Akademik Mahir Domi, kollosi i letrave shqipe

Kultura

Akademik Mahir Domi, kollosi i letrave shqipe

Nga: Alfred Papuçiu Më: 25 mars 2020 Në ora: 13:26
Akademik Mahir Domi me kolege te tij

Publikohet historia e panjohur e profesor Mahir Domit me origjinë nga qyteti i Elbasanit, i cili pasi u shkollua në vëndlindjen e tij në shkollën “Normale” dhe më pas në Liceun e Korçës, në vitin 1937 ai ndoqi studimet e larta në Francë pranë Fakulteti të Letërsisë të Universitetit të Grenobëlit, ku mbrojti punimin e provimit, “Diplome d` Etudes Superjeures” në Letërsi. Angazhimi i tij në prillin e 1939-ës me grupin e studentëve shqiptarë ku bënin pjesë edhe Dhimitër Shuteriqi, Bilbil Klosi etj në demonstratat e protestës para konsullatës italiane kundra agresionit ushtarak fashist të Benito Musolinit ndaj Shqipërisë. Kthimi i Mahirit në Shqipëri dhe aktivizimi me Lëvizjën Antifashiste së bashku me Tomorr Sinanin, Dhimitër Shuteriqin, Ptoleme Xhuvanin, Kol Papariston etj., gjë e cila bëri që në vitin 1943, ai të arrestohej nga karabineria italiane dhe internohej në kampin e Porto Romanos, nga ku u lirua në vitin 1944, për të dhënë kontributin e tij në Këshillin Nacionalçlirimtar të Qarkut të Elbasanit.

Kontributi i profesor Domit pas vitit 1945-së në projektet më të rëndësishme arsimore e shkencore në Shqipëri, së bashku me profesorët e tjerë, Eqerem Çabej dhe Kostaq Cipo, si dhe angazhimi i tij fillimisht në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, deri në themelimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës, ku ai u caktua si profesor Fakultetit të Historisë në Katedrën e Gjuhës Shqipe, duke dhënë mësim në të gjitha nivelet e studimit. Si dhe pjesëmarrja e kontributi i madh i profesor Domit në themelimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku ai u morr me studime dhe la një sërë veprash në fushën e historisë së gjuhësisë, duke u konsideruar si një nga korifejtë e fundit të plejadës së studjuesëve shqiptarë, që u morrën me historinë e gjuhës shqipe.

Gati dy dekada më parë, më 19 shtator të vitit 2000, në moshën 86 vjeçare, u nda nga jeta një nga studiuesit e shquar të Historisë së Gjuhësisë Shqiptare, i konsideruar nga të fundmit e plejadës së gjuhëtarëve, profesor Mahir Domi, anëtar dhe themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Kush ishte Mahir Domi, ku kishte studjuar ai dhe cili është kontributi i tij në letrat shqipe?

Nga Normalja e Elbasanit, në Liceun e Korçës

Mahir Domi u lind në vitin 1914-të në qytetin e Elbasanit, në një familje të shtresës së mesme qytetare. Babai i tij Sul Domi, kishte një dyqan të vogël me të cilin zhvillonte aktivitetin e tij tregtar sa për të mbajtur familjen. Mahiri mësimet e para i mori në qytetin e tij të lindjes në Elbasan, i njohur për traditat arsimdashëse që me Konstandin Kristoforidhin, një nga korifejtë e Rilindjes Kombëtare shqiptare. Pas mbarimit të shkollës fillore prej gjashtë klasësh, ose siç quhej asokohe shkolla Plotore, në vitin 1927-‘28, Mahiri ndoqi mësimet në shkollën “Normale” të Elbasanit, të cilën nuk pati mundësinë ta përfundonte për arsye shëndetsore.

Pas kësaj mjekët i rekomanduan një klimë malore dhe ai e ndërpreu shkollën në Elbasan, për të vazhduar më tej në Liceun e qytetit të Korçës, të cilin e filloi në vitin 1929 dhe e vazhdoi rregullisht deri në vitin 1937. Mahiri ishte pjekuar para kohe dhe që në bangat e shkollës fillorë ai kishte etje të madhe për të lexuar libra e gazeta të ndryshme. Në moshën nëntëvjeçare, ai ishte abonuar në shtypin e Tiranës, Korçës, Gjirokastrës, si dhe në atë të Bostonit (“Dielli”), Kostancës (“Shqipëria e Re”), si dhe “Albania” në Bruksel e Londër. Lidhur me shkollimin e tij në qytetin e Elbasanit, në kujtimet e tija të shkruara që në atë kohë (të cilat ruhen në arkivin familjar), midis të tjerash Mahiri shkruan: “Në vitin 1929, pasi e kisha ndërprerë për një vit për arsye shëndetsore “Normalen” e Elbasanit, shkova të studjoj në Lyceun e Korçës, ku vazhdova rregullisht deri në vitin 1937, kur mora Bakalaureatin, e kreva mësimet e shkollës së mesme. Gjatë vitit shkollor 1935-‘36, e ndërpreva frekuentimin e mësimeve dhe u ktheva në Elbasan për arsye familjare e shëndetsore.

Image
Akademik Mahir Domi

Gjithë këto kohë qëndrova herë si nxënës internatist (konviktor) në internate private dhe ato të shtetit, e herë si nxënës i jashtëm, por gjithmonë me të hollat e familjes time”. Disa nga bashkëmoshatarët e Mahir Domit që kanë studjuar me të në Liceun e Korçës, tregojnë se ai ishte një nga nxënësit më të rregullt dhe më të mirë në mësime të asaj shkolle. Në veçanti, prirjet e tija ishin për letërsinë ku ai kishte njohuri të thella e shpesh debatonte me profesorët që e zhvillonin atë lëndë. Lidhur me këtë gjë, Mahiri në kujtimet e tija shkruan: “Kontaktet me një letërsi të pasun si letërsia franceze dhe njohja me vepra dhe ide përparimtare, zhvilluen te un idena demokratike, por tuj qenë i mbyllët e i përqëndruem në botën e librave, e nga temperamenti jo i hedhun në jetën praktike, këto simpatina mbeteshin të pa konkretizume, e interesi për të qëndronte si të thuhash në planin moral e teorik, pa mbërritë të jetë aktiv e të shoqënohet me ndonjë lloj aktiviteti”.

Student në Universitetin e Grenobëlit

Pasi mbaroi me rezultate të larta Liceun klasik në qytetin e Korçës në vitin 1937, Mahiri mundi të përfitonte një të drejtë studimi nga qeveria e Mbretit Zog, për të vazhduar më tej shkollimin e tij në një nga universitetet e Perëndimit. Kjo mundësi ju dha edhe nga gjendja e kënaqëshme ekonomike që kishte familja e tij dhe dëshirës së babait, Sulë Domit, për ta shkolluar djalin e tij në Francë, duke ja pagur vetë të gjitha detyrimet financiare për të gjitha vitet e shkollës, gjë të cilën jo shumë familje shqiptare në atë kohë kishin mundësi ta bënin. Lidhur me këtë gjë Mahiri shkruan:”Në tetor të vitit 1937, shkova po me të hollat e familjes, të ndjek mësimet e nalta në Francë dhe hyna në Fakultetin e Letërsisë t` Universitetit të Grenobëlit. 7 Prilli i vitit 1939, më gjeti aty bashkë me shokët e tjerë studentë shqiptarë t`atij qyteti, si Dhimitër Shuteriqi, Bilbil Klosi etj., me të cilët bëmë telegrame protestimi dhe bëmë demostrata e mitingje kundër konsulatës italiane, duke manifestuar qëndrimin tonë në mënyra të ndryshme për të skjaruar opinionin e huaj.

Ngjarjet e 7 prillit më shtynë të kaloj në një interesim më aktiv për problemet politike e më afruen me rrethet progresiste. Kështu hyna në kontakt me persona e grupe përparimtare, si Qamil Çela e grupin e Thanas Zikos, e më vonë me atë të Sejfulla Malëshovës. Po kështu pata kontakte me korespodencë me vullnetarët shqiptarë të Spanjës, të internuem në kampe përqëndrimi si Skënder Luarasin, Hulusi Spahiun etj, duke kontribuar në mënyrë aktive si sekretar i grupit të studentave të Grenobël-it e ma vonë i kolonisë shqiptare të Francës dhe të organizatës antifashiste “Federata Shqiptare” që ajo ngriti. Në vjeshtën e vitit 1939 kreva mësimet e Universitetit e mora “Lecencë d`Ensegnament” në Letërsi klasike, e nuk u ktheva në Shqipëri, në Elbasan. Vijova të qendroj në Grenoblë deri në vitin 1941, tue përgatitë punimin e provimit e “Diplome d` Etudes Superjeures” në Letërsi. Këtë e fitova në prillin e 1941-it, dhe në qershor u ktheva në Shqipëri në Elbasan”.

Internohet në Porto-Romano

Me t’u kthyer në Shqipëri në vitin 1941, Mahiri lidhet me grupet e rezistencës antifashiste në krye të së cilës qëndronin grupet komuniste. Mahiri u lidh kryesisht me vëllezërit, Gogo e Kozma Nushi, me të cilët kishte një miqësi që nga Franca ku ata ishin në krye të emigracionit shqiptar. Në vitin 1942, Ministria e Arsimit, duke parë rezultatet e tija të larta, si dhe nevojën që kishte asokohe për mësues (shumë arsimtar shqiptarë u dërguan të punojnë në Kosovë), e emëroi si profesor të jashtëm (me orë) në “Normalen” e Elbasanit. Krahas punës si profesor, Mahiri u lidh dhe me Lëvizjen Antifashiste në atë qytet. Lidhur me këtë gjë Mahir Domi në kujtimet e tija shkruan: “Në luftë kundra fashizmit kontribova në mënyrë active, duke zhvilluar veprimtari antifashiste dhe punova në ambjente të ndryshme e në mënyra të ndryshme sipas rasteve, duke pasur kontakte me Tomorr Sinanin, Ptoleme Xhuvanin, Dhimitër Shuteriqin, e më vonë me Kol Papariston.

Në fund të qershorit 1943, u arrestova nga karabinieria fashiste italiane dhe u internova në kampin e përqëndrimit në Porto-Romano, afër Durrësit. Aty në atë kamp qëndrova më shumë se dy muaj në një aneks të veçantë, së bashku me nja 20-25 vetë të tjerë, ndërmjet të cilëve ishin shokët Manol Konomi, Thanas Gjoka etj. Më pas dhe gjatë okupacionit gjerman, vijova që të jap kontributin tim në mënyrë active, gjatë muajve të fundit të vitit 1943. Në vitin 1944, bëra pjesë vazhdimisht si antar në këshillin klandestin Nacional-Çlirimtar të qytetit të Elbasanit, duke punuar sidomos për mbajtjen më këmbë të këshillave në të gjithë qarkun”.

Me Xhuvanin e Çabejn për arsimin

Pas mbarimit të Luftës, Mahir Domi u angazhua tërsisht në problemet e arsimit shqiptar, së bashku me Aleksandër Xhuvanin, Kostaq Cipon e Eqerem Çabejn, të cilët hartuan projektet më të rëndësishme të fushës arsimore, kryesisht të gjuhësisë. Lidhur me këtë gjë profesori nga Kosova, Rexhep Ismajli, në studimin e tij për profesor Mahir Domin, të titulluar “Motorri që vuri në lëvizje studimet e gjuhësisë shqiptare”, ndërmjet të tjerash shkruan:” Profesor Mahir Domi së bashku me Xhuvanin, Çabejn e Kristaq Cipon, u angazhuan në projektet më të rëndësishme arsimore dhe shkencore siç ishin projektet e hartimit të ortografisë së shqipes, në studimet për shqipen nga aspektet më të ndryshme në mësimdhënien e disiplinave filologjike dhe posaçërisht gramatologjike në nivelet më të larta të shkollimit që kishte Shqipëria atëhere. Me fillimin e punës të Institutit të Gjuhësisë dhe Historisë, më vonë të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Mahir Domin e gjejmë me tërë angazhimin e tij atje”. Në vitin 1957, kur u themelua Universiteti Shetëror i Tiranës, Mahir Domi u caktua profesor i fakultetit të Historisë në Katedrën e Gjuhës Shqipe, duke dhënë mësim në të gjitha nivelet e studimit.

Në Institutin e Gjuhës dhe Letërsisë, përveç punës së tij si studjues, profesor Mahiri kryente dhe shumë detyra të tjera organizative. Kështu ai për shumë vjet ka qenë drejtues i Sektorit të Dialektologjisë, i sektorit të Gramatikës, redaktor për disa vjet në revistat “Buletini i USHT-së, “Studime Filologjike”, “Studia Albanica” dhe “Dialektologjia shqiptare”. Po kështu gjatë kësaj kohe, Mahiri ishte dhe drejtues studimesh dhe tezash të realizuara në këtë Institut dhe në fakultetin e Histori-Filologjisë, duke qenë një nga pjesmarrësit kryesorë të veprimtarive shkencore me rëndësi siç ishin, konferencat albanalogjike, Kongresi i Drejtshkrimit, pjesmarrja në kongreset ballkanologjike, etj. Në studimet albanologjike të pas viteve ‘50-të Mahir Domi zë një nga vendet më të rëndësishme si shkenctar i përmasave të mëdha.

Studiues i historisë së gjuhës shqipe

Profesor Mahir Domi përveç studimeve në fushën e gjuhësisë, është marrë për një kohë të gjatë dhe me studimin e historisë së gjuhës shqipe. Lidhur me këtë gjë profesor Rexhep Ismajli, mes të tjerash shkruan: “Në fushën e studimit të historisë së gjuhësisë shqipe, profesor Mahir Domi ka lënë gjurmët e tija që në vitet 60-të, kur botoi tekstin e parë të universitar për “Morfologjinë Historike të Shqipes”. Deri atëhere në historinë e albanologjisë, ishin bërë parqitje sintetizuese për fusha të ndryshme të historisë së shqipes, ishin bërë gjithashtu dhe tekste sintetizuese për tërë historinë e gjuhës shqipe, nga Eqerem Çabej, në 1947-ën dhe u mbarua në 1960-ën, i Selman Rizës në Prishtinë në 1952-in, e në Sarajevë në 1959-ën, i Henrik Bariqit, po në Prishtinë në 1955-ën, e në Sarajevë në 1959-ën, por jo morfologjinë historike. Mahir Domi botoi dispensat për Morfologjinë historike të shqipes, disiplinë që pastaj njohu zhvillime të rëndësishme në Tiranë, në Prishtinë dhe gjithandej në botën albanologjike. Po në këtë fushë, Mahir Domit i bie merita e hulumtimit të gjerë dhe me me metoda të mirfillta filologjike të leksikut të shqipes, para dokumentave të para, ashtu si dhe nxitja e diskutimeve për historinë e herëshme të shqipes, sidomos për raportet midis shqipes dhe ilirishtes.

Në thelb Mahir Domi ashtu si gjithë albanologjia shqiptare e asaj kohe, në të gjitha diskutimet e tija për atë çështje përpiqej të argumentonte hipotezën për prejardhjen ilire të gjuhës shqipe. Në historinë e Letërsisë së bërë nga shumë autorë të viteve 70-të, Mahir Domi është një nga hartuesit kryesorë të pjesëve për letërsinë e vjetër shqiptare, ai nuk u muar me atë letërsi vetëm pse ishte njohës i shqipes së vjetër dhe i dokumenteve të herëshme të shkruara, por sepse aty ishin bazat e gjuhës shqipe”. Mahir Domi ka qenë antar i Institutit të Shkencave dhe anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i shumë forumeve të larta shkencore e arsimore të vendit tonë si dhe i disa formueve ndërkombëtare, ku ka përfaqsuar me dinjitet shkencën dhe kulturën shqiptare. Ai është shumë i njohur dhe i vlerësuar e jashtë Shqipërisë në botën albanalogjike e ballkanologjike. Për Profesor Mahir Domin, flasin me respektin më të thellë të gjithë ata që e kanë njohur nga afër dhe kanë punuar me të. Një nga ata, profesor Ali Xhiku, kujton: “Profesor Mahir Domin e gjeje gjithnjë në bibliotekë duke studjuar dhe “të humbur” pas punës. Dukej sikur asnjë “ngacmim” tjetër nuk e shkëpuste dot prej saj.

Po ai e linte punën e tij, menjëherë sapo dikush t`i kërkonte ndihmë. Ai nuk kursehej dhe u gjendej gjithmonë të tjerëve. Nuk është e rastit që kontributet më të mëdha i ka dhënë në punë të përbashkëta. Profesori i nderuar Eqerem Çabej më pa thënë njëherë për profesor Mahir Domin: ai është një njeri i rrallë, punon shumë më tepër për kolegët dhe pak për vete”. Profesor Mahiri pati fatin të jetonte për një periudhë relativisht të gjatë dhe gjithë atë jetë ja kushtoi studimeve në fushën e gjuhësisë, ku ka lënë me mijra faqe të botuara. Për gjuhësinë shqiptare, humbja e tij ndonëse në moshën 86 vjeçare, ishtë një humbje e madhe, sepse siç e ka cilësuar një nga bashkpunëtorët e tij, “me Profesor Mahir Domin, mbyllet plejada e fundit e gjuhëtarëve shqiptarë”. Në lamtumirën për në banesën e fundit, që i dhanë shokët të afërmit dhe bashkpunëtorët profesor Mahirit, një nga miqtë më të ngushtë të tij, profesor Dhimitër Shuteriqi, I konsideruar si i fundmit i Rilindjes shqiptare, mes të tjerash u shpreh:”I ëmbëli dhe i urti Mahir. E lehtë është toka mëmë për bijtë që i kushtuan jetën. Mahiri ynë la një vepër të madhe, e cila u çmua fort në gjallje të tij, por që do të fitojë dhe më shumë vlera dhe bukuri në shekullin që sapo agoi”./Memorie.al/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat