Istogu qytet, në një rrëzë mali,
Burimi plot ujë, rrjedh si kristali.
Je gur i çmuar, në gjerdan Kosove,
Luftën për liri, kurrë s’e ndalove.
Natyra plot ngjyra, të dha bukuri,
Shpirtit pa kursim, shumë bujari.
Gra e burra qeshur, me zemër stralli,
Si shqiponja zbritur, nga çdo majë mali.
Të zbardh dëbora, të ndrit rreze dielli,
Nga furtuna serbe, u nxi, u ça qielli,
Hasmi s’të kurseu, mbi ty derdhi rrufe,
Djemtë e tu ranë, heronj për atdhe.
Trima të fortë, mbirë rrënjë lisi,
Hije u ka mbi krye, shqiponja e plisi.
Bjeshkën dhe gurin, për liri e kallin,
Në kushtrim të dheut, vrapin nuk e ndalin.
Me zemër të mbushur, ju priu liria,
U ngrit Kosova, mbarë shqiptaria.
Në zjarr beteje, nuk t’u dridh qerpiku,
Rënkim e lot nënash, nuk i pa armiku.
Në themele guri, kala Dardania,
Në kuvend burrash, shtruar burrëria.
Gdhendi në Istog, histori lavdie,
Një flamur fitore, flamur Ilirie.