Kujtimet e një muzikanti, ‘Një jetë me muzikën’ e Nikollaq Bulos - Bota Sot
Kujtimet e një muzikanti, ‘Një jetë me muzikën’ e Nikollaq Bulos

Kultura

Kujtimet e një muzikanti, ‘Një jetë me muzikën’ e Nikollaq Bulos

Nga: Përparim Hysi Më: 9 shkurt 2020 Në ora: 19:49
Përparim Hysi

Kur mbarova së lexuari librin e Nikollaq Bulos "Një jetë me muzikën", më erdhën në mend një varg asociacionesh, apo dhe thënie njerëzish të ditur por më sinjifikative m'u duk ajo që thotë Cezare Paveze: "Të shkruash është bukur, se bashkon dy gëzime njëherësh: flet me vete, por dhe me të tjerë". Dhe kështu ka ndodhur dhe me autorin e këtij libri. Ka nisur të shkruaj për jetën e tij dhe, befas, na i ka besuar të tërën neve, të tjerëve, që , tek lexojmë faqe pas faqesh, shohim si vjen e rritet dhe bëhet i plotë përmes vështirësive që, me të vërtetë, nuk kanë qënë të pakta.

Edhe me atë një faqe që ka shkruar e bija, Edlira, mund të arrish që të kuptosh se që ta shkruajë këtë libër me kujtime, autori, nuk e ka patur të lehtë. Siç e mendoj unë, tek ka marrë penën, ka ndodhur ajo që ka thënë poeti i madh persian Mevlana Xhalaludin Rumi (1207-1273): "Kur i bën gjërat me shpirt, ndjen një lumë gëzimi që lëviz përbrenda". * * * Kujtimet, pothuaj, e kanë kapur prej dore autorin dhe ai veç vazhdon e të na tregojë jetën e tij, e cila, pse mos ta them, për shkaqe fare-fare subjektive (që nuk vareshin prej tij) ka kaluar përmjet Shillës dhe Karidbës, në detin e së keqes, ku ka"vozitur" gjatë jetës. Rrjedh nga një familje e "sërës së lartë" që,ndonëse të ardhur në FIER, i kanë dhënë fytyrë të bukur Fierit aq, sa mund të thuash:"Vllehët që erdhën nga Voskopoja dhe ata vllehë që erdhën nga Berati, e krijuan Fierin dhe e gjallëruan jo vetëm me tregëtinë, jo vetëm me një dinamikë cilësore të jetës, por me individë që prevaluan në letërsi, art e kulturë.

Të tillë në Fushën e letrave janë Jakov Xoxa, Nasho Jorgaqi, Maku Pone, Miço Kallamata; në art Albert Verria; në balet Zoica Haxho; valltar Vllas Kallamata; piktor Vilson Kilica; arkitekt Agron Jano; gazetar si Tuni Papuçiu; Tashko Lako,Thoma Jano; shkencëtar si Jakov Mile :Mësues të Popullit si: Kristaq Shtëmbari dhe Edmond Lule, dhe, sado përciptas në këto citime, nuk mund të mos përfshij dhe kompozitorin apo njeriun përfaqësues në gjininë e muzikës siç është Nikollaq Bulo. Dante Aligheri qysh në shekullin e XIII, thotë:" Fisnik njeriun nuk e bën prejardhja, por është individi që e bën fisnike prejardhjen e tij". Me Nikollaq Bulon ka një përkim të bukur: jo vetëm ka prejardhje nga një derë fsinike, por dhe si individ ia ka ngritur më lart karizmën e asaj familje. Rritur jetim, babai i ka vdekur heret, dhe baba dhe shkuar babait, iu bë xhaxhai, Jani Bulo. Kur Nikollaq Bulo ose do i zgjerojë këto kujtime apo kur të shkruajë një libër tjetër le të shkruaj kështu për Jani Bulon që unë po e përcjell në ligjëratë të drejtë:"... eh, kam qënë nga të parët në Fier që kisha katër makina (kamionë). I kisha dhe kisha pajtuar shoferë për t'i përdorur. Njërin prej tyre e doja si evlat. Një ditë prej ditësh, më thotë:" Usta,unë do martohem"! O të keqen ustai!

E pushtova nga gëzimi dhe i dhashë një napolon flori. Për pajën e nuses,- i thashë,- ke gjallë ustanë. E pajosa badjava. Po pastaj, - e ngacmoi shoferi që ia dinte si vazhdonte " muzika". Aha, pastaj, iku me ata të malit.-Po pastaj? Kur u çlirua Fieri dola dhe unë .Kur e shoh, brrita nga gëzimi:- Evlat, po ku je se më ka marrë malli!!! Ai:- Usta të qenka rritur barku! Barku i xha Janit sa një shkop thane. I them:-Po ku e gjeç barkun unë, evlat? -Ke gjynahe usta; ke gjynahe!!! -Po pastaj? Aha më solli partizanët në shtëpi dhe me bajoneta nuk më lanë dyshekë pa çarë dhe kërkonin florinjtë. -Po pastaj? Pastaj Zoti lart dhe poshtë shikon, i dha një taksirat mbi kokë dhe e lau halenë!.Eh, tha, bagglat hidhi thellë sa të duash, po do dalin mbi ujë".

Dhe këtë zotni kaq të bukur që e quanin Jani Bulo e batërdisën duke ia marrë të gjitha: me shtëpi e kantandi dhe e dërguan punëtor në fermë. Nikollaq Bulo shkruan nja dy herë: jam me fat! Me fat, se për pak. desh ka gjetur vdekjen aksidenatlisht poshtë makinës dhe, së dyti, që në moshë të vonë është goditur nga një trombozë cerebrale. Unë do të shtoja: Nikollaq Bulo ke qenë me fat se ke patur një xhaxha aq të mirë si Jani Bulo dhe, fat mbi fat, që nuk të përfshinë ingranazhet e "makinës së sigurimit": të erdhën anës dhe, për pak, mund të ikje për dhjamë qeni. * * * Në libër e gjen autorin që të fshijë krejt oborrin e shtëpisë së pionierit, vetëm e vetëm për t'i rënë pak fizarmonikës. E mertte, po ku ngopej drejtor Didini: e bën ferk duke ia hequr nga dora. vetëm për 15minuta. Mbaron shkollën me privacione të shumta dhe, ndërsa të tjerët, vazhdojnë shkollën e mesme, ëndrave të tij për të vazhduar një shkollë muzike, i thonë: ndal! Si shpatë e Demokleut mbi kokë: biografia. Dhe vetëm i mbetet të regjistrohet në shkollën bujqësore.Aty por si ujku , sado i zbutur, e ka mendjen nga pylli, ky nga muzika, Po ku të ishte hija e atij "njeriut me çizme e mustaqe", me uniformën e oficerit që i bëhet si hije. Nëse tenton të veshë një palë pantollona që ia ka qepur e motra, të lë drejtor Çerçemi që sado i shkolluar në Europë, qe skllav i një disipline spartane. Vesh pantollonat e xhaxhait; këpucët e xhaxhait dhe jo vetëm kaq: inkonjito vrapon deri në Sukth të Durrësit për të marrë hua një solfezh për fizarmonikën.

Nikollaq Bulo është grurë nga një farë elite. Farën elite mbille dhe në gur, ajo do çajë gurin dhe do mbijë. U nis për agronom dhe sosi muzikant. Kështu ka ndodhur dhe me fierakun tjetër: të Madhin dhe të Pavdekshmin Albert Verria: studioi po në Institutin Bujqësor në Kamëz dhe u bë një nga Artistët e mëdhenj të skenës shqiptare. Ka dhe një përkim tjetër të bukur: që të dy janë vllehë të ardhur në Fier. Nikollaq Bulo, sado që nisi Institutin Bujqësor, mendjen e kishte tek muzika. Dhe sado autodiktat, ai u bë fizarmoniçisti mbret në mbrëmjet e dëfrimit në institut. Mandej, ndërpreu studimet dhe u dha pas muzikës. Filimisht në Shtëpinë e Pionierit "ku dikur s'i jepnin fizarmonikën", u bë shef muzike dhe, mandej, ngriti orkestrën frymore në Fier; vazhdoi arsimin e lartë për muzikë dhe jo vetëm aq: provoi kompozimin. Hap pas hapi, sukese dhe vetëm suksese. Por krahas suksessit, përgjonte zilia; përgjonte"biografia" dhe shokët e kolegët që, gjasme, u gëzoheshin sukseseve, përgatitën grackën për ta zënë. Të vjen keq që, nëse ti, si fierak apo më tej, ke formuar një opinion për iks aktor apo artist, nuk ndihesh mirë se iksi sa të bën për të qeshur, aq është për t'u qarë. Është gati ta"vrasë"për hir të partisë ose, të paktën: ta çojë në prodhim.

Leon Tolstoi e ka të gjashmin në tregimin"Pas ballos". Koloneli sa shkëlqen në vals, po kaq mirë di të përdorë kamzhikun mbi të pafjashmit. Dhe , në opinionin tim, kolegu rrallë është shok apo mik. Sidoqoftë, muzikanti i ngjiti shkallët e suksesit me punë e vullnet dhe kurrë, në asnjë rresht, nuk harron mësuesit që e ndihmuan. Ai tregon mirënjohjen e madhe për ta dhe duket sikur thotë: " Çdo sukses që kam arritur e kam nga ata. Kjo ia zbukuron ca më shumë ballin e bardhë. Unë nuk dua të bëhem i mërzitshëm dhe të tregoj sukseset e tij, por, siç mendoj unë, ai e ka arritur apogjeun e tij në fushën e muzikës, nëpërmjet këngëve të kompozuara; nëpërmjet orkestrës frymore të Fierit; nëpërmjet festivaleve; çmimeve të fituara dhe gëzon titullin e merituar "Nderi i Fierit". Me këtë ese jo vetëm e uroj për të gjitha ç'ka bërë, por shtoj:- Me një libër tjetër! Tiranë, 8 shkurt 2020.

Përparim Hysi ka lindur më 21 janar të vitit 1943, në fshatin Petovë të Fierit. Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar si mësues. në fshatrat e Fierit dhe në vitet 1996-2000 inspektor arsimi për gjuhë dhe letërsi shqipe, pranë Drejtorisë Arsimore në Fier. Ka kryer studimet pedagogjike në Elbasan dhe më vonë pa shkëputje nga puna ka përfunduar studimet e arsimit të lartë, për gjuhë letërsi. Ka botuar katër libra me poezi: “Rektimat e dashurisë”, “Prushi i dashurisë”, “Më piku dashuria”, ““Luftë” me dashurinë”. Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë-Amerikanë . Ka botuar librat në prozë: "Tregime","Faji" i Isakovskit, "Një meshë për "Rrobaqepsin" e Konti Monte Kristos", "Lotët e Kumrisë" dhe librat me poezi:"Eh,si qenka dashuria!","Kurthi i mallit","Kot s'jam i vdekshëm", "Njerëz që dua" dhe "Mbeta dashurive".Veç këtyre në "makzazinën" e tij krijuese janë në pritje për botim qindra poezi dhe dhjetra tregime. Në pritje për botim është një libër me esse dhe përshtypje të autorit për libra të autorëve shqiptarë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat