Nga refugjat tash pjesë e filmit të nominuar për Oscar, aktori shqiptar ndihet i bekuar - Bota Sot
Nga refugjat tash pjesë e filmit të nominuar për Oscar, aktori shqiptar ndihet i bekuar

Kultura

Nga refugjat tash pjesë e filmit të nominuar për Oscar, aktori shqiptar ndihet i bekuar

Më: 12 shkurt 2020 Në ora: 13:23
Mason Alban

Të rinjtë shqiptarë po shkëlqejnë në skenat botërore, ne së fundmi dëgjuam për një djalë me emrin Mason Alban, sukseset e të cilit në fushën e kinematografisë nuk ishin të pakta. Ai është Masoni që sukseset e tij t’i shpalos edhe para publikut shqiptar të cilët padyshim do të ndihen krenarë.

Lufta e fundit në Kosovë ka bërë që shqiptarët të shpërngulën me dhunë nga Kosova. I lindur në Vushtrri, Mason Alban është transferuar në Boston në moshën 11-vjeçare si refugjat. Por, Mason e ka shfrytëzuar kohën në mënyrën më të mirë. Ndonëse në një vend të huaj dhe duke pas parasysh vështirësitë, ai ishte i bindur që ëndrrat duhet ndjekur, ka punuar shumë dhe talenti i tij  nuk mbeti pa rënë në sy.

Qysh në moshë të re, arriti të lidhet me disa regjisorë të shkëlqyeshëm në Harvard, ku njëri prej tyre ishte regjisori me famë botërore Peter Sellars.

“Shfaqjen time të parë e bëra në Teatrin A. R. T në Kolegjin e Harvardit. Aty bëmë edhe shfaqje tjera, diçka nga Çehovi dhe nga Shekspiri. Kështu rashë në dashuri me këtë profesion, që për mua ishte terapeutik pas luftës. Në skenë mund të dëgjohej zëri im. Teatrin që është forma më e pastër e demokracisë, e kam mësuar nga Peter Sellars”, ka treguar kështu Mason Alban për hapat e parë në karrierë.

Gjasat që aktori shqiptar të shkëlqejë në këtë rrugë, janë të mëdha. Por, të mëdha janë edhe sfidat duke pas parasysh që konkurrenca është e madhe.

“Është një industri jashtëzakonisht konkurruese, ku janë rreth një milionë aktorë të rinj në vit që i hynë kësaj industrie. Unë kam pasur fat t’i takoj disa menaxherë dhe agjentë që besuan në mua dhe më krijuan mundësi. Kolegji Emerson më ndihmoi shumë, atje munda të aktroj dhe të tregoj talentin tim. Atje më morën në disa klipe dhe filma studentor, kështu m’u hapën mundësitë dhe unë e shfrytëzova njërën nga to. Punova në shumë shfaqje të suksesshme, krahas aktorëve dhe regjisorëve vërtet të talentuar.”

Masoni karrierën e tij e drejton duke punuar pa reshtur dhe pa u lodhur, duke i tejkaluar dështimet dhe refuzimet. Sipas tij, ju duhet të jeni të gatshëm për të sakrifikuar shumë që t’i realizoni ëndrrat tuaja.

“Është sfiduese për të gjithë. Edhe për mua ishte një udhëtim i gjatë. Unë nuk e bëj këtë për të qenë medoemos i famshëm, por e bëj sepse e dua profesionin që e kam. Nëse nuk do ta doja profesionin, çdo gjë rreth tij qoftë pozitive apo negative nuk do t’ia vlente.”

Në EVVY, Mason Alban është emëruar për dy vite radhazi si aktori më i mirë. Ky vlerësim patjetër që ishte një shtysë për të.

“Ky ishte një tjetër afirmim i shkëlqyeshëm për mua. Në të gjitha format e artit ne kemi nevojë për dikë që pajtohet me çmendurinë tonë, në mënyrë që ajo të konsiderohet art. Konfirmimet janë çdoherë thelbësore.”

Por, ajo çka nuk e kemi shpalosur deri tani, është një arritje e jashtëzakonshme e Masonit. Ai është pjesë e filmit “Little Women” i cili u nominuar për Best Picture në Oscar.

Të punosh në një film të tillë dhe me njerëz kaq profesional, padyshim që është diçka e mrekullueshme, ai madje ndihet i bekuar për këtë mundësi që i erdhi falë talentit e përkushtimit në punë.

“U emocionova shumë për dashurinë e Akademisë ndaj  “Little Women”. E ndjeva brenda vetes se ishte diçka meritore. Të gjithë ishin brilantë në atë që bënë dhe kjo ishte vërtet frymëzuese. Të punosh me Saoirse Roman është e mahnitshme sikurse me Greta Gerwig që shfaqin gjenialitetin e tyre dhe të bëjnë të ndihesh i bekuar që punon me ta. Po ashtu edhe me Kathryn Bigeloë. Ishte kënaqësi e madhe për mua të punoja me ta dhe të mësoja aq shumë nga të tjerët. Është nder i jashtëzakonshëm të punosh me një grup të tillë, ku ka njerëz aq të talentuar.”

Regjisorja e filmit “Little Women”, Greta Gerwig ishte një pikë frymëzimi për Masonin.

“Është e mahnitshme dhe e lehtë të punosh me të. Ajo është shumë profesionale dhe kështu e bën punën tuaj të lehtë. Ata kanë një vizion të shkëlqyeshëm dhe e dinë saktë se çfarë duan. Pjesa tjetër varet nga unë që ta shpërfaq vizionin e tyre. Dhe të kesh njerëz super të talentuar rreth vetes për të të ndihmuar të arrini – kjo e bën gjithçka të lehtë dhe mjaft të dobishme.”

Gjithë ky sukses nuk e ka lejuar Masonin të harrojë prej nga vjen. Ai pohon se ka një lidhje emocionale me Kosovën dhe i kënaqet zemra për sukseset e saj.

Ai gjithashtu nuk i refuzon as ftesat nga regjisorët shqiptar. Madje është bërë pjesë e filmit “Adelina” të regjisores Rita Krasniqi.

“Ai është filmi im i parë në Kosovë. Dhe aktualisht është nëpër festivale në të gjithë botën. Ajo është regjisore mjaft e talentuar. Më pëlqen të punoj me regjisore, ato më kanë dhënë mundësi gjithmonë.”

Krejt për fund, Masoni ka dhënë një mesazh për të rinjtë shqiptarë.

“Uroj që ata t’i ndjekin ëndrrat dhe të mos mendojnë se madhështia ekziston jashtë tyre. Ka shumë të rinj të talentuar në Kosovë të cilën mund të fitojnë “Oskar” ose të bëhen çfarëdo që ata duan të jenë. Historikisht ne gjithmonë mendojmë se gjërat e mëdha janë atje tej larg diku. Por për mua dhe shumë kosovarë të tjerë aktor të bën talenti dhe jo Hollivudi. Nëse e ndjen aktrimin, bëhu, se krejt janë atje.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat