Faleminderit nënë

Kultura

Faleminderit nënë

Më: 9 shkurt 2020 Në ora: 22:23
Nënë Tereza

(Kushtuar Nënë Terezës gjatë vizitës sime pran varrit të saj në Kalkutë të Indisë në vitin 2008. Poezia është botuar po atë kohë në gazetën "Zëri i ditës ». Gjatë përgaditjes së dokumentarit kushtuar Nënë Terezës)

Erdha gjurmëve tuaja, Nënë,
Pas gjakut tim në skaj të botës,
Erdha Nënë të takoj një ditë,
E t’i sjell të falat e nënlokës !

Eca gjurmëve tuaja, Nënë
Me mall e me syrin e njomur
E pash, Nënë sa plagë ke shëruar,
Sa fëmijë ke rritur ;sa vaje ke pajtuar !

Nënë Tereza ime, Nëna e botës,
Të solla me vete një copë Kosovë,
Unë gjaku yt që kurrë nuk e mohove,
Amanet e la, me dorën tënde e shkrove !

Erdha pran varrit tënd, Nënë,
Te koka të qëndrova, të ledhatova,
U përula në gjunjë, po lot nuk lëshova,
Fryma m’u zu, po nuk të turprova !

Erdha nënë në Kalkutën e largët,
Pash Loreton Normal Hyrday-në
Nirmala Shishu, Bahvan tënden,
Pashë motrat e dashurisë, sa plagë shëronin !

Sa ndjehesha krenar ;Nënë e botës,
Me emrin tënd të mirë, të artë,
Dhe mallëngjehesha me fotot tuaja,
Që të buzëqeshura rrinin kudo në ballë !

Të kam ardhur Nënë të tregoj një fjalë,
Tani populli shqiptarë që në zemër ke pasur,
Jeton i lirë, me uratën tënde për paqë,
Rri e qetë të lutem, Nënë pusho në parajsë !

Ç’të them tjetër ; në Kalkutë pran teje jam,
Fjalët në gojë më sillen, më zihem, përpihem
Zemra më digjet, shkronjat më janë përzier ;
Për Ty më duket pak çdo varg, çdo fjalë !

Më fal, Nënë që tepër vonë kam ardhur ;
Por unë nuk kam faj, e tillë ishte koha,
Bënte errësirë, dëborë, ftohët, acar ;
Zemërmadhja Nënë, Ti gjithëmonë ke falë !

Kalkutë, 10 tetor 2008 Ismet RASHITI

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat