Tirana, Vlora, Shkodra, Elbasani,... fjalë të ngujuara në zemër

Kultura

Tirana, Vlora, Shkodra, Elbasani,... fjalë të ngujuara në zemër

Nga: Sejdi Berisha Më: 22 janar 2020 Në ora: 15:15
Sejdi Berisha

Sa herë që kam dëshirë të shkruaj apo të them diçka në shkrimin tim, në të njëjtën kohë ndjej një dridhje por edhe kënaqësi, e kur të bashkohen këto, sikur më bëjnë më të lumtur për guximin që kanë njerëzit. Ndoshta, një gjë e tillë edhe të detyron të futesh në brendinë e njeriut dhe të nxjerrësh gjëra që i ngjajnë misterit, apo ta hasesh dritën, e cila rri në terr dhe ashtu me ngjyrë ndryshku dhe erë myku. Dhe, pikërisht për këtë arsye, më kujtohet Gabriel Garcia Marques, i cili thotë: “Çdo gjë që del nga goja ime, më shqetëson mua”! Po, natyrisht se ashtu është, kur ende ka shumë gjëra pa u thënë ashtu si duhet. Por, kjo (s)ka rëndësi...

“Dikur, kur babai im ma përmendte Tiranën, krahinën e Tropojës, kur më fliste për Shqipërinë, më dridhej trupi, shpirti s’më zinte vend

Tirana, Vlora, Shkodra, Elbasani,... m’u bën fjalë e ngujuar në zemër, edhe varg poetik që e ruaja në shtatë palë tokë, në shtatë palë qiell, atëherë kur babai nuk ishte më.

*    *    *

Posa dolëm nga restoranti, na afrohet një burrë në moshë të mirë që mbante syza dielli. Na u afrua, hoqi syzet dhe u përshëndet së pari më mua e pastaj edhe më dy miqtë e mi.

Me përzemërsi më pyeti se ku gjendem. Kur i thash se për çdo ditë jam në “vendin tim”, në restorantin “Nositi”, menjëherë më tha:

-Ka kohë që nuk të kam parë! – më flet me përzemërsi dhe m’i kishte ngulitur sytë thua se sikur donte për të më studiuar, apo kishte aq etje për t’u takuar me mua.

Ky njeri, i cili një kohë kishte qenë edhe kryetar gjykate, më pyeti edhe për krijimtarinë time dhe na luti të kthejmë sërish në restorant për nga një kafe. Por, ishte vonë dhe që të tretë iu falënderuam. Në shenjë përshëndetjeje, ma zgjati dorën:

-Sërish po të them, se ka kohë që nuk të kam parë, dhe, të ta them të vërtetën, kur të shoh dhe kur të takoj Ty, disi të identifikoj me Pejën...!

Ngela i nemitur, por vetëm arrita t’i them: Ju faleminderit! Ndërsa, në ndërkohë, njëri prej miqve të mi, posa u larguam pak nga ky njeri, me admirim shtoi:

-E sheh, çfarë do të thotë të bësh e të krijosh vepra... Të shkruash monografi si atë “Zejtarët e Pejës” dhe “Teatri i Pejës”?!

Pas kësaj, të tretë ngelëm pa thënë asnjë fjalë, pa dhënë koment për këtë, por unë vetëm ngrita supet, që ishte shenjë se megjithatë thoshte diçka... Kështu u ndamë me dëshirën për t’u takuar sërish nesër apo një ditë tjetër...

*    *    *

Një ditë, sërish duke kaluar atypari, por tani duke u kthyer në shtëpi, pranë asaj ordinance grumbuj njerëzish. Bënte vapë, kurse ata në pishë të diellit. Duke shikuar pa cak, dëgjoj një zë duke më thirr me emër. Kthehem dhe shikoj. Nga turma ndahet njëri i cili më përshëndeti me: mirëdita!

E shikova, por nuk e njihja dot. Ishte një plak thatak me një kasketë në kokë, që ma qonte mallin e atyre pleqve nga Kalabria. U ngrit në këmbë dhe duke kaluar këndej rruge ku isha unë, ma shtrëngoi  dorën duke më thënë:

-Ndoshta nuk më njeh, por jemi takuar para një viti e sa, në të pame me rastin e vdekjes së gazetarit N. L. Prej aty, kurrë nuk të harroj dhe shumë të respektoj,... Ishe njeri i madh! –pa përfunduar tërë atë që kishte pas ndërmend, lotët ia përlanë faqet thatake. Edhe njëherë ma shtrëngoi  dorën me të dy duart e veta, duke mos mundur të flas nga dridhja e buzëve. Iku atje ku kishte qenë duke pritur për ta “relaksuar” kurrizin e tij të shtrembëruar nga koha.

Ngela mu sikurse njeriu i varur në ndonjë gozhdë të madhe, që rri kacavjerrë, dhe duke u luhatur si lavjerrës pret se ç’po ndodhë me te. Ashtu, i shtangur vazhdova rrugën për në shtëpi. Vapa e kishte bërë të vetën. I tëri isha bërë qull nga djersët. Më digjnin sytë. Nuk e di, nga djersët apo nga kripa e lotëve të atij plakut që më kishte përshëndetur, dhe me fjalët e tij ma hapi edhe një plagë, dhe ec e gjëje ilaçin për ta shëruar atë! Nuk e di, por për ngushëllim vetvetes, thash: “po, sa njerëz e njerëzi, po sa butësi i nevojitet këtij populli, kësaj toke...!

Të jeni të sigurt, edhe mua,... po sa shumë më shtrëngon kurrizi,... sa më dhembin eshtrat,... si të isha i rrahur, maltretuar dhe i vuajtur prej ditës kur më lindi nëna!

*    *    *

Nuk kishte shumë kohë që në Tiranë isha në një manifestim, në një dasmë, por kjo dasmë kulturore. Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë u promovuan disa vepra të krijuesve dhe krijueseve nga Shqipëria dhe nga Kosova. Ishte madhështi dhe kënaqësi, që frymonte me aromën e bashkimit krijues e shpirtëror. Për këtë, edhe unë fjalën time përkitazi me disa nga veprat që promovoheshin e fillova kështu: “Dikur, kur babai im ma përmendte Tiranën, krahinën e Tropojës, kur më fliste për Shqipërinë, më dridhej trupi, shpirti s’më zinte vend; athua çfarë ëndrre është kjo që ma tregon prindi im me plis të bardhë, kurse babait tim duke folur i përvidheshin lotët nëpër të qarat e faqeve.

Dikur, kur u rrita, fjala Tiranë, Shkodër, Tropojë, m’u bënë flakë shpirti, ëndërr e parealizuar, etje e pashuar. Edhe atëherë babait i përvidheshin lotët, por edhe lotët e mi ma përcëllonin rininë. 

Dikur më vonë, kur u rrita pak më shumë, Tirana, Vlora, Shkodra, Elbasani,... m’u bën fjalë e ngujuar në zemër, edhe varg poetik që e ruaja në shtatë palë tokë, në shtatë palë qiell, atëherë kur babai nuk ishte më.

Kurse tash, po të ishte sot gjallë im at, do t’i thosha: Ja, o prindi im, rrëfimet tuaja, etja për atdheun, por edhe ëndrrat e mia u bën realitet. Tash, Tiranën dhe tërë Shqipërinë e përqafoj si dua vetë...”.

Gjatë fjalës sime, disa herë më ndërpriten me duartrokitje. Ndërsa, pasi mbarova fjalën, redaktorja e një shtëpie botuese në Tiranë, nuk ia mësova emrin, ma kërkoi fjalën time të shkruar:

-A ka mundësi të ma jepni shkrimin Tuaj, së paku atë pjesën e parë, që ishte e padëgjuar kështu ndonjëherë, aq me peshë e me domethënie...

Ia dhashë shkrimin, por ngela duke medituar, athua me të vërtetë kisha thënë diçka të mençur... Athua, sikur të ishte babai im gjallë, çfarë do të më thoshte sot, dhe, a do të më përqafonte për shuarjen e etjes sime, për shkrumbin e tij. Por, më së miri Ju jepni vlerësimin për këtë gjë, e cila edhe sot e kësaj dite ende nuk është puthitur në binarët e jetës. Fjalën e kam për unitetin e mendjes dhe të veprimit,... E dini ju fort mirë...!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat