Një kujtim për ty shoku im i bankës Milaim Zeneli

Kultura

Një kujtim për ty shoku im i bankës Milaim Zeneli

Florent Zeqaj Nga Florent Zeqaj Më 30 mars 2020 Në ora: 16:21
Milaim Zeneli

Shtatori i vitit 1997, ishte viti kur ne u bëmë shokë për herë të pare. Bile vendosëm që edhe bankën ta ndajmë bashkë si nxënës të shkollës së mesme të Mjekësisë në Pejë, Milaim. Situata politike në Kosovë kishte filluar të ndryshonte. Për ne si nxënës shqiptarë që udhëtonim nga fshati në qytet ishte edhe me e vështirë. Patrulla të shpeshta të policisë serbe që na ndalonin, autobusët që na kontrollonin deri në detajin më të vogël. Më kujtohet si sot Lim, se kështu të kam thirrur, kur një ditë ishte marsi i 98, një ditë pasi ndodhi ngjarja në Prekaz në familjen Jashari, unë dhe ti në fletore i shkruam tri shkronja: UÇK dhe fjalinë “Drenicë jemi me ty”.

Të nesërmen kur erdhe në shkollë më tregove se në vend stacionin e policisë serbe ne Kliqinë e kishe përjetuar tmerrin, pasi serbët ishin futur në autobus dhe ta kishin gjetur fletoren për të cilën të kishin rrahur në sy të shumë nxënësve të tjerë. Por, ti nuk ishe i penduar aspak Lim, bile atë ditë atyre tri shkronjave dhe asaj fjalie ia shtuam edhe shqiponjën dhe e kompletuam mesazhin. Nejse, kam shumë e shume kujtime për ty, por ëndrrën na e ndanë në gjysme kriminelët. Mësimi u ndërpre, lufta për liri mori hovin e vet, ne u ndamë me shpresën dhe betimin se do të shihemi prapë shok; por jo, ajo nuk ndodhi kurrë fatkeqësisht. Liria erdhi Lim, me luftën e djemve e vajzave më të mire të kombit por edhe me ndihmën e gjakut të martirëve, me ndihmën edhe të gjakut tënd Lim. Unë u ktheva në shkollë në Kosovën dhe Pejën e çliruar. Në shtatorin e 99 u futa në klase, takova të gjithë shokët por ti nuk erdhe Lim. Nuk erdhe sepse të kishin vrarë gjakprishurit në lulen e rinisë.

Të kishin vrarë vetëm pse flisje shqip, jo pse kishe bërë ndonjë krim. Lim, më vranë edhe mua, shpirtërisht ngase të humba ty si shok. Por unë vazhdova, u ula ne bankën tonë në të cilën ende i kishim emrat të gdhendur. U ula në bankën pa ty, por të mbushur me lule në kujtim për ty dhe për një kohe të gjatë vendin tënd nuk e zuri askush. E lashë të zbrazët dhe rrija i vetmuar. Lim, ty të vranë në moshën15 vjeçare, pikërisht në ketë datë kur unë po e shkruaj këtë kujtim për ty. Pra me 29 mars të vitit 1999, ty të vranë kriminelet serbë bashke me 12 bashkëfshatarët e tu të fshatit Poterq i Epërm të Klinës. Sot në përvjetorin tendë, shoku im unë jam i mërzitur, por edhe i lumtur që të pata shok dhe e ke zënë një vend të rëndësishëm në historinë e këtyre viteve të mia. I përjetshëm kujtimi për ty Lim, dhe e bekuar qoftë familja jote Zeneli, nga Poterqi i Epërm i Klinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat