Silueta e vetmisë së gurit   - Bota Sot
Silueta e vetmisë së gurit  

Kultura

Silueta e vetmisë së gurit  

Nga: Nexhat Halimi Më: 12 dhjetor 2019 Në ora: 14:54
Nexhat Halimi

Ende po mendoja për minatorët, të cilët me përkushtim e nxjerrin zemrën e tokës në dritë. Ecja i preokupuar me fjalët e tyre të nxjerra me batuta dhe mahi të thella, ndërsa ikja  përmes  malësorëve të zbritur nga majat e Shalës së Bajgorës për të blerë ndonjë gjë apo për të shitur në qytetin buzë Ibrit. Befas do të ballafaqohem me njerëz të panjohur, i ikur në meditime,për të ecur të takohem me korrespodentin e gazetës  Hysen Matoshi,  ndërsa më zgjoi nga thellësia një  zë i thekshëm e i njohur. Para meje buzëqeshte Kadri Kadriu, poet në ndjekje të afirmimit dhe piktor ende në zanafillë.

E shikoj në sy e ai e lëshon kokën në sup e hesht, pa e shuar buzëqeshjen, ta lëshoj pastaj dorën mbi zemër e shikimin ta ik diku larg. Atë shikimin e njohur, shpues, që të bëhet se do ta zësh, përsëri është i fshehtë dhe e ke larg…

-Ç`kemi, çfarë të rejash bluan në krijimtarinë tënde këtë herë?

-Të ikim në atelienë time, aty do ta shikosh çdo gjë…

-Dua dhe ta dëgjoj, - ia bëra e nisa përkrah poetit e piktorit.

-Pikturën për të cilën do të të flas e kam emëruar ”Gjysmëmolla”.

-Mos fol me zë, - tha ai e nisi të fliste qetë, shumë qetë. E mbylli derën e ateliesë dhe e ndezi qiririn.

-Pse qiririn? Ndize dritën …

-Le të krijohet ambient më i bukur, përrallor, - tha e iu afrua pikturës.

 – Ja shikoje me vëmendje…

Fëmija, që është ngjitur me babanë te të afërmit në malësi, në Shalë, zbret tash në buzëmbrëmjen e kuqërremtë e bredh nëpër rrugën e lagur. I afrohet shtëpisë me një tufë lule në dorë. Nuk janë karafila, janë vjollca, ndoshta aguliçe, lule të para të pranverës, që derdhen para kufirit kalendaresk të stinëve…

Ai përpihet pak, plot emocion.

-Mbushet qyteti me pranverë. Përmes rrjedh Ibri, krijon shkulma me ritëm të caktuar, valë më të gjalla… Krejt kjo është dendësim i pranverës…

Ndërhyn ai.

 -Ta përkujtoj me fjalë, sepse, këtu, njerëzit, poetët, piktorët… ata që i përjetojnë gjërat, me shpirt, i krijuan dhe në dimër lulet e pranverës. Të mbesin moment për të kujtuar, siç kujtohet Molla, siç kujtohet kulla, siç kujtohet Isai…

-E kjo, do ta shpjegosh, si ngjet dhe pse ngjet?

-Të arrihet deri te liria!

-Nuk arrihet te liria dot. Ajo ndodhë me gjak. Ajo shpirtëzohet…

-Shpirtëzimi bëhet në hapësirë, në zemër,në një dhomës në qytetin e xehetarëve. Gjatë gjithë natës, gjatë secilës natë e ndezur është aty drita. Aty punon poeti, punon piktori me ballë të djersitur, siç mihë minatori thellë në nëntokë, për t`ia nxjerrë zemrën e artë, aty piktori, poeti e shkruan jetën nëpër forma  të reja, aty hapen udhë të ikura në gjak, aty hapen udhë të bardha, degëzohen, shumëzohen e zbriten, pjesëtohen e mblidhen,krijohet zemra që rrah tok me ne, zemra e lirisë , zemra e fjalës dhe e ngjyrës, zemra e sendeve të vogla që vijnë e bëhen të mëdha, zemra e së shkuarës dhe vula e gjakut të dheut, e gjakut të gurit, zemra e të paepurës, e të sotmes.

…krijohet lulja e pranverës.

Pena shkruan, radhiten vargje, përmes metaforës zgjohet  përdorimi i një fjale a i një shprehjeje me kuptim të figurshëm në bazë të krahasimit sipas ngjashmërisë;  në këtë mënyrë  shtrihet  figura,  brusha bredh poshtë e lart nëpër pëlhurën e preparuar, le gjurmë në kohë, gjumë të ndritshme të ngjyrës. Kornizohet për momentin gjelbërimi, të mbetet i përhershëm , pse ngërthen në vete idenë e piktorit për zgjimin, për mëngjesin, për lulet, për rënët, për lirinë, të çel në nuanca e rrjedhës së jetës…

-Tërë kjo kërkon durim, dijeni, shpirt të mbushur me zjarrin e pashuar. Prej nga e merr ti këtë flakë?

Ai përsëri e preku heshtjen. Trazohet. Djersët i ikin ballit. I rrjedhin e i shkëputen pandërprerë fund fytyrës. Bluan diçka më shumë për vete e më pastaj psherëtin… Flet ndërmjet tingëllimës së heshtjes së zgjuar brenda, të shpërthejë jashtë me jehonë.

 -… Akti i krijimit të merr   krejt në botën e vet, të ndrydh e të shtrydh, ta kërkon gjithë dashurinë, sepse vetëm dashuria ka fuqi të jetë prore në thellësinë e krijuesit.

Përsëri hesht, që nuk është heshtje, veç një qetësi para stihisë, para valës së re, të madhe, para dallgës së gjithëfuqishme krijuese.

-E preke dashurinë?!

-Dashuria është më e madhe se çdo gjë. Më mund çdo herë! Ajo, e lidhur me dritën, me tokën e zemrën e artë të nëntokës, shpërthen te secili ind imi dhe bëhet zgjimi im, bëhet universi im, bëhet ajo që e ndejmë e nuk e shohim, bëhet liria ime. Atëherë, si mund t`i iki vetes, - këput fjalë e brusha përsëri i ik poshtë e lart, nëpër pëlhurë, të krijohen me vetëdije figurat, degë drurësh e qiell i rënë ndër gjethe. Ja, unë e vërej pastaj dhe një breg e në atë breg një shtëpizë, në atë kulm një oxhak e në atë oxhak një lejlek dhe vija e ujit nëpër midis barit të paprerë… Një pranverë, nëpër të cilën fluturon lejleku, apo bie me këmbët e gjata në vijnë e ujit. E më vonë, një ballë me ca rrudha, përsëri   një urë, një ëndërr, një lule e një burim i pashtershëm, gjithë jeta, mu si është.

-Jeta është vështirë të mbyllet!

-Nuk mbyllet kurrsesi, veç plagoset!

-Fluturojmë nëpër të. Me ëndrra robi. I zgjasim duart ta zëmë, siç i zgjat duart robi ta kap fluturën e lirisë. Krejt i përgjakur!

-Do ta krijojmë atë që e ëndërrojmë?

-Ndoshta!

-Zjarrin e kemi. Dashurinë po!

-Dashurinë e copëzuar!

… E ndjek përsëri pëlhurën e shkruar, e shoh edhe piktorin e ri, e pastaj e vras mendjen në vete: ç`kërkon më prej dashurisë së vet Kadri Kadriu? Ç`e shtyri në këtë udhë, në këtë udhëtim, i cili për çdo ditë është më i vështirë,  kërkon më shumë nga zemra-durim, fuqi, dashuri,  të mundet e pamundshmja, e sa herë mundet krijohet zgjimi, pranvera, që  rrahë prajshëm me qepallat e veta të gjata, të gjelbra. E frymon në zemër e pëlhurë të preparuar pranverë e vërtetë.

-Te unë, herët, -  thotë ai ndërsa shikon nga dritarja e ateliesë së vogël, - flinte  thellë dashuria për artin e pikturës, kjo prandaj e bëri të vetën dhe nisa të mbledh literaturë, të vizitoja ekspozita, përmendore të kulturës, në mënyrë që të lidh vetën me dhembjen e bukur të krijimit. Tashmë dhe po desha s`mund t`i iku dhembjes që  e dua, që ngado më prek,më djeg e më ndjek. Me kohë, gjithë ajo që priste e pret të burojë nga unë, të dalë nga thellësitë e thella të shpirtit, pak nga pak ngelë në pëlhurë, pra e gjithë ajo që më ther, që e njoh e më njeh, që e shoh e më sheh, që më ngacmon. Krejt këtë mundohem ta them pa lak, m`u siç gatuhet në thellësi. Reale. Krijuesi asgjë s`guxon të flasë rrejshëm, asgjë s`guxon të jetë e rastit… Çdo gjë duhet të jetë e shprehur deri në fund-në një frymë, pa përzierje, të mos krijohet mjegullnajë . Vetëm afërsia është pjesë-vepër që me shprehjen e vet mund të krijoj jetë të gjatë për vete.  Krijuesi, para se t`i përvjelë  mëngët të krijoj e ka të qartë si ta nisë, si ta vazhdojë, si ta mbyll veprën e vet. Pa vizion të këtillë asgjë s`premton zgjim, as vlerë. Për gjithë këtë, por, duhet përgatitje – të bëhen skica, të mblidhen shënime, të mbahen në mend shumë gjera. Se, në ato udhëtime brenda vetës peshon shumëçka, zgjohet e rrëndohet shumëçka. Krijuesi has në shumë pjesë të asaj  që e mundojnë, me të ec dhembja, ec dhe dashuria e madhe, zgjimi i gjërave të fjetura, kujtimi, mallëngjimi, për të arritur deri te fillimi i krijimit të veprës dhe asnjëherë natyrisht nuk je i kënaqur, asnjëherë nuk ia arrin qëllimit ta prekësh tërësisht atë që e  ke paramenduar, sepse – Dy e dy s`bëjnë gjithnjë katër…

-Të dalim pak ta shikojmë botën nën këtë borë që po bie?

-Natyrisht, - thotë ai e dalim prej ateliesë së vogël, në të cilën mbesin të heshtura krijimet në pikturë dhe vargjet në vargje të lira. Heshtim e ecim.  Shëtisim afër ujit, buzë Ibrit… Unë e ik shikimin e bëj përpjekje t`i them diçka, të cilën ai nuk e dëgjon. Ka humbur në meditimet e veta dhe ndoshta atje në faqet e maleve, nën të cilat minatorët ia nxjerrin zemrën thellësisë dhe bulojnë sythat e dëshirave të tyre. E  përbri rrjedh uji me valë të zgjuara.

-Çka i mbetet zemrës, etjes së përhershme për dritë?

-Sytë që lotojnë, - thotë, - gjithherë me mbesin mua, të mund t`i hy natyrës nën lëkurë.

Më bëhet, gjithnjë  jam një pjesë nga ajo faqe mali, prandaj -  dua që edhe shpirti, edhe natyra të jenë brendia që lidhën me urën që ne e thërrasim dashuri, e të plotësohen, të rrjedhin në kohë me ritëm të zgjuar, me ritëm lumi. Shiko, në fillim unë te molla  kam parë vetëm ngjyrën dhe e kam dashur, e tash- te molla nuk më tërheq më ngjyra, sa brendia, prandaj, ç`është ajo brenda?

…ç`është ajo brenda njëmend?!

-E pret mollën  në pjesë:  e ke përpara në dysh, por, a është gjysmëmolla krejt molla…Kjo zgjon hepime të brendshme, luhatje, ndërrime, pjesëtime, pak nga e djathta, pak nga e majta…e  mediton, e ec. E  ngadalë, nis dhe e rikrijon mollën!

-E zgjohet vala e zemra e verbër pik gjak mbi hi!?

- Shkruan mrekullueshëm dhe ti? – qesh akullt dhe më shikon, e qan. Lotët i rrëshqasin nën sy.

- Më ndiq e mos qaj përsëri.

“damar i kosovës pingëron nën gjëmë

e zogu nën varrë është vrarë mbrëmë”

-Zot… seç shkundet nga pikëllimi e fluturon shpirti i yt e imi!Ky zog qiellit të përflakur, i zi.

I shikojmë malet përreth nën borë e ecim. Heshtim. Nuk flasim e brenda vetes digjemi. Ngjajmë në krijesa të humbura, në silueta të këputura në hapësirë.

E nën flluska bore bie nata mbi qytet , e -në një dhomëz në qytetin e xehetarëve, gjatë gjithë natës është e ndezur drita. Aty punon piktori me ballë të djersitur, aty ai e shkruan jetën e cunguar, me shpresë të krijohet tërësia…

Mbushet qyteti me pranverë, ndërsa borë bie e bie, krijon pamje të pa përshkruar me flutura të bardha dhe qiellin e kaltër mbi qytet.

-Do të botoj pjesë nga kjo bisedë në gazetën “Rilindja”? – më kujtohet t`i kem thënë piktorit dhe poetit, me një ndjenjë të thellë të respektit dhe me një frikë të rrezikimit të jetës, ndërsa i emëronte gjërat me emra të vërtetë, pa e përdorur ndopak metaforën, simbolikën, që t`i ikte etjes dhe dëshirës së papërmbajtur

-Falë për fjalë, çdo gjë botoje… jam i gatshëm të flijohem për ëndrrat e mia.

-Do t`i botoj ato pjesë që nuk vrasin askënd tash për tash…

-Vranë apo nuk vranë, unë e marr përgjegjësinë.

-Po, ti e merr përgjegjësinë, veç ti je më i vogël sesa gazeta “Rilindja”…  e, do të botoj pjesë te kjo gazetë. E gazetën e ruaj fundja më shumë sesa ty, pa të cilën do të ngelnim të verbër. E kupton  ti këtë gjë, e cila natyrisht gjithnjë është nën syrin e hapur të atyre, që duan të na ngjet ndonjë  gjë e papritur.

-Botoje, megjithatë, mos më kurse mua aspak, - do të më shikojë ai. Pastaj do ta tundi kokën e do ta ik shikimin jashtë nga binte bore mbi pullazet e qytetit dhe në rrugët e zbrazëta.

-Ja, nuk lëviz asgjë.

-Nata ka vesh. Guri, udhët, pullazet dhe bora dëgjojnë

-… çdo gjë që ke mundësi, pa më kursyer mua! Botoje! – tha, të mos më qëndrojë më në vete ajo që nuk vdes kurrë e të mos më pëlcet  zemra, - më binte me jehonë secila fjalë dhe përsëritej nga disa herë,me hov të rrahjes së zemrës,  preras, ndërsa i ecja udhët e zbrazëta, i mbytur në vetminë e thellë të pikturës dhe të fjalës, me kaq epsh të thurura nga piktori i ri.

-Atëherë e botova pjesërisht bisedën me të e tash, ja, ky është pengu i mbetur në perin e përhershëm, - më kapi dridhja me hov të prekja kujtimit të largët e të mallëngjyeshëm.

Silueta e shpirtit në vetmi           

-Të ikim, - tha Faiku.

 -Prit pak, - e vëreja një punëtor  në kostume punëtorësh mes turmës.

-Rrotat e automobilit të puthitur  për trasenë e rrugës në çdo çast do ikin me furi.

E ndjek dhe pak turmën e i mbyll sytë dhe e  imagjinoj nga  shëtit atë punëtor-në prag të kremtes së Vitit të Ri, nëpër qytet. I njëjti, apo hija tjetër bredhë nëpër qytet dhe ndjehet i vetmuar. Nuk ka hapësirë te ai sipërfaqja e kremtes. I ec sheshet e ndritura para dyqanesh të stolisura, shumë i tendosur,   i shqetësuar. Silueta e punëtorit, në kostum të kaltra punëtorësh, ndërron hapat kumbueshëm. Ecën i pikëlluar, që më pastaj të ndalet aty pak, aty pak, vitrinë më vitrinë shikon me kërshëri. I fërkon sytë, përqendrohet pak në ndonjë send e prapë ecën sheshit me hapa të rëndë. I shikon përkrah ndërtesat e ndritura nga kuqërrimi i ditës në perëndim e merr frymë thellë. Zemra i bëhet mal nga përfton përmes vashash e djemsh, cilët ngarendin me libra në duar në cakun e tyre, në orë të  jetës.

 Flamujt e shpaluar qiellit valojnë në secilën pëllëmbë.

Fluturon aty dhe zogu i zi sfondit bojëgjaku.

Lulet, flutura të bardha të borës, shkruajnë mrekullisht hapësirën. Ndjej të derdhin aromë të këndshme për cakun e ndërrimit të moteve. E ai ecën me hapa të fortë. Në duar e ka dritën, në ballë e ka qiellin, me dy yje farfuritës, në supe e bart jetën. Sytë i shndërrimin ngjyrë deti.

E harron për një çast  brengën e brendshme.

Buzëqesh, pikërisht siç i pikturohet ëndrra e përhershme në shpirt.

Ecën bulevardit e një dritë e djersës e pikur nga sferë e njohur mirë i shkruhet ëmbël nëpër fytyrë. Ecën me nxënësin, me studentin, me hijen e vet të përthyer ndër kalimtarë dhe shikon me kërshëri pullazet, verandat, shikon antenat televizive,  shikon shtëpitë shtatlarta, në dritaret e të cilave zbërthehet spektër ngjyrash, derdhen të gjitha ngjyrat e dritës, krahët e jetës, krahët  e të përditshmes, që e ndërtoi vetë me duart e veta të forta, me shpirtin e paepur dhe kurrë të dorëzuar para stihisë së kohës.

Tashmë pak i dridhen duart. Mendon çfarë të blejë për të kremte të Vitit të Ri e xhepat i ka të zbrazët. Ka kohë e kanë larguar nga puna e kot bën përpjekje të punojë punë krahu, kot ëndërron t`i lidh skajet e muajit me muajin tjetër dhe të rrjedhë mbarë e ardhmja.

-Çfarë dhurate të blej, t`i gëzoj fëmijët, ndërsa s`ka metelikë në xhep, - murmuritë dhe fytyra i merr ngjyrë  të pikëlluar, të hirtë. A mendon për këtë peshore të jetës, e cila nuk i ndanë në pjesë të barabarta pikëllimet e ngashërimet, nuk i qet në një drejtpeshim dhe secili të ndjehet njëjtë. Vallë, çfarë mediton brenda vetes. E  ndal me përzemërsi një djalosh, ia shtrëngon dorën e dorën tjetër e vë mbi kraharor. Qeshet pak. Lëviz me duar në të gjitha rrjedhat. Me gjasë e pyet diçka dhe prapë qeshet. Lëviz para, ecën. E kthen kokën prapa dhe e porosit të mësojë mirë, sepse vetëm aty është e ardhmja.

-Ja, unë, - i thotë. – Puno, puno me krah e asgjë!

E ndalë më pastaj një vajzë, të cilës i tha diçka duke lëvizur me duar  dhe prapë ecën. Ngjante në një figurë të hutuar, në një figurë në vetmi. Ai që e kishte trazuar heshtjen, ai që e kishte zgjuar nga gjumi i thellë rrjedhën. E kishte ndërtuar, me duart e veta të forta, muzeun e qytetit… Ecën prapë, ecën nëpër  amshimin e frymëmarrjes e tokës e të gurit, nëpër frymimin e lules e të drurit të gjelbër, të ndarë në dy degë, në tri degë, në pesë degë, në shtatë degë, ndërmjet të gjelbrës e pjesërisht të thatës, të cilat secila në mënyrën e vet i dhemb mbi gji, i dhemb nën gji, i dhemb ngul mbi maje të cicës. Ofshan ashpër. E ecën nëpër udhët e këputura, nëpër damarët e zemrës së  moçme e përherë të re, e cila përmes tiktakut të vet lidh fijet e kohës me fije brezash.

-Të mëdhenjtë natyrisht falin, - psherëtin e ecën me mendimin e çuditshëm, të prekur, të kafshuar nga secila anë, veç pse është i madh dhe i pa zhdukur. Ecën. Prapë e ndalë një burë me mustakë të gjatë, të thinjur. E pyet diçka e me buzëqeshje të ngrirë lëviz hutueshëm. E shpejton pak hapin. Vallë, nga ngutet?

Kë e kërkon?!

A do të arrijë ku është nisur?

Sa ka rrugë të ecën deri te vetvetja?

E njoh, zbret nëpër poret e së kaluarës, bie bashkë me copëtimin e atdheut të mbetur. Ja, i afrohet ullirit. I mbledh disa kokorra e i përtyp. Ngjitet në Kalanë e vjetër të Ulqinit. Në një gur flet me Gencin, e noton ujit. Lodhet e prapë merr not. Nuk ndalet. Arrin në Risan. Shikohet në pasqyrë, ndërsa Teuta, shtrihet e mërzitur në shtratin e mëndafshtë. Mirë e njoh. Është punëtor. Me shkollë është. Kaq mirë e njoh, veç pse është fuqia kryesore e qytetit të robëruar… Ec ky punëtor, ky baba i dritës.  Është  autor i fjalisë më të bukur  të dëgjuar ndonjë herë nga ndonjë studiues i jetës. Thotë, nga pika e gjakut të vet, të ndritur. Me zemër. “S`i ndalë unë vajzat nga shkolla. Kurrë si ndalë! Më parë vdes sesa ta bëj një gjë të tillë!” Është filozof. Është arkitekt. Është mjeshtër i pallatit të rinisë, i pallatit të Bibliotekës, mjeshtër i Lagjes Dardania, i Kodrës së Diellit, i Ulpianës. E ka riemëruar të kaluarën me emrat e gjakut të vet. Punëtor është. Mjeshtër i shquar i kopshtit të lumturisë së thurur me ura të reja. Është brez i klasës punëtore, bimë e së përditshmes.

Pa punë është, veç pse nuk e mohon kush është. Në kostume të kaltra ec bulevardit, ec hapësirës së kohës, ik lart ndërmjet imagjinatës dhe ëndrrës për një të nesërme të ngjyer me të kuqen dhe të zezën mitike . Ec bulevardit të ndritshëm,shikon në secilën anë pjesën e vet të atdheut të lashtë. Shikon e qeshet, veç pse djersa e tij ka pikuar e do të pikojë në secilën  udhë të mësyrë nga e ardhmja. Ecën me hapa të fortë, krenar, e në duar e ka ditën, në ballë i ka dy liqene të kaltra, i ka magjiken, e ka realen,e ka zjarrin mitik në supe e tiktakun me ritëm të përjetshëm në zemër. Në sytë ngjyrë deti, të cilët ia trazon loti pakëz. Loton. I fshin lotët. Pse nuk ka metelikë në xhepa t`u blejë fëmijëve ndonjë dhuratë për të kremten e Vitit të Ri. I fshin lotët prapë dhe i mendon një nga një fëmijët – shtatë, të cilët tërë natën e presin me kokë në dritare të gëzohen në këtë ndërrim  motesh, me ndonjë dhuratë dhe me buzëqeshje të hareshme, ta shkruajnë të kremten.

Me zemër!

Nuk presin shumë, sepse ai shumë nuk ka. Sepse ai ka vetëm dashuri. E në orët dhe çastet që rrjedhin dashuria nuk është çdo gjë!

Ec e buza në vaj i dridhet.

Rrotat e automobilit  Faiku i ndal para këmbësh të punëtorit. Ai e kthen kokën në anën tjetër dhe do të ikën, to ia shikojmë lotët që i rrjedhin nga sytë e vet të ndezur. Niset të largohet.

-Ej ti, ndal pak, - e thërret Isani.

Ai e kthen kokën dhe nuk beson ta thërras dikush, të cilin nuk e njeh. Atë e thërrasin vetëm ata, që kanë nevojë për krahun e tij të lodhur, por të mbushur me dashuri.

-Me mua e ke fjalën ti, or?!

-Me ty. Prit pak… - Isani zbriti nga automobili. Na e ktheu shpinën, të mos e dëgjojmë për çfarë flet me të.

Çfarë do, fol, - do ta dëgjojmë të thoshte ai.

Isani shikoi nga ne e prapë eci pak larg automobilit. Fliste diçka me të.

- Ndoshta njihen mes veti, - tha Faiku.

Isani pandërprerë i shpjegonte me duar diçka. Në fund Isani nxjerr nga xhepi pak para dhe ja lëshoi në dorë. As unë e as Faiku nuk kuptonim çfarë ndodhte. Punëtori i shikoi dhe një herë metelikët në dorë e mori të largohej. I gëzuar do të kthehet dhe një herë, do ta shikojë me vëmendje Isanin, e do të humb në turmën e atyre, të cilët blinin e shisnin.

Ai gëzohet. Kthehet dhe e shikon me vëmendje.

-Mos kij merak. Çdo gjë do të jetën rregull! Është punë e kryer… - E i habitur kthehet, e ndjek rrugën. Largohet, ndërsa pandërprerë e prek xhepin, në të cilin i lëshoi metelikët, me të cilët do t`i gëzojë fëmijët…

Nuk i fali asgjë Isani. Vetëm do të jetë marrë vesh me të, që ai, me mjeshtërinë e  vet t`ia kryej një punë të vogël, e cila në këtë vigjilje të Vitit të Ri është tepër e madhe për të. Ata e njihnin njëri tjetrin  kohë më parë.  

            Isani, me lot në sy iu afrua automobilit, ndërsa ai, punëtori i së ardhmes, hyri në dyqanin më të afërm të bëj pazar e të kthehet në gjirin familjar, te fëmijët – shtatë, të cilët tërë natën e presin me kokë në dritare të gëzohen në këtë ndërrim  motesh, me ndonjë dhuratë dhe me buzëqeshje të hareshme, ta shkruajnë të kremten.

            -Ecim, Faik!

Rrotat e automobilit të puthitur  për trasenë e rrugës ikin me furi. Mbyll sytë dhe e  imagjinoj nga  shëtit një punëtor-në prag të kremtes së Vitit të Ri, nëpër qytet.

            -Prapë me minatorët, në qytetin e tyre, - foli Isani. – Prapë për gëzimet e pikëllimet e tyre, prapë për ëndrrat e tyre.

            -Për të njëjtat ëndrra krijojmë vinjeta dhe unë e ti, e secili,apo jo?

            -Eh, - do të përpihet me hidhësi Faiku, rrotat e automobilit të puthitur  për trasenë e rrugës ikin me furi...

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat