Fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” promovon nesër librin artistik “Flirting with leftovers”

Kultura

Fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” promovon nesër librin artistik “Flirting with leftovers”

Më: 12 shkurt 2020 Në ora: 19:06

Me datën 13 shkurt (e enjte) prej orës 19:00 në hapësirën e fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”, Project Space, do të bëhet promovimi i librit artistik FLIRTING WITH LEFTOVERS, me autore KOJA. Ky libër artistik vjen si rezultat i punës hulumtuese dhe artistike që është bërë vitin e kaluar në objektin e braktisur i cili ndryshe njihet edhe si ish-restorant Marsi.

Puna hulumtuese në terren, bashkëbisedime me personazhe të cilat ndajnë kujtime dhe informata në lidhje me historinë e objektit, po ashtu edhe me personalitete e akter që shpalosin detaje rreth historisë moderne në Kosovë, rëndësinë e objektit në aspektin arkitektonik, janë përmbledhur në librin artistik FLIRING WITH LEFTOVERS. Gjithashtu edhe detaje të tjera të rëndësishme rreth intervenimit artistik që zuri vend me 15 tetor të vitit të kaluar. Qëllimi i këtij libri është që të shërbej si një dokument i cili vë në pah rëndësinë e ruajtjes së memories kolektive, dhe ri-jetësimit të objekteve të braktisura të cilat mund të kthehen në hapësira për shfrytëzim nga komuniteti.

Intervenim artistik FLIRTING WITH LEFTOVERS, u mbajt në kuadër të edicionit të dytë të “Metamorphosis”, projekt ky i cili implementohet nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” dhe ka për qëllim nxitjen e ndryshimeve pozitive në shoqëri përmes mundësimit të vitalitetit kulturor dhe kreativitetit. “Metamorphosis” e përdor artin dhe kulturën si mjet kryesor për të ngritur zërin për rëndësinë e shfrytëzimit të hapësirës publike dhe veçanërisht fokusohet në objekte/monumente/hapësira publike të cilat janë produkt i proceseve të ndryshme shoqërore. Për këtë arsye nuk është e mjaftueshme për t’u hulumtuar dhe dokumentuar vetëm përbërja e materialeve, por edhe funksioni i tyre, i cili ndryshon nga vet shoqëria.

Prandaj, përmes “Metamorphosis” synohet të analizohet lidhja midis objekteve/monumenteve dhe vetëdijes publike, në mënyrë që nga njëra anë të kuptohet më mirë logjika e formimit dhe e organizimit të korpusit të njohurive publike në hapësirën publike, dhe, nga ana tjetër, të sqarohet qartë roli aktiv shoqëror i objekteve/monumenteve.

Gjatë prezantimit të librit KOJA do të ndajë detaje rreth konceptit të saj e po ashtu edhe punës që është bërë për realizimin e librit, i cili është botimi i parë i fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”.

“Ky projekt realizohet me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij projekti është përgjegjësi e Fondacionit Shtatëmbëdhjetë dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose IKS-së, Lens, apo FES.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat