Pesha e mesazhit dhe e horizontit jetësor në këndimin poetik

Kultura

Pesha e mesazhit dhe e horizontit jetësor në këndimin poetik

Nga: Sejdi Berisha Më: 10 janar 2020 Në ora: 17:13
Sejdi Berisha

Rrugëtimi jetësor është ai tharmi dhe themeli që njeriun shpeshherë e detyron të përballet me të gjitha sfidat të cilat provokojnë shpirtin që t’i qaset edhe këndimit, edhe shkrimit, edhe vargut e pikturës, që janë reflektim i dhembjes, i mallit por edhe i lumturisë, e të gjitha këto, njeriun e bëjnë pjesë të madhështisë dhe e kalitin me njerëzoren, të cilat e mundin atë që përbrenda mendjes dhe vetvetes krijon e shkruan histori të kujtimeve të trishta por edhe të bukura. Ndërsa, krijimtaria, jo vetëm se fisnikëron, por edhe hapë horizonte për të thënë e për përjetësuar shumëçka në jetë. Si duket, i tërë ky konstatim, edhe pse është libri i parë, është mbrumur në “Shpirti peshon” i autores, Fitore Haklaj.

Moment nga promovimi i librit

Pesha e fjalës që shndërrohet në këngë, edhe në hidhërim, edhe në lumturi, edhe në dhembje...

Duke iu referuar biografisë së saj, atëherë, edhe këndimi poetik, s’do mend se kapërthehet me personalitetin e saj të kalitur pastër e qëndrueshëm, për çfarë na dëshmojnë edhe vargjet kushtuar peshës dhe mesazhit të asaj që quhet “fjalë”, e cila, edhe shndërrohet në këngë, edhe në hidhërim, edhe në lumturi, edhe në dhembje, e që bashkërisht krijojnë histori jete. Andaj, edhe pse në mënyrë të thjeshtë por të kapshme, autorja fjalën e konsideron diçka që kapërthehet e mishërohet me mirësinë, me edukimin, me qetësinë e shpirtit dhe me tërë madhështinë e ndijimin shpirtëror. Për këtë, tanimë poetja, në mes tjerash vargëzon: “Fjala është si mjalti/Ta lehtëson shpirtin /Ta ngrit ballin”!

Pra, kështu, ajo, fjalën e konsideron si nismën e të gjitha rrjedhave. Kjo, nënkupton se fjala si kuptim nuk është gjë e thjeshtë dhe as e lehtë, por edhe shumë e rëndësishme, nga e cila varet pothuaj se gjithçka!

Pas promovimit një foto me peshën e kujtimit

Autorja, në shikim të parë na duket se lexuesit i sjell diçka të thjeshtë dhe modeste, por, nëse e analizojmë më thellë vargun e saj, ndoshta modest, mund të konstatohet se ajo bën përpjekje për të na ofruar atë zjarrminë e dilemave të rrugëtimit jetësor, i cili rrugëtim nuk është aspak i lehtë dhe as i thjeshtë. Për çfarë, në mes tjerash vë në spikamë edhe këtë, se: “Shumë herë mendja më shkon /A ta bëjë atë rrugë që ka dy kahe/Duke e ditur që nuk ka ndalje/Apo ajo që është shumë e drejt/Dhe e pafund”.

Duke e lexuar me përkushtim librin “Shpirti peshon”, sikur para nesh na del një pikturë e paparë dhe e veçantë, e vargu është shpirti i pikturës, përbrenda saj mund të lexojmë e përjetojmë gjërat që peshojnë shumë, dhe si të tilla na detyrojnë edhe mesazhin e veçantë e shumë të përgjegjshëm, sepse: “Mos i harroni të gjitha kujtimet/Ato të bukurat i ruaj në zemrën time”. Vargjet e tilla, gjithsesi tingëllojnë edhe si këshillë por edhe si qortim!

Edhe etja, si pjesë e fuqishme e vargut dhe e këndimit, si pjesë e jetës së njeriut tonë për shumëçka e gjithçka, në këtë libër e hasim si një peshë që nuk dëshmon thjeshtë vetëm etjen, por edhe shumë gjëra që e rëndojnë apo e madhështojnë historinë e njeriut por edhe të kombit, e që etja më e rëndë dhe më e tmerrshme është kurbeti, malli dhe dashuria për vendlindjen dhe atdheun: “Etja ishte e madhe/Dhe buzët ishin tharë/Nuk më mbeti tjetër/Veç të filloj të qajë...”. Mirëpo, autorja nuk dorëzohet dhe as nuk i shuan shpresat për jetë të lumtur, pra, edhe për ta shuar etjen e cilitdo lloj qoftë. Për këtë edhe vargëzon: “Etja/Më shikoi në sy/Ma dha një buzëqeshje/Më tha ec përpara/Se do ta shuaj etjen”!

Fitore HAKLAJ

Këtë temperament këndimi, autorja e ka në shumë poezi, dhe se ajo, nuk heziton, që ashtu si ia thotë mendja e shpirti, lexuesit t’ia ofrojë mendimin dhe qëndrimin e saj: “Ah shpirt i pastër e në paqen e botës/Shikoje sa bukur është jeta në mendimet e mia/Vlerat e çdo mendimi që ke në kokë/Janë gjërat më të bukura që mund tˊi shijosh”.

Ose, kur thotë: ”Të lutem dritë e vogël, bëhu e madhe/Shndrit rrugën time, shndrit zemrën time/Çdo rreze e jotja më ngroh në shpirt/Më ndez ndjenjat dhe ëndrrat çdo ditë”.

Në këtë mënyrë, autorja shpërfaq diapazonin e saj të pastër, njerëzor, të begatë e të qëndrueshëm për ta përqafuar lumturinë dhe për ta luftuar dhembjen, e cila jo rrallë na zë gafil gjatë rrugëtimit jetësor, apo edhe na kapërthurë në rrjetin e saj.

Vargu që ngrit lartë bukurinë dhe mesazhin e poezisë

Nganjëherë, tek poezia e Fitore Haklajt, hasim edhe vargje të cilat sertshëm reflektojnë sfidat me jetën, siç është poezia “Amaneti”, por, vijnë e shndrisin edhe vargjet që dëshmojnë për qëndresën, për optimizmin dhe për jetën e lumtur, e që më së miri, më duket se ngritin lartë bukurinë dhe mesazhin e vargëzimit: “Ju dua sa yjet që janë në qiell/Ju dua sa diellin që çdo ditë na ngroh /Ju dua sikur ujët që etjen na e shuan/Ju dua sa jetën që nuk ka më”.

Në “Shpirti peshon”, autorja ligjëron edhe për shumë gjera që bëjnë trakullima në jetë, mbase edhe turbulenca, të cilat ndonjëherë dot nuk përballohen, si te poezitë, “Gabim”, Ik, shko” e të tjera. Mirëpo, kjo autore, që këtë libër e ka si fëmijën e parë, do të thotë gëzimin e parë, këmbëngulë dhe heshtjen asnjëherë nuk e pëlqen. Për këtë dëshmojnë edhe vargjet: “Largoje atë dhimbje/Se të lëndon shumë/Fole atë fjalë/Mos e mbaj si plumb”.

Të kësaj fryme i ka edhe shumë poezi, siç është ajo “Fryma” e të tjera.

Përmes këndimit poetik, autorja ka shprehur ndijimin shpirtëror edhe për figura të larta dhe për persona të dashur të saj, që, veç sa e shtojnë peshën përmbajtjesore të librit.

Poezitë në këtë libër, të cilat lëvizin si grafikon, sa poshtë lartë, trajtojnë thjeshtë e fuqishëm jetën me tërë atë bagazhin kurrë të pa shpjeguar dhe të papeshuar deri në fund, dhe vargëzimi me thjeshtësinë e vetë, lexuesin, jo vetëm se e bën për vete, por ia mundëson që edhe ai vargjet dhe poezitë t’i përjetojë dhe komentojë ashtu siç do vetë.

Dhe krejt në fund. Fitore Haklaj, kam përshtypjen se nuk i vë pranga as vargut dhe as këndimit. Gjithashtu, as nuk i vë me zor hijeshi relievit dhe as horizontit të vargut dhe poezisë, prej nga shijohet e përjetohet gjithçka, edhe pse, nganjëherë edhe autorja edhe vargu, reflektojnë zemërimin dhe hidhërimin bashkë!

Dua të shpresoj, se autorja në librin e radhës do ta na sjell këndim edhe më madhështor, duke kuptuar se krijuesi, në këtë rast, poetja, krijon paqe me vargun dhe kështu u jap përjetësi thellësive të mendjes dhe cilësisë, të cilat gjithnjë i kërkojmë. Është kënaqësi të krijosh, por edhe më shumë është guxim dhe përgjegjësi...!

Shkrimin do ta përfundoj me disa nga vargjet e autores së këtij libri kushtuar nënës: “Ah, fjalë e ëmbël fjala nënë/Kush ta shuan mallin si ti/Askush në botë nuk të kupton/Ti veç më ata sy kur të shikon”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat