Ligji i të fortit

Kultura

Ligji i të fortit

Nga: Dibran Demaku Më: 6 shkurt 2020 Në ora: 13:32
Dibran Demaku

Në një përrallë popullore thuhet: Një njeri kishte vrarë nëntëdhjetë e nëntë njerëz.(Ishte koha kur ose nuk kishte ligje ose ligjin e bënin të fortët). Dikur pendohet për gjithë ato vrasje dhe kërkon ndihmë nga ndonjë i mençur që nëse jo para njerëzve së paku para zotit të dilte i falur!

Kërko andej e kërko këtej, askush nuk mund t‘i dilte në ndihmë!...Një ditë duke kaluar nëpër një fshat takon një të moshuar afër të njëqindave. Përshëndetet me të moshuarin dhe në bisedë e sipër i tregon edhe për brengën e vet...Moshuari mendon e mendon dhe në fund i thotë:-Pesha jote e fajit është e rëndë! E rëndë sa bjeshka që kemi përballë!...Por pasi ke vendosur që të ndryshosh mendje, në mënyrë që nëse jo para njerëzve, së paku para zotit të dalësh i larë vepro kështu: mbille një arë me bostan(shalqi)dhe afër arës hape një rrjedhë uji, një krua! Në arë mbille një dru të tharë! Kushdo që të kalojë pranë arës ftoje të hajë shalqi dhe le të pijë ujë në krua. Nëse ndonjëri nga kalimtarët nuk do as shalqi të hajë e as ujë të pijë, mos e lë të kalojë, që do të thotë vrite! Ti edhe ashtu paske vrarë shumë njerëz, një më shumë e më pak tek ti nuk qon peshë!...Nëse ndonjëherë nga druri i thatë i mbjellë në arë del e pip i ri dije se atëherë do të jesh i falur nga zoti...

-Detyrë të rëndë më ke dhënë o mik, ia kthen hallegjiu të moshuarit!...Po ku lulëzon pipi i ri në dru të thatë?!

-Provoje dhe nuk i dihet, mbase edhe në dru të thatë lulëzon pip i ri!...

Hallegjiu ndahet nga i moshuari dhe gjatë tërë rrugës deri në shtëpi të vetë e vretë mendjen nëse ia vlente të provonte çfarë i kishte thënë i moshuari!...Atë natë e gdhinë duke menduar e çmenduar nëse t‘i hynte një sprove të tillë?!...Gjithçka ia merrte mendja se mund të ndodhte, veç për një gjë nuk i mbushej mendja: që pipi i ri të lulëzojë në dru të thatë!...

Megjithatë i mbushet mendja të provojë sprovën që ia kishte treguar i moshuari: mbolli një arë me shalqi, hapu një krua dhe mbolli një dru të thatë në arë. Kushdo që kalonte nga ara e tij do të hante shalqi dhe do të pinte ujë në krua dhe pastaj do të vazhdonte rrugën...Në fund të çdo dite hallegjiu shikonte nga druri i thatë, por nga ai dru nuk po bulonte asnjë pip i ri! Kjo do të thoshte se zoti nuk po e falte se nuk po e falte për gjithë ato vrasje që kishte bërë! Shpeshherë në kokë i lindëte dilema që ta linte atë punë sepse ishte punë që nuk bëhej: të bulonte pip i ri në dru të thatë, ishte diçka që as nuk kishte ndodhë e as që mund të ndodhte!...Megjithatë hallegjiu vazhdonte punën e tij!...

Një pasdite vere kur dielli ishte drejtuar andej nga perendimi, hallegjiu e vërejti një njeri që po vraponte dhe as do të ndalej të hante shalqi e as të pinte ujë në krua! Hallegjiu ia zuri pritën dhe nuk e linte të kalonte pa hëngër shalqi dhe pa pi ujë në krua! Kalimtari ishte djersitur i tëri nga vrapi që kishte bërë!

-Do të hash shalqi dhe do të pish ujë në krua se s’bën!-po i thoshte hallegjiu!

-O nuk dua as shalqi e as ujë po më lësho rrugën se po vonohem?!-ia kishte kthyer kalimtari.

-Çka është gjithë ky siklet bre jaran?-e kishte pyetur hallegjiu dhe kishte shtuar:-vetëm pesë minuta e pastaj ik në punën tënde?!

-Çfarë pesë minuta e çfarë bakraçi, po nëse unë vonohem këtu pesë minuta ajo punë do të jetë krye!...

-Çka qenka ajo punë që po u kryeka për pesë minuta lumë miku?!

-O në filan katund(dhe e kishte  katundin) ka shkuar një mësit(shkues që të qojë një fjalë nuseje, ndërkaq unë duhet të arrijë atje para tij që të prish atë punë, që ajo fejesë të mos bëhet?!...

-Po përse prishë punë more burrë, përse nuk i lë dy të rinj të bashkohen?!...

-Sepse ashtu dua unë!-ia kishte kthyer kalimtari dhe duke shtyrë hallegjiun kishte liruar rrugën dhe kishte nisur vrapin!

-Më fal o zot, por ky e paska hak plumbin!-dhe pa një pa dy kishte shtirë mbi kalimtarin. Kalimtari ishte rrëzuar në rrugë pa frymë, ndërkaq hallegjiu duke dashur që të shihte diellin në perëndim e sipër i kishte vajtur shikimi tek druri i thatë. Kur çfarë të shihte: në majë të drurit të thatë kishte buluar një pip i ri?!...

Kështu ishte kur ligjin e bënin të fortët, apo kur nuk kishte ligje fare?!Në Kosovën tonë të dashur ka ligje! Ka ligje, por për ato ligje nuk duan të ia dinë të fortët?!...Sepse të fortët e Kosovës i kanë instaluar në krye të ligjeve ose familjarët e vetë, ose miqtë dhe dashamirët e vetë, ose militantët e partive të tyre pa asnjë ditë shkollë, por me diploma universiteti?!...

Sot, në Kosovën tonë të pavarur e sovrane-siç e quan atë presidenti Hashim, të fortët mund të vrasin kë të duan dhe sa të duan, dhe të shëtisin të lirë pa u hyrë asnjë ferrë në këmbë!

Sa e sa raste të tilla që njihen me emër e mbiemër që kanë bërë vrasje dhe shëtisin të lirë sepse kështu kanë vendosur miqtë e tyre nëpër organet e drejtësisë?!...Ata kanë bërë vrasje, ndërkaq miqtë e tyre në organet e drejtësisë, prokurorë, gjykatës e avokatë, apo më the e të thash, ata i lirojnë duke i cilësuar si të dyshuar e jo si vrasës?!...Dhe kur dikush thotë dhe pyet se si është e mundur, që vrasësi të cilësohet si i dyshuar(siç)kur dihet se ai e ka vrarë njeriun, dhe i vrari kalbet në varr, ndonjëri nga të mëdhenjtë e ligjeve të shtetit tonë të lirë, të pavarur dhe sovran, ta kthejnë:-ç‘ju desh të vrarit që ta nxiste vrasësin që ta vriste?!...Dhe kështu fajtor mbetët i vrari, ndërkaq vrasësi mbetët i dyshuar, lirohet me kusht, apo arrest shtëpiak dhe tërë ajo kohë i numërohet si të ishte prapa grilave, në burg...

Në Kosovën tonë të lirë, të pavarur dhe sovrane, të fortët mund edhe të burgosen ndonjëherë, por burgun e bëjnë si të duan ata vetë?!...Ikin kur të duan nga burgu, rrinë me javë e muaj nëpër spitale, si të sëmurë, ikin edhe nga spitalet, dhe kur rizihen nga organet e rendit, organet e drejtësisë i nxjerrin si të pafajshëm, me arsyetimin se ata me ikjen e tyre nuk kanë bërë veprim të dënueshëm, sepse dihet botërisht se i dënuari ka të drejtë që të ikën dhe të mos quhet fajtor(siç)?!...

Në Kosovën tonë të lirë, të pavarur dhe sovrane kemi ndërtuar organe ligjore e të drejtësisë sipas standardeve demokratike të botës perëndimore?!...Vetëm se ato në vendin tonë nuk vlejnë për të fortët?!

Kryeministri i ri ka premtuar se në Kosovën e lirë të pavarur dhe sovrane do të riinstalojë rend dhe ligj, për të gjithë njësoj?!...Veçse do të hasë në pengesa të shumta nga të fortët që janë kudo?!...Nëse ia arrin kësaj ëndrre kryeministri i ri, për Kosovën do të bulojnë pipa të rinj në dru të thatë, ashtu si në përrallë?!...A do të ia dali vallë?!...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat