Neil Young bëhet shtetas amerikan

Kultura

Neil Young bëhet shtetas amerikan

Më: 26 janar 2020 Në ora: 14:04
Neil Young

Ëndrra e Neil Youngut për t’u bërë shtetas amerikan është realizuar më në fund. TMZ e ka xhiruar një video-klip të kantautorit derisa po zbriste nga një shkallë lëvizëse para Tom Bradley Hall në Qendrën e Kongresit në Los Anxhelos, duke i mbajtur dokumentet e tij me njërën dorë dhe duke e valëvitur një flamur të vogël amerikan me tjetrën. Pranë Youngut ishte gruaja e tij, aktorja Daryl Hannah.

Young gjithashtu e postoi një përditësim në faqen e tij të internetit ku thuhej: "Me kënaqësi po raportoj se jam brenda!", e që përfshin përshëndetjen e veteranit të rockut përpara një tavoline ku ishte shenja që thoshte: "Demokratë, regjistrohuni për të votuar këtu." "Voto ndërgjegjen tënde", shkroi Youngu, i rrethuar nga flamujt amerikanë dhe kanadezë.

Artisti, i cili ka lindur në Kanada, por ka jetuar në Kaliforni që nga mesi i viteve '60, aplikoi për nënshtetësi të dyfishtë vitin e kaluar. "Unë jam akoma kanadez, nuk ka asgjë që mund ta heqë këtë nga unë," tha ai, me qëllim që të mund të marrë pjesë në zgjedhjet amerikane. Por, sidoqoftë hasi në vështirësi.

"Kur kohë më parë e bëra kërkesën për nënshtetësi amerikane, unë e kalova testin," shkroi ai. "Ishte një bisedë ku më bënë shumë pyetje. U përgjigja me vërtetësi dhe kalova. Megjithatë, kohët e fundit më kanë thënë se duhet ta bëj një test tjetër, për shkak të përdorimit të marihuanës dhe se disa njerëz që e përdorin atë kanë shfaqur probleme."

Young shtoi se, më herët në vitin 2019, prokurori i përgjithshëm i atëhershëm, Jeff Sessions, e vendosi një vërejtje të re të politikave në Ligjin e shtetësisë dhe shërbimeve të emigracionit në ShBA, që thotë: "Aplikanti që është i përfshirë në disa aktivitete të lidhura me marihuanën mund të ketë mungesë të GMC-së (Karakterit të mirë moral), nëse konstatohet se e ka shkelur Ligjin federal edhe nëse një veprimtari e tillë nuk është e kundërligjshme në bazë të ligjeve të zbatueshme të shtetit ose të ligjeve të huaja."

"Sinqerisht shpresoj se kam shfaqur karakter të mirë moral dhe do të jem në gjendje ta votoj ndërgjegjen time ndaj Donald J. Trumpit dhe kandidatëve të tij amerikanë (të paemërtuar)", shtoi Youngu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat