Nxënësja e etur e gjuhës romanshe

Kultura

Nxënësja e etur e gjuhës romanshe

Nga: Alfred Papuçiu Më: 6 shkurt 2020 Në ora: 16:56
Alfred Papuçiu

Ajo duhet të kishte rreth gjashtëdhjetë e dy vjeç dhe punonte për Kryqin e Kuq zviceran në Bernë. Diskutuam miqësisht, ulur rreth një tavoline, në një restorant pranë Parlamentit, duke pirë një kafe të mirë ekspres. Unë fola për hallet e njerëzve të vendit tim, për nevojat e tyre, dëshirat dhe duke ju përgjigjur ngulmimit të saj i thashë se me çfarë mund të ndihmohej ai vend i vogël.

Pas një çasti, kur biseda po zhvillohej shumë lirshëm dhe dëshiroja të kalonim nga problemet zyrtare në ato vetjake, i drejtova një pyetje: "Zonjë, ku do t'i kaloni pushimet?"  

Prisja të më thoshte diku "në një vend ekzotik", apo diku në Europë, duke patur parasysh dëshirën e zjarrtë të zviceranëve për të udhëtuar gjetiu, çdo vit, e pastaj për të treguar me shumë elokuencë vendet që kishin parë, guzhinën që kishin provuar, njerëzit që kishin takuar.                                                       

Duke buzëqeshur, bashkëbiseduesja ime m'u përgjigj: "Vitin e kaluar fillova të mësoj romanshen (gjuhë e katërt, e përdorur qysh në kohët e krijimit të Zvicrës) dhe këtë vit do të doja të përmirësoj njohuritë e saj, atje ku ajo flitet çdo ditë. Gjuhët janë një dëshira ime e zjarrtë dhe e veçantë. Që në vogëli kam ëndërruar ta di edhe romanshen. Natyrisht, disa nocione të saj i kam patur, por puna dhe telashet e tjera nuk më kishin lënë më parë të merresha shumë me të. Tani që kam kohë, do t'i rikthehem. S'ka gjë më të bukur se të kthehesh sidomos në trevat ku ka lindur një gjuhë plot muzikalitet, e përdorur nga të parët tanë".                                   

E shikoja me admirim atë grua, që pavarësisht nga mosha, kishte vullnet e vazhdonte të mbetej një nxënëse e zellshme e mësimit të një gjuhe tjetër, një dritare drejt një bote rustike, të bukur, të pastër. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat