Fituesja e Nobelit për Paqe heq dorë nga çmimi shkaku i Handkes

Kultura

Fituesja e Nobelit për Paqe heq dorë nga çmimi shkaku i Handkes

Më: 11 dhjetor 2019 Në ora: 06:21
Christina Doctare

Mjekja suedeze, Christina Doctare, ka njoftuar të martën se do të kthejë çmimin Nobel për Paqe të fituar më 1988 për shkak të laureatit të sivjetmë të Nobelit për Letërsi, Peter Handke, i cili mohon gjenocidin në Bosnje dhe mbështet liderin e ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq.

“Isha krenare me Akademinë suedeze, por tani gjithçka ndiej është turp dhe faj”, tha ajo gjatë një fjalimi para turmës protestuese në Stokholm derisa në sallën e koncerteve në Stokholm po i ndahej çmimi Handkes.

“Kam qenë dëshmitare e dorës së parë e gjenocidit 27 vjet më parë kur isha atje. Do ta kthej çmimin Nobel për faktin se edhe Peter Handke, që mohon gjenocidin që ndodhi në Bosnje e Hercegovinë, e mori atë”, shtoi ajo, raporton “Daily Sabah”, transmeton Koha.net.

Doctare tha se ishte shpërblyer me çmimin Nobel për Paqe si ekip i Forcës Paqeruajtëse të OKB-së më 1988 për shërbimin e tyre në Bosnje në të ’80-tat.

Handke ishte kundërshtar edhe i sulmeve ajrore të NATO-s mbi Serbinë në luftën e Kosovës në fund të viteve të ’90-ta dhe më 2006 foli edhe në funeralin e Millosheviqit.

Siç shkruan “Daily Sabah”, Handke njihet si admirues i madh i liderit të ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, i cili vdiq më 2006 në tribunalin e Hagës derisa po gjykohej për krime lufte e gjenocid.

Për më tepër, Handke kishte vizituar Millosheviqin në burg dhe kishte tentuar të dëshmonte në favor të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat