Publicisti i urtë i Pellgut të Luginës së Moravës

Kultura

Publicisti i urtë i Pellgut të Luginës së Moravës

Nga: Mehmetali Rexhepi Më: 6 mars 2020 Në ora: 09:15
Ukshin Zajmi

Një njeri i urtë, gazetar, publicist veteran, letrar Ukshin Zajmi tashmë i përket amshimit!... Lajm i rëndë për të gjithë ne që e kemi njohur, respektuar dhe çmuar... Pa dyshim ikja e "Ukëzanos", kështu e kishte nofkën që i kishte vënë vetes, varfëroi kulturën tonë publicistike...Gjithsesi mbetëm të varfër edhe pa një njeri të mirë, njeri me artikulime të qarta në sferën e informimit; autorit të kronikave historike e shoqërore në hapësirën e Pellgut të Moravës së Gjilanit me Dardanë e Malësi të Gallapit... Uka i pandalshëm e komunikativ... Uka i veprimtarive letrare-artistike në shkollat e nivelit të mesëm në Gjilan, në Kamenicë e gjetiu...

Uka i korrespondencave, lajmeve kulturore për "Flakën e Vëllazërimit" në Shkup para Luftës e pas Luftës Çlirimtare në Kosovë... Pa dyshim artikujt e Ukshin Zajmit për rrjedhat kulturore-artistike, për depërtimin e censuruar të kulturës shqiptare në mediet e censuruara të kohës, pasqyronin ritme jete brenda nëntekstit, në të përditshmen "Rilindja", në RTP ku kryente detyrën e korrespondentit për hapësirën e Gjilanit e të rrethinës.

Koha e hyrjes së Ukshin Zajmit në vitet e moshës së tretë, është me interes për tu theksuar përqendrimi i tij në kërkime të terrenit, për grumbullimin e të dhënave për masakrat e serbëve ndaj shqiptarëve të Gallapit për periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Nga këto kërkime të publicistikës historike, Ukshin Zajmi publikoi një seri shkrimesh në portalin e popullarizuar "Zemra Shqiptare".

Gjithsesi, ai la një mori dorëshkrimesh me interes për sferën e studimeve historike dhe etnografike, shënime artefaktesh për lashtësinë e ilirë-dardanëve për studiues e specialistë të arkeologjisë... Ukshinin do ta kujtojmë si karakter të sinqertë, me ndjenjën e afrisë dhe mëtimin për shkëmbime të ndërsjella... Figura e Ukshin Zajmit rrezatonte kthjelltësi, mirësi dhe miqësi...Qoftë i përhershëm fanari i dritës tij Iluministe!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat