‘Jam i lodhur duke parë fytyra femrash të rrethuara nga botoks, dëshiroj të shikoj femra të pavarura, jo skllave të burrave’

Kultura

‘Jam i lodhur duke parë fytyra femrash të rrethuara nga botoks, dëshiroj të shikoj femra të pavarura, jo skllave të burrave’

Më: 19 janar 2020 Në ora: 08:10
Charles Bukowski

Padyshim Bukowski është një nga shkrimtarët dhe poetët më “autobiografikë” në historinë e letërsisë. Si romanet apo tregimet, ashtu dhe poezitë e tij nuk janë gjë tjetër, veçse një transformim në formë letrare të jetës së autorit, përshkruar “me një vërtetësi prej një njeriu që s’ka asgjë për të humbur”.

E ndonëse forma autobiografike haset shpesh në prozë, në poezi, sidomos në varg të lirë, ajo është tepër e vështirë dhe kërkon virtuozitet të jashtëzakonshëm. Këtë virtuozitet e gjejmë kudo në poezitë e Bukowskit, që nuk ngurron të kthejë në varg biseda cubash në cepin e rrugës, sherre grash të lodhura nga jeta apo shkëlqimin që has në sytë e maces së tij.

Megjithatë, ekziston një veçanti në formën autobiografike të autorit. Padyshim, gjithçka frymëzohet nga ndodhi të jetës së tij, por në këtë pikë vlen të ngremë pyetjen: cili është Charles Bukowski, autor? Që në fillim të veprës së tij, Bukowski krijon personazhin e tij artistik: Henry Chinaskin, ose Henkun, siç e thërrasin miqtë. Një personazh shumë i ngjashëm dhe i frymëzuar nga vetë autori, por dhe shumë i ndryshëm për sa i përket karakterit të tij shpërthyes. Këtë ndryshim e ka spikatur fillimisht miku dhe biografi i autorit,

Neeli Cherkovski, i cili i referohet Henkut letrar si një personazh-mjet për të fshehur dobësitë e Charls-it. Histori që në të vërtetë mbylleshin me një përshëndetje të thjeshtë, në prozën apo poezinë e autorit përfundojnë me rrahje të përgjakura, që shpëlahen me birrë, verë, uiski (gjithmonë të cilësisë më të ulët), ose të vjella. Ky transformim i realitetit s’është gjë tjetër veçse një pasqyrim i vuajtjeve shumë më të thella, se ato të shkaktuara nga të rrahurat. Bukowski vuan thellë dhe pamundësia e tij për të rënë dakord me jetën e rezervuar për të dhe të ngjashmit e tij, nga shoqëria, vjen e përshfaqur përmes grushteve, shkelmave, zemërimit.

Për mendimin tim, ky është dhe këndvështrimi nga i cili duhen perceptuar skenat e dhunshme që shoqërojnë gjithmonë rrëfimin e tij. Henku ka diçka të frymëzuar nga Hemingway-dhe Bukowski bëri gjithçka që cilësitë e tij të dukej se i përkisnin vetë autorit. Ketë sforcim ai e shpreh dhe në poezinë “Zogu i kaltër” ku i kërkon kësaj brishtësie të personifikuar në zogun e kaltër, të mos dalë në sipërfaqe, pasi kështu do të rrezikonte shitjet e autorit të suksesshëm në Europë. Por “zogun e kaltër” nuk ngurroi ta sillte në dritë biografi i tij në botimin “Hank a life”.

Zbulimi i Cherkovski-t mbi këtë ndërtim fiktiv të alteregos së autorit, u bë dhe shkaku i cenimit të miqësisë së tyre, e cila për këtë arsye u ftoh gjatë viteve të fundit të jetës së autorit.


“Nuk kërkoj kurrë të përmirësohem ose të mësoj diçka, qëndroj ekzaktësisht siç jam. Nuk jam ai që mëson, jam një që shmang. Nuk kam dëshire të mësoj, ndjehem përsosmërisht normal në mënyrën time të çmendur. “
“Po çfarë shmangni?”
“Për t’u bërë si të tjerët.”

I dua vetmitarët, ata ndryshe, ata që nuk i takon kurrë.
Ata të humburit, të shkuarit, shpirtshkatërruarit.
Ata me shpirtin në flakë…

‎”Patëm vendosur të çonim ilaçe në Afrikë…por tek të gjitha shkruhej: Pas buke!”
”Jam i lodhur duke parë fytyra femrash të rrethuara nga botox. Gjinj të tejmbushur , të copëtuar nga konkurrenca , prapanica të ekspozuara, taka dhe truke kozmetike, gjeste të vështira për gratë e lirshme, tashmë të padallueshme edhe nga ato të zanatit …”

”Dëshiroj të shikoj femra me feminitetin e tyre, me sjellje të butë, me buzëqeshje plot hir, lëvizje joshëse , me fjalë të ëmbla dhe të sigurta në të njëjtën kohë. Me mendime origjinale dhe të reja. Dëshiroj të shikoj femra të pavarura, jo skllave të burrave që sakrifikojnë dinjitetin e tyre. Femra me zemra prej akulli të shkrirë, shoqe dhe mike të meshkujve, të lira dhe të sinqerta”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat