nëntokësore

nuk do të notojë, do të jetë si me rradhët

e letrave të ushtarëve, të zeza dhe të bollshme

atëherë do të bjerë

atëherë do të vijë lufta e dytë botërore

do të ketë një dorë të eksploduar

dhe në tjetrën do të mbajë një kanarinë të vdekur

të dielën në mbrëmje, pas ajrit

do kalokë së pari në azil duke shkëputur gjethe

 

pse po thua se kjo jetë varet në një fije

pse e thua lëtëpa ulërimë pa u dridhur

pa pirë?

gratë do të kafshojnë nga buka

si në një copë pasqyre

ti do të jesh tragjedia

që kullon nga goja

personalitet i përkufizuar,

psikozë, vetë-shkatërrim

por çfarë di për

vetminë e madhe?

 

KRAHËT E TYRE

 

janë shtylla të tensionit të lartë,

ja harabelat prekin telat elektrike

paragjykojnë vetëvrasje

monopolare bipolare tripolare

korent – modululating kontroll

efekti Korona

lëngjet

kalben së bashku me drurët e pyjeve

nuk janë të shumta

vetëm sa për destilim

kjo vdekja ime njëditore

e jetës

alkool i pastër

i rafinuar, shembje,

pothuajse tango.

100% masakër.

 

HËNA E HIDHUR

 

Makina e plehrave vjen vetëm nesër.

Sot shoh sërish pëllumba gruri, edhe pse pikojnë.

Fëmija i zbehtë më flet nga rruga

ndoshta një bir

nuk më kujton mua

tani ka mjekër gri, unë dua ta prek

ia di të gjitha pjesët, ndjej, edhe rënkimin e parë

më kërkonte dikurë duke rrahur ajrin,

isha 30 vjeçe dhe liqeni ishte plot me zambakë uji.

I hedh topin mbi gardh, ai ik në rrugë

duke marrë me vete aromat e akacies

hije.

Oh! Mbaj mend shirat e qershorit

nxehtësina përvëlimtare e shkrinte gjelbërimin

deri në gjak.

 

Postjeri më fton,

ka kumbulla në duart e tij dhe fletë kartoni.

Në bark më dergjet e vdekur

një kukull lecke.

(Fragmente nga libri “Duke fluturuar”, Amanda Edit, Bukuresht 2019)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat