​Qeverisë i kërkohet themelimi i një instituti me emrin e Adem Demaçit

Kultura

​Qeverisë i kërkohet themelimi i një instituti me emrin e Adem Demaçit

Më: 26 shkurt 2020 Në ora: 12:27
Albin Kurti

(E plotësuar) - Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Shoqata e të Burgosurve Politik të Kosovës kanë hapur ekspozitën “Kujtesa e Kosovës: Portrete të Adem Demaçit në pikturë dhe fotografi”, për nder të 84 vjetorit të lindjes së veprimtarit për çështje kombëtare, Adem Demaçi.

Në hapjen e kësaj ekspozite, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i thuri lëvdatat më të mëdha Adem Demaçit duke e cilësuar si veprimtarin më unik e më autentik, duke thënë se ai u bë mësues, intelektual.

Kurti: Kur nuk kishin shkolla ai ishte mësues

“Jetën e tij ai e kuptonte në shërbim për popullin shqiptar dhe nuk kishte shpërputhje midis mendimit dhe fjalës, rrjedhës dhe veprimit, ishte i njëjti gjithmonë baca Adem në çdo situatë tërë kohën. Kur nuk kishim shkolla shqiptarët Adem Demaçi ishte mësues, kur nuk kishin universitet ishte intelektuali i tyre e kur nuk kishte ushtri ai dilte në front, kur ishim të shpërndarë ai na bënte bashkë e kur ne harronim ai na kujtonte prandaj kjo ekspozitë vjen si freskim i kujtesës për të por edhe rikujtim e reflektim për vetën tonë”, tha Kurti.

Kurti shtoi se Demaçi punonte gjithmonë për bashkimin kombëtar duke mos bërë asnjëherë përçarje në mes.

Kurti: Bashkimin tonë ua dëshironte edhe të tjerëve

“Ai e kuptonte se çfarëdo që ne mund të arrinim të vetëm, vetëm të bashkuar mund të arrinim qëllimet e përbashkëta por bashkimin tonë baca Adem kurrë nuk e shihte kundër ose kundrejt një populli tjetër, gjithmonë e shihte për të mirën e përbashkët …..Bashkimin tonë ua dëshironte edhe të tjerëve, pra nuk përçante të tjerët për të na bashkuar neve dhe na bashkonte neve për vetën tonë e kudo tjetër”, u shpreh Kryeministri.

Kurti shto i se ndjehet falënderues për Adem Demaçin, njeriun pa të cilin rrugëtimi i tij do të ishte i pamundur, derisa premtoi për botim dhe shpërndarje të veprës së plotë të Adem Demaçit.

Fazli Gajraku, drejtor i Bibliotekës së Kosovës tha se është nder i veçantë që shoqata e të burgosurve politik të Kosovës, ka mundësuar hapjen e kësaj ekspozite e koleksioni të rrallë:

Gajraku: Këto portrete kanë historinë e vet të frymëzimit

“Është një rast i veçantë por edhe një nder i veçantë që shoqata e të burgosurve politik të Kosovës e cila po kryen një punë të jashtëzakonshme në dokumentim të kujtesës së Kosovës i ka hapur mundësi edhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për të zbërthyer projektin ideal te vjeljes, mbledhjes dhe përpunimit të gjithë kulturës së shkruar e të shtypur…. Këto portrete që kanë historinë e vet të frymëzimit e të përjeti mit të kulturës e përjetësimit në pikturë e fotografi të Adem Demaçit janë një koleksion i rrallë që do të ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës”, tha Gajraku.

Anëtari i shoqatës së të burgosurve politik, njëherit edhe koleksionuesi i ekspozitës, Selatin Novosella tha se arkivi i jetës dhe veprës së Adem Demaçit është i jashtëzakonshëm me rreth 10 mijë faqe të dokumenteve arkivore.

Novosella: Presim nga Qeveria të themelohet instituti me emrin e Demaçit

“Shoqata e të burgosurve politik me të drejtë pret nga Qeveria e Kosovës që t’i marrë dy vendime, që me akt të veçantë themelor të themelohet instituti për hulumtime, studime dhe publikime e veprimtarisë të burgosurit politik që do të barte emrin e nderuar Adem Demaçi…dhe dy që ta mbështesë siç e tha edhe kryeministri i nderuar financiarisht projektin për ndërtimin e veprave të zgjedh ura të Adem Demaçit dhe për Adem Demaçin me 40 vëllime”, tha Novosella.

Adem Demaçi ndërroi jetë më 26 korrik 2018. Ai ishte personaliteti shqiptar që vuajti dënimin më të gjatë në ish-Jugosllavi, në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare.

***

Me rastin e 84-vjetorit të lindjes, Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës kanë hapur ekspozitën “Kujtesa e Kosovës-Portrete të Adem Demaçit në pikturë dhe fotografi”, kushtuar veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e nderoi lart figurën e veprimtarit Adem Demaçi duke thënë se ai ishte veprimtari më unik dhe autentik.

“Ai e kuptonte se çfarëdo që ne arrinim të vetëm se bashku mund t’i arrinim qëllimet e përbashkëta”, u shpreh Kurti.

Kurti premtoi se për nder të veprës së Adem Demaçit do ta botojnë librin për jetën dhe veprën e tij.

Anëtari i Shoqatës të të Burgosurve Politikë të Kosovës, Selatin Novosella tha se gjatë gjithë jetës së Adem Demaçit janë grumbulluar rreth 10 mijë faqe me dokumente arkivore për jetën dhe veprën e tij, ndërsa kërkoi nga Qeveria e Kosovës të themelohet instituti për të burgosurit politikë me emrin e Adem Demaçit dhe të mbulohet financiarisht botimi i librit për Adem Demaçin, vepër kjo me 40 vëllime.

Ndryshe, veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, ndërroi jetë më 26 korrik 2018. Ai ishte personaliteti shqiptar që vuajti dënimin më të gjatë në ish-Jugosllavi, në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat