Imitimet dhe ndikimet në krijimtarinë artistike

Kultura

Imitimet dhe ndikimet në krijimtarinë artistike

Nga: Mr. Bislim Aliu Më: 16 janar 2020 Në ora: 13:42
Mr. Bislim Aliu

Në periudhën e pasluftës për zhvillimin e artit shqiptar dhe shkallën e rritës së saj; është biseduar disa herë; në anën tjetër, pak ose fare pak është biseduar dhe janë vënë në spikamë, ndikimet dhe imitimet e veprave artistike që janë bërë [e po bëhen] në vijimësi nga krijuesit tanë artistik. Kjo zatën është bërë shprehi e keqe, monotone dhe vazhdimisht shumë e padurueshme.

Kjo më tepër më thotë mendja; është biseduar dhe është trajtuar disi në kafene dhe në ndeja të ndryshme kulturore. E, kur është fjala për imitimet dhe ndikimet nga veprat e ndryshme artistike, atëherë duhet pasur parasysh; si po bëhen ato dhe  në çfarë shkalle të imitimit dhe të ndikimit gjenden ato?. Në anën tjetër, a thua, deri kur do të sorollatemi me këtë dukuri imituese dhe ndikuese, të cilat po na shfaqen vazhdimisht, pa i ndalur askush?

Ndikimet që vazhdimisht përcjellen

Dihet mirëfilli se këto ndikime janë bërë, po bëhen dhe do të bëhen edhe në të ardhmen, bile tani me këtë trend shumë të shpejtuar. Kjo, pa më dyshje, po bëhet nga krijuesit e rinj; nxënësit, studentët, por edhe nga krijuesit të tjerë me përvojë që përpiqen të imitojnë krijuesit e dëshmuar dhe krijimtarinë e tyre artistike. Dhe s’do mend po ndikohen shumë prej tyre. Ata, gjithsesi mundohen që të përfitojnë sa më tepër të dhëna nga krijuesit e rryer që e kanë formuar stilin, drejtimin dhe rrëfimin e tij origjinal. Sidoqoftë, këta krijues të rinj që vazhdimish i përcjellin përvojat e të tjerëve, ata gjithsesi,, në veprat e tyre, duhet të ketë ndonjë vlerë sado pak që mund të llogaritet edhe si qasje e tyre individuale.

Megjithatë, kështu edhe nga historia e artit ka ndodhur me shumë krijues të mëdhenj, të cilët kanë huazuar elemente të ndyshme nga njeri tjetri.

“Disa kanë mendimin se, kur këto vepra janë njëmendësuar, duke i imituar stilin por jo vetë veprën, ato duhet pranuar si krijime origjinale. Ndërsa kur imitohet edhe vepra, atëherë kemi të bëjmë me plagjiaturë. Këto janë qendrime të njohura. Por ka edhe mendime se çdo imitim, derisa na jep kënaqësi estetike dhe është njëmendësuar me mjeshtëri, duhet të pranohet si krijim, meqenëse imitimi ka gjithmon diçka individuale” thotë J. Mato.

Pa mëdyshje, disi me vështirësi po pranohet  kjo e dhënë nga disa krijues tanë, meqë disa krijues [më të rinj] po ndikohen me të madhe nga krijuesit tjerë. Pra, ende, ne, nuk e kemi fituar atë “tolerancën artistike” për të thënë se; A thua, në ç’shkallë është bërë imitimi [kopjimi] i veprës apo stilit të tij! Dhe, a thua, a kemi ne krijues fare origjinal, siç po pretendohet ta paraqesim ndonjë krijues; ose siç pretendon ta paraqes ndonjëherë edhe kritika e jonë për lëmitë e caktuara?

Megjithatë, të shumtën e herave po venerohet shpërfaqja individuale e kreativitetit artistik. Pa mëdyshje, edhe kritika e jonë, sado reale që mund të jetë, po ka probleme në përcaktimin e kreativitetit të tij artistik.

Tani, në këtë kohë, pra të kohës moderne, s’do mend se është shumë vështirë që t’ja japim edhe mendimin tejet të kjartësuar për kreativitetin e krijuar. Sido që të jetë krijuesi në këtë kohë është i lirë që ta shpërfaq mendimin në mënyrën e vet, pra ashtu siç mendon,  për ta shprehur kreativitetin dhe filozofinë e tij kreative.

Pra, duhet të dihet fare qartë; a kemi të bëjmë me ndikimet [imitimet] e stilit dhe drejtimit të tij, apo thjesht kemi të bëjmë me ndikimin [kopjimin] e veprës së tij, e që atëherë ajo është plagjiaturë. Në këtë drejtim, mendoj; nëse një krijues mbështetet në veprën e ndonjë krijuesi tjetër, duke shfrytëzuar përvojen, stilin e tij, por që ai e bënë një interpretim paksa më ndryshe, ideoemocional; mendoj se kjo vepër e tij duhet të pranohet si krijim i tij origjinal i cili është shprehje drithëruese dhe individuale e tij.

Sot e gjithë ditën kemi parë, e po shohim gjithnjë dita-ditës vepra të krijuara dhe të ndikuara nga autorët e huaj me stile të ndryshme. Pra, imitohet stili, drejtimi, koncepti artistik; por që ja nuk imitohet vepra e tij artistike, atëherë doemos duhet t’i pranojmë ato si vepra autoriale të atij krijuesi.

Gjithsesi sot ndikimet më të mëdha po bëhen në muzikë

Zatën, përgjithsisht, këto ndikime, varg e vi po bëhen në të gjitha artet, e më së shumti në artin muzikor. Kjo dukuri, në këtë lëmi, i ka kaluar caqet e realitetit, normales besa edhe të kombëtares. Sot, gjithsesi jemi plotësisht të vetëdijshëm, se në shumicën e këngëve shqipe dëgjohet me të madhe melosi; indian, arab, serb, grek, turk… dhe besa, çdo gjë tjetër, por më së paku melos shqiptar! Ndaj, pse po tolerohet  kjo marrëzi dhe deri kur të bëhen kopjime e imitime nga meloset e huaja?

S’do mend se ndikime dhe imitime kemi edhe në artet tjera; pamore, letrare… Megjithatë, tendenca për të shkuar përpara duhet të jetë evidente. Ama, nuk mund të shkohet përpara me këto imitime, kopjime dhe ndikime të shumëllojta. Zatën ky bastardim i të ndikuarit është përherë i pandalshëm i përhershëm dhe nuk ka të ndalur. Eshtë koha e fundit që t’i thuhet stop kësaj hipokrizie!!!

Dihet mirëfilli, se ne kemi potencial dhe dije të dukshme përparimi në të gjitha nivelet dhe besa, edhe në të gjitha artet në përgjithësi. Por, që ja, e zgjedhim rrugën më të lehtë për të kopjuar. Ne, pra, duhet të jemi, ata që jemi. Dhe, nuk na duhen imitimet, improvizimet, kopjimet e të tjerëve. Ndaj, asgjë nuk na duhet shpërfaqje e huaj, vetëm shpërfaqja e jonë do ta ketë peshën tonë origjinale dhe kombëtare.

Krejt, në fund, mendoj; është e udhës që sa më parë të mbahen; kongrese dhe seminare të ndryshme, dhe në këto seminare, të mbahet tema bosht; Ndikimet dhe imitimet në krijimtarinë tonë artistike. Duhet patjetër të qitet në rend të ditës kjo laramani e tepruar artistike që po na plandos shpirtin dhe mendjen njëkohësisht. Dhe me këto shpërfaqje të huaja, ne nuk mund të arrijmë përparim për ta shprehur unin tonë dhe shpirtëroren tonë të ndjesuar. Mendoj se është koha dhe momenti i fundit që të ndërprehen kopjimet dhe imitimet e të tjerëve. Ta paraqesim individualitetin dhe shpirtin e kombit tonë. Dhe asnjëherë dhe askurrë nuk kemi nevojë për shpërfaqje të kiçit duke i kopjuar të tjerët. Dhe, stop njëherë e përgjithmonë, laramanisë kreative  të imitimit duke i kopjuar të tjerët.

Shpresojmë dhe presim ditë më të mira ku do të shprehet qenja e jonë shqiptare dhe kombëtare. Ajo zatën, është jona, realja, individualja dhe shpirtërorja e jonë kombëtare.

Kjo, gjithsesi, do të jetë drita, rrita, vezullimi dhe qenja e jonë kombëtare e shpërfaqur në krijimtarinë tonë artistike dhe kulturore. Shpresojmë në ditët më të mira e më të ftytshme artistike…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat