Historia e gjërave të vogla...

Kultura

Historia e gjërave të vogla...

Nga: Tahir Bezhani Më: 10 shkurt 2020 Në ora: 12:47
Tahir Bezhani

Ishte muaj gusht, muaj i vapës përcëlluese. Në horizont dukej një tis mjegulle  nga gjegji që krijonte vapa. Tipare stinore .  Vetëm gjelbërimi i fushës të sillte pamje të bukur për sytë që rrudheshin nga dielli. Gjinkallat ia thonin këngës së tyre në melodi të ndryshme, të lodhura nga vapa, apo etshëm Ndërsa Fisniku,duke ecur megjës, mes dy arave të mbjella me misër,vetëm sa nuk e shkeli një gjarpër laraman. Kur e pa se iku nga zhurma e hapave të tij,së pari u frikësua e pastaj u gëzua. –Shkoi në punë të vet,tha dhe  vazhdoi ecjen.

Megja e drejtoi më  afër  shtëpisë, ku kishte qëllimin për ngushëllime ,për një rast mortor. Ishte në fshatin e tij të lindjes. Kur hyri brenda,burrat e odës e mirëpriten,bashkëvendësin e tyre,Fisnikun,i cili kishte dyzet vite e më tepër, që jetonte në qytet. Pasi ua tha fjalët e ngushëllimit, filluan si zakonisht bisedat e lira. Fisniku,duke shikuar odën e burrave gjithandej,duke kuvenduar me bashkëvendësit të dashur, sytë iu ndalen te Demir Kleka,me të cilin u përshëndetën  vetëm me ngritje dore ,për të mos penguar të tjerët në odë dhe ata që ishin duke ardhur për ngushëllime.

Pas do kohe,Fisniku tentoi të ikte për në qytet,në shtëpi,por bashkëvendësit nuk e lejuan pa ndejtur edhe do kohë. Kishte respektin e madh të tyre. Megjithatë,në tentimin e tretë nuk e penguan. Fisniku doli duke ua dhënë secilit dorën dhe duke u shprehur ngushëllime për rastin mortor. Kur iu ofrua  Demir Klekës,i dha shenjë që t’i shkonte pas. Dhe ashtu ngjau. Demiri e Fisniku ecën disa metra larg shtëpisë ku ishte e pamje. U ndalën këmbas nën një hije peme. Fisniku iu drejtuar Demirit pa vonuar nga se vapa të zinte frymën atë mesditë:

-Demir,a di  gjë ti,të ka thënë babai yt ndonjë fjalë për një llullë duhani të veshur në serm,prej qelibari?! Ajo ishte cigarllyki i babagjyshit tënd të ndjerë,burrit në za në tërë Malësinë e Gjakovës. Di gjë ku ruhet?

-Përse më pyet pas gjithë  kësaj kohe?! Pse nuk je marë me babin sa ishte gjallë?!...

-Eeeeee!-tha Fisniku-mos u ngut, unë ua kam pas sjellë në truallin tuaj atë kujtim me vlerë të paçmuar,e ka pas ditur babai yt,por mendova vetëm ta fotografoj për kuriozitet dhe ta publikoj si fakt,sepse ai njeri ka qenë shumë i njohur-përfundoi bisedën Fisniku.

-Jo!- tha Demiri,tani asgjë nuk di. E kam pas pa babin tim nja dy-tre herë duke pirë cigare në atë llullë,por isha i vogël,nuk kam pasë dije për rëndësinë dhe vlerat që  kishte ajo dhe se duhet ruajtur.  Pas lufte kurrë nuk e kam parë më atë llullë të duhanit të babagjyshit tim. Do shikoj e pyes në shtëpi edhe nënën,pastaj të tregoj....

Me këtë përgjigje nga Demiri,Fisniku  ndjeu thellë në shpirtin e tij dhimbje që nuk shërohet lehtë. Përkundër temperaturave të larta,filloi tensioni t’i ngrihej dhe ta shqetësonte. Djersitja ishte edhe nga sikleti i rastit,por dhe nga ajri ngulfatës. Ecte rrugës pa vetëdije. Nuk kaloi rrugën e kthimit nëpër megja arash.  Kur doli në rrugën e asfaltuar, nuk vonoi autobusi dhe u fut brenda. Shoferit i kërkoi ujë, për t’u freskuar sadopak  nga  ajo ngarkesë.

Derisa autobusi çante rrugën leqore për në qytet,Fisniku ishte zhytur thellë në mendime, ishte tretur në vitet e largëta të kohës,diku ne pranverën  e vitit 1973 . I kujtohej çdo gjë në detaje lidhur me atë llullë duhani, e cila kishte një copë histori të bujshme për  fatin  e popullit tonë. E gjithë ajo histori e përkundte valëve të jetës, ku fërkohej historia përgjakshëm, historia e popullit tonë  nëpër furtuna  të  jetës.

Sapo autobusi arriti në qytet,zbriti  si me rrëmbim,përpak sa nuk u rrëzua në asfaltin që kallte. Iu drejtua kafesë së parë për të pushuar dhe për t’u freskuar. E kishte tronditur humbja e asaj llulle . Në fakt ajo ishte dëshmi e një kohe të kahershme,kohë e Krajlit dhe dhunës së pushteteve ndaj shqiptarëve të pafajshëm.

-Urdhëroni! –i foli kamerieri .

 –Më sill një kafe dhe një dopje raki rrushi,të fortë!

Filloi me një dhe e mbaroi me disa  dopie.  Në mendime rrotullohej e tërë dita që po kalonte; vapa, megjat, gjarpëri, ngushëllimet në odë burrash, respekti, biseda me  Demirin, edhe llulla...

Pasditja kishte arritur,vapa kishte përfunduar misionin e vet të ditës përvëluese, ashtu që Fisniku i lodhur ,u nis në drejtim të shtëpisë së tij. Rrezet e diellit ngitnin  gishtërinjtë e përshëndetjes,tek sa futeshin në gjirin e bjeshkëve,për t’ia lëshuar mbretërisë së natës....

                                X          X        X

Të nesërmen u zgjua i lodhur. E kishte  dërmuar rruga dhe vapa e ditës së mëparme,ëndrrat e natës. Ndiente dhimbje në tërë trupin. Me zor mblodhi trupin deri te kroi për t’u freskuar,pastaj u ul në një shkamë,nën hijen e një kumbulle të oborrit. Shikoi rreth e rrotull qiellin, natyrën përreth, donte ndryshim moti, por jo, nuk lëvizte asnjë gjethe  pemësh. Ngjarja e djeshme në fshatin Qëndresë nuk i largohej nga  mendja për asnjë moment. Me dorën e djathtë kroi kokën pas veshit dhe me një zë të thekshëm thirri gruan:

-Zojoo!-jehoi zëri i Fisnikut.

-Urdhëro Fisnik!

 -Një kafe ma sjell këtu,te kumbulla  jam ulur,foli Fisniku.

-Menjëherë –tha  Zoja dhe pa vonuar kafeja ishte para tij.

Fisniku nxori një cigare për ta tymosur  me kafen ,në atë qetësi e freski mëngjesi. Kishte vënë dy gishtat e dorës së majtë te tëmthi i kokës,i zhytur sërish në mendime,duke i bërë analizë kohës,pastaj duke u ngacmuar padashje me pakujdesinë e familjes së Demirit, se si kanë guxuar që mos e ruajnë  atë llullë duhani,e cila për nga paraja nuk kishte vlerë madhore,por kishte rëndësi të madhe historike , mënyra se si e kishte dhënë babagjyshi i tij, Idriz Jaha,në një kohë kur shkonin kokat e shqiptarëve. Kjo ishte vlerë mbi vlerat e një gjësendi të “vogël”. Pasi iu ngrit tensioni,filloi të flasë me veten e tij Fisniku:

“- Pse nuk e mbaja  vet llullën,pse i njoftova pronarët për gjetjen e saj në një fshat të Dushkajës ?! Pse kështu,pse ashtu.....koha ecte,faji mbetej jetim,ndërsa Fisnikun nervoza e bluante...”

Papritur dëgjoi një zë te dera e oborrit:

 -o Fisnik! Fisnikoo!

-O hajde!- foli Fisniku, nga ku ishte ulur, nën hijen e asaj kumbulle,afër kroit në baçe.

 –Si je o Fisnik,a ke pushuar,a jeni mirë?-pyeti Bardhi, kushëri i afërt.

 –Po,mirë jemi Bardh,mirë kemi dalë. Unë jam i lodhur e i nervozuar tejmase sot.

-Hee! Çfarë ka ndodhur Fisnik,ma thuaj shpejt!

 -Jo,jo,asgjë me rëndësi familjare,por një ç’rregullim personal.

 –A ka mundësi të di edhe unë Fisnik gjithë atë peshë që banë mbi vete,bile të vuaj edhe unë me ty. Po,po,Bardho banë,bile ma heq sadopak. Dëgjo me durim e mos e harro kurrë:

“Ishte viti i largët  1973-ta kur më dërguan  me shërbye në anën e Dushkajës. Pas një viti,bashkë me një mikun tim më të vjetër, duke kaluar fshatin Bardhaniq, takuam  në rrugë,para derës së oborrit të tij, Halil Ibishin,me një thupër që mbante në dorë. Miku im më i vjetër e njihte mirë. Kur e vërejti plaku,u gëzua dhe të dyve na ftoi në kafe. Pasi u futëm në odën e burrave,filloi biseda mes nesh dhe të zotit të shtëpisë.

Kishte porositur kafetë . Duke hurpë ngadalë në filxhanin e asaj ode bujare,plaku Halil Ibishi,më drejtohet: “ Nga të kemi ore çun?.”

Nga fshati Qëndresë,i them,nga Reka. I kujna je biro atje?-shtoi plaku. Pasi i tregova fill e për pe,u ngrit dhe më përqafoi si birin e tij.

-Eeeee,o Zot!-Si vikan punët kështu-tha dhe heshti .

Pas pak kohe m’u drejtua;” Dikur i kemi do muhabete unë e ti, djalo!- dhe kaloi në biseda tjera me mikun tim më të vjetër,të cilin e njihte moti. Fisniku ia miratoi bisedën dhe me padurim priste ”muhabetin”e cekur....

Pas një ore e më tepër pushim në odën mirëpritëse të traditës sonë,erdhi koha të ngrihemi dhe të shkojmë me mikun në punët tona. Plaku  u ngrit nga postagjia e ogiçit dhe mbi raft mori një cingarllyk (llullë) të duhanit,e cila kishte gjatësinë e 30 cm ,veshur me serm. Plaku futi një duhan në të dhe m’u drejtua:” Dheze një duhan biro me këtë llullë,dheze se të paska hije duhani,besa edhe emrin Fisnik e paske të mirë,gjyshin ta kam njohur,s’ka pasë asi burri në Rekë”- tha plaku.

-Tani më trego se a njeh dikë nga familja e Idriz Jahës nga fshati Qëndresë?

Plaku Halil Ibishi,i cili dorën e kishte mbështetur në gjurin mbi tirqit me gajtan të zi,e plis të bardhë mbi kokë,plot krenari.

-Po i thashë mixha Halil,e njoh, si jo! Ai ka lënë  djem pas veti, por kanë vdekur, tani ka nipa e stërnipa,jetojnë në fshat.Mirë i kanë punët-mbaroi  bisedën Fisniku.

Pasi thitha fitilin e duhanit në  mushtikë që më ofroi mixha Halil,ia ktheva me falënderim dhe i drejtohem mikut tim të bashkëudhëtimit,me fjalën,”kur të duash!” Por,pikërisht atëherë, mixha Halil ndërhyri duke i thënë Fisnikut,ngadalë,mos u ngut,tani fillon biseda e vërtetë,ajo që në vete mban historinë e tri amaneteve.

-Së pari të lutem shumë, ma dërgo dikënd nga familja e Idriz Jahës personalisht, që t’ua dorëzoj këtë cingarllyk(llullë) duhani të burrit të madh nga Reka e Malësia, trimit e pleqarit që ka pas nam në gjithë Kosovën.  Edhe unë kam kaluar do vite të jetës, nuk i dihet, kur vjen pleqnia. Dua të kryej edhe unë amanetin e dy njerëzve, njëri ishte serb e tjetri malazez nga fshati Ratishë të Deqanit.

Çfarë befasie e këndshme, çfarë rasti, ngjarje jetësore! Peripeci kohe, thashë me vete dhe heshta. Plaku para syve më dukej sa Shkëlzeni! Madhështia e tij vetëm më rritej para vetes....

-Mixha Halil, a ka mundësi të tregoni rrugëtimin e këtij cingarllyku, nga të erdhi, si ra në duart e tua?!

 Sa desha të tregoj këtë rrugëtim.  Tani dëgjo dhe mbaje në mend mirë, foli Halili dhe vazhdoi:

“Koha e Serbisë së vjetër, kush e ka mbajtur në mend ose ka lexue prej këtyre që shkruajnë, ka qenë shumë e vështirë për ne shqiptarët. Si koha e Krajl Pjetrit ma! Vriste shqiptarë, masakronte, vidhte nga pasuria e tyre, nuk lente gjë pa bërë në fytyrën e tokës. Ai vrante e kthjellte, si Zoti!

Pra në kohën e Krajlit të Serbisë, kishin pa shkue xhandarët ne fshatin Qëndresë, me qëllimin parësor, t’i vrasin disa burra të zgjedhur të atij fshati. Për ta bërë këtë masakër, xhandarëve iu duhej një shkas (behane), dhe  u futën aty për të kërkuar tatimet e shtetit të Krajlit.  Ishin disa xhandarë në krye me Jovanin dhe tagërmbledhësin, i cili quhej Andrija Perla, për t’i ftuar burrat e fshatit. Mbiemri i xhandarit Jovani nuk më kujtohet, por e di se ishte nga Ratisha e Deqanit. Ishte mëngjes i hershëm i vjeshtës dhe mot i ftohtë, përzier me skllotë. Qëllimi i tyre, nëse nuk i paguajnë paratë, t’i pushkatojnë aty, te xhamia, afër blinave të fshatit, si kryengritës...

Qëndresa ka pasë përherë burra trima e shumë bujarë, burra me nam që nuk kanë ditur se çka qet gryka e armës. Ndër ta, si i pari i fshatit, kryeplaku, ishte trimi e mendimtari i njohur, Idriz Jaha. Me të hetuar se te xhamia janë xhandarmëria, fshatarët njoftuan prijsin e fshatit, Idrizin, ndërsa të tjerët përgjonin situatën përmes frengjive e dritareve të kullave. Pa e ftuar askush, Idriz Jaha qet qyrkun krahëve dhe niset në drejtim të xhandarëve dhe tagërmbledhësit te xhamia.

Pasi i përshëndet në gjuhën e tyre sllave, iu thotë se çka mund të ju ndihmoj këtë natje. Xhandarët e ditën se ky ishte kryeplaku dhe kryesori për çdo gjë në fshatin Qëndresë. Pa vonuar, iu drejtua me fjalët:

-Ke kohë pesëmbëdhjetë minuta të mbledhësh për çdo shtëpi nga një burrë dhe ta paguani tatimin e shtetit të Krajlit, pa asnjë fjalë shtesë. Ndryshe, do ju pushkatojmë të gjithëve-përfundoi bisedën, kryexhandari Jovan. Idriz Jaha i Qëndresës, i pajisur nga natyra me trimëri të skajshme, dinte të përdorte mrekullueshëm së pari dijen e urtësinë.  Duke i parë të egërsuar dhe të përcaktuar për vrasje të shqiptarëve, i drejtohet kryexhandarit me këto fjalë:

-” Pagesa e tatimit është gjëja më e lehtë “gospodar”. Por, këtu te xhamia qenka ftohtë, ejani pas meje në odë burrash, ja ku e kam kullën, dhe do paguhet tatimi nga gjithë burrat e fshatit”.

Nuk hezituan xhandarët, lakmuan futjen brenda në odë.  Duke u ngjiitur shkallëve përpjetë, Idrizi ndan njërin nga familjarët e tij dhei thotë:

-” Shko porosit dy tepsia të mbushura me petulla dhe dy çanakë me mjaltë e na i bjerni në sobë sa më parë”.

Pasi u ulën xhandarët dhe tagërmbledhësi në odë, nga të ngrohtit e dhomës, filloi t’u shkrihet trupi. Duke u shprehur mirëseardhjen sipas traditës, Idrizi nxorri kutinë e bakfonit me duhan dhe ua dha me rend, që ta mbështjellin të gjithë. Derisa mbështollën duhanin dhe pinë një rend kafe, erdhën tepsitë me petulla dhe mjaltë.

Kur xhandarët panë sofrën që shtrohej dhe tepsiat me petulla të nxehta, çanakët me mjaltë në mes, u mahnitën dhe shikonin njëri tjetrin. Pasi u ngopën mirë e mirë, Idriz Jaha nxjerr nga xhepi i jelekut llullën e tij, mbaron një fitil dhe ia jep tagërmbledhësit, Andrija Perla. Pas mbarimit të duhanit, ai ia kthen Idrizit llullën duke i thënë faleminderit plaku i Qëndresës! 

-Jo! - thotë Idrizi, kjo llullë duhani që nga ky moment është e jotja “gospodar”, fute në xhep. Tagërmbledhësi, duke u ndier i lumtur nga ky veprim, e futi në xhep dhe e mbajti dyzet vite, dmth. edhe pas pensionimit të tij dhe ndërrimit të pushteteve.

Para se të dalin nga oda, Jovani e Andrija, i thotë kryeplakut, Idriz Jahës: “Thuju ta paguajnë tatimin këta burra të Qëndresës e mos të vijmë tjetër, se vërtetë qenke burrë bujar!”

- A e kuptove djali mirë se si ishte puna e kësaj llulle të Idriz Jahës,në një kohë tepër të rëndë për ne. Me këtë  veprim,mençuria e  tij dhe  përvoja e madhe me armiq,e kanë   kalitur në veprime. Ka shpëtuar pa pushkatuar burrat e Qëndresës.

- E tek ti si rrugëtoi kjo llullë duhani?-ishte pytja e Fisnikut?

Pas pronësimit te llullës më se dyzet vite,  pak vite para se të vdiste, llullën ia kishte kaluar me amanet,mikut të tij nga Bardhaniqi,Halil Ibishit,me të cilin kishin shërbyer bashk në ushtrinë e Krajlit. I ndjeri e kishte porositur me amanet që “këtë mushtikë ta riktheni medoemos në truall të Idriz Jahës nga Qendresa e Rekës.”. Këtë porosi, amanet, e kryen një familjarë i Andrija Perla pas disa vitesh të mbajtur ne pronësi....

Ishte një burrë i urtë malazezi, kishte karakter të vendosur e burrëror. E kam njohur gjatë dhe shërbimit në ushtrin e Krajlit në vitet e lagëta të asaj kohe. Kur më sollen llullen si amanet, gruja e Andresa me një burrë, dytë nga Cetinja, emrat nuk më kujtohen, me tha:

-” Halil Ibishi, e kam amanet prej një tagërmbledhësi të Krajlit nga Cetinja e Malit të Zi, që këtë llullë ta kthejë në trollin e Idriz Jahës nga fshatit Qëndresë të Rekës.

” Të gjithë historinë ma tregoi siç ua tregova unë juve, axho. Tani edhe unë, nga sot, konsideroj se kjo llullë do kthehet përmes veprimeve tuaja në trollin e Idriz Jahës. Amaneti është një trashëgimi e jona e moçme. Është respektuar amaneti nëpër breza. Na respektuan edhe të tjerët, si ai tagërmbëledhësi Andrija. Malazezët kanë pasë tipare burrërie ngjajshëm me tonat biro... Prandaj, ti, sa më shpejt më dërgo nipin e Idriz Jahës ta marrë këtë llullë të sermët, ta banë në votrën e tij si kujtim e histori të gjyshit të tij me nam. Edhe unë jam plakur djalo e në pleqni nuk ka besë. Deshta vetë sa jam gjallë të kryej këtë amanet …

Pas një kohe të shkurtër, nipi i Idriz Jahës, në pranverën e vitit 1973, mori llullën e gjyshit të tij nga dora e Halil Ibishit, nga fshati Bardhaniq i Dushkajës, duke e falenderuar e uruar nga shpirti e zemra. Ishte një pasuri e paçmuar për kohën, mënyrën dhe rrethanat e jetës shqiptarëve

Eeeee more Fisnik!... Paske të drejtë të jeni i nervozuar nga se kjo qenka një histori e gjatë që obligon secilin të ketë kujdesë në gjërat që kanë vlerë. Amaneti vlerësohet në traditen tonë, e kanë ditur edhe këta malazezë që tregove. Njerëzit me kulturë ruajnë traditat dhe kujtimet e njerzëve me vlera historike, kudo në botë. E ne?!.... Së paku, të falenderoj që më tregove, përfundoj Bardhi bisedën.

Kur njeriu shkarkon kokën e ngarkuar nga kujtime të gjata, i ngjan një reje me stuhi e cila derdë shiun rrëmbyeshëm mbi sipërfaqën e tokës, pastaj shikon rrezet e diellit me krenari. Po mos të kishim kujtesën në kokat tona, nuk do kishim as historinë e jetës sonë. Kujtesës i shërben rasti, shkaku, për ta krijuar tabllonë e ngjeshur me histori që kurrë nuk harrohet, dëshmon gjithmonë mbijetesën tonë!

(Idriz Jahë Kurti lindur ne fsh. Smolicë në vitin 1870, ka vdekur me 03.09. 1938  vit,po në Smolicë. Ishte përsonalitet i shquar i kohës, pleqnarë e luftetarë për të drejtat shqiptare, pjesëmarrës në grupin e Islihatit me Shaban Binakun e Mulosmanve te Tropojës, mik e bashkëluftetarë i Haxhi Zekë Biberaj, njeriu që la pas vetes një trashëgimi të urtësive popullore, të cilat edhe sot folen e trajtohen odave të burrave,” ka pas thënë Idriz Jaha...”

 Kjo trashëgimi gjindet edhe në disa libra, në bibliotekat e Kosovës e Shqiopërisë.)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat