Shtyhet inaugurimi i rikonstruksionit të Teatrit të Operës, sezoni artistik nis me “Puccini in love” - Bota Sot
Shtyhet inaugurimi i rikonstruksionit të Teatrit të Operës, sezoni artistik nis me “Puccini in love”

Kultura

Shtyhet inaugurimi i rikonstruksionit të Teatrit të Operës, sezoni artistik nis me “Puccini in love”

Më: 6 shkurt 2020 Në ora: 15:01

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit do të nis sezonin artistik për vitin 2020 me “Puccini in love”. Ndryshe nga sa ishte parashikuar se puna për këtë sezon për solistët e operës do të niste në shtëpinë e tyre, koncerti do të zhvillohet në Qendrën Kulturore Ortodokse.

Prej tre vitesh stafi artistik i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit kanë bërë provat në ish-Kinostudio. Edhe për këtë sezon  kori i drejtuar nga Dritan Lumshi, orkestra e dirigjuar nga Edmond Doko edhe solistët janë duke u përgatitur për koncertin e parë për vitin 2020 me arie të Xhakomo Puçinit (Giacomo Puccini-t) në sallën “Tefta Tashko” në Ministrinë e Kulturës. Janë arie të operave të njohura të Puccinit, si nga “La bohème”, “Toska” dhe “Madame Butterfly”,  në të cilat dominojnë personazhet femëror, heroina që luftojnë për dashurinë e tyre, edhe pse përjetimet e tyre dramatike janë  të mëdha. Artistët më në zë të operës rrëfejnë ariet që i bën bashkë në “Puccini in love”.

“Është një koncert shumë i bukur me ariet më të bukura të operave të tij. Është një nga kompozitorët që unë kam luajtur më shumë në skenë, që ka në qendër të veprave të tij njerëzit e thjeshtë edhe shpirtin femëror”, shprehet sopranoja Eva Golemi.
“Është ndjesi e madhe kur performon Puccin-in, sepse dramaticiteti që ai ka përçuar në veprat e tij, të bën të ndjesh sikur e përjeton këtë edhe në jetën reale”, shprehet tenori Armaldo Kllogjeri.

Do të këndojë arien e Butterfly-t, një ndër ariet më të bukura dhe më dramatike që përçon momentin më kulminantë të operës. Jam shumë e shumë emocionuar, që do të këndojë këtë arie”, thotë sopranoja Shpresa Beka.

“Puccini-i si kompozitor i shpirtit femëror ka arie dhe vepra të jashtëzakonshme. Ai i përshkruan me detaje karakteristikat e një gruaje për t’u vetësakrifikuar në emër të dashurisë”, shprehet sopranoja Nina Muho.

Gjatë javës së ardhshme, artistët do të nisin zhvendosjen graduale për në Teatrin e Operës dhe Baletit, lajm ky për të cilin nuk e fshehin entuziazmin që ndiejnë.

“Pas tre vitesh hymë në shtëpinë tonë, është një kënaqësi e madhe. Edhe pse salla e operës  akoma kërkon akoma punë, për ne e rëndësishme për është  që publiku të vijë edhe të na duartrokas në TKOB. Një pritje e gjatë që besoj se ja ka vlejtur”, shprehet Goelmi.

 “Kam punuar 20 vjet në atë opera, por është kënaqësi për ne edhe brezat e rinj, që do të punojmë në kushte dinjitoze, siç e meriton një artist”, shprehet sopranoja Shpresa Beka.

“Në Teatrin e Operës kam qenë në kor, ndërsa tani kthehem si soliste edhe është akoma më emocionuese. Do të kthehemi në shtëpinë tonë me kushte të mira”, shprehet sopranoja Nina Muho.

Ndërsa, inaugurimi i Teatrit të Operës i parashikuar për në muajin shkurt, është shtyrë për në qershor, prandaj “Puccini in love” do të prezantohet për publikun në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse në 7 shkurt, ora 19.00. Projekti i rindërtimit të operës ka kushtuar rreth 1.2 miliard lekë. Nga investimi 1.2 miliardë lekë, ishte parashikuar që 350 milionë lekë të përdoreshin nga granti grek dhe 861 milionë lekë nga buxheti i shtetit (ndarë në 3-vite, 2017-17 milionë, 2018-394 milionë dhe 2019- 450 milionë lekë).
Punimet kanë nisur në shkurt të vitit 2017, edhe sipas deklaratës publike së ish-ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, duhet të përfundonin për 3 vjet (shkurt të 2020-s)

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat