E vërteta e 1 Prillit

Kultura

E vërteta e 1 Prillit

Nga: Ardian Haziri Më: 2 prill 2020 Në ora: 00:09
Ardian Haziri

Sigurisht se të gjithë ne e dimë se 1 Prilli nuk karakterizohet me të vërteta, dhe se është një datë ku thuhen gënjeshtra, kurdisen mashtrime, e dominon shakaja. Mirëpo ne do të themi të vërtetën mbi origjinën e ditës së gënjeshtrave. Secili nga ne, që kur ishte në moshën fëmijërore me 1 Prill gjithmonë kujtohej të rezervonte një gënjeshtër të vogël, të padëmshme, në formë të një shakaje për t’ia bërë ndokujt, dhe se nuk brengosej shumë nga reagimi i tjetrit sepse e konsideronte si të arsyeshme për këtë datë. Shumë nga ne e kemi përdorur këtë ditë dhe jemi tallur për vite të tëra, e që disa prej nesh ende vazhdojmë ta përdorim, si ditë e gënjeshtrave, ditë e talljes me të afërmit, shokët, kolegët e punës etj., që pa dyshim që sjell momente gazmore, e që sigurisht se kemi nevojë pasi që po përballemi me një jetë tejet dinamike, dhe një moment i vogël shakaje mund të ndikojë pozitivisht në disponimin tonë ditor.

Mirëpo a e kemi pyetur veten ndonjëherë se si erdhi kjo ditë dhe pse vazhdon të mbetet si e tillë edhe sot e kësaj dite? Ekzistojnë shumë hipoteza lidhur me prejardhjen e kësaj dite, kësaj shakaje e cila përsëritet për çdo vit.

1. Në kulturën antike Romake dhe në atë Hindu, 1 Prilli festohej si dita e parë e vitit, menjëherë pas ekuinoksit pranveror (20-21 Mars). Në mesjetë, pjesa më e madhe e Europës festonte 25 Marsin, Festën e Shpalljes, si fillimin e vitit të ri.

 

2. Një shpjegim tjetër është ai i parlamentit të Augsburgut i vitit 1530, me anë të të cilit duhej të unifikohej i gjithë sistemi monetar. Një prilli u caktua si dita e posaçme e monedhës, por që pak orë para kësaj dite u shty, kështu që shumë persona i humbën paratë e tyre dhe për këtë u tallën dhe u përqeshën.

3. Por më e besueshmja është se shakaja e 1 Prillit filloi nga viti 1582, kur Papa Gregori XIII, urdhëroi që kalendari i vjetër Julian, të zëvendësohej nga një kalendar i ri (kalendari Gregorian). Ky kalendar shpalli 1 Janarin si ditën e parë të vitit. Po atë vit Franca vendosi të ndjekë kalendarin Gregorian. Sipas një shpjegimi popullor. Ata që nuk ishin në dijeni të këtij ndryshimi dhe ata më tradicionalët, të cilët nuk pranuan të thyenin traditat, vazhduan të festonin 1 Prillin si ditën e parë të vitit. Këta të fundit u bënë shpejtë pre e talljeve. Disa të tjerë filluan t’u dërgonin porosi dhe lajme të rreme duke i shtyrë t’i besonin ato si të vërteta. Shumë shpejtë kjo praktikë u përhap në mbarë Europën.

Në shekullin e 17-të dhe 18-të kishte rregulla të qarta të shoqërisë, mbi të cilat ishin të bazuara shakatë. Kështu një i rritur mund të bënte shaka me një fëmijë, por një fëmijë nuk mund të bënte patjetër shaka me një të rritur. Në fillesat e krishtërimit, shumë njerëz talleshin me ata që ende e festonin këtë datë. Në Australi banorët e Melburnit ishin ata që u bënë të parët viktima të shakave të kësaj dite. Me t’u gdhirë dita e 1 Prillit ata panë se si makinat e tyre ishin mbështjellë me qese plastike. Pas kësaj iu desh që të çlironin makinat për të vazhduar të qetë ditën. Nuk dihet se kush ua punoi rrengun, por ajo që dihet është se shumë prej banorëve e morën këtë veprim me humor. Dijetarët e traditave popullore japin versione të ndryshme, të bazuar më shumë në hamendje se në teori të provuara shkencërisht, që e rrethojnë lindjen e kësaj tradite me një atmosferë misterioze.

Sipas sociologëve e psikologëve, në jetën e përditshme, shakatë janë bërë të rralla, kjo për shkak të presionit dhe ritmit të punës. Ata që ende sot e kësaj dite e festojnë në mënyrën më të këndshme ditën e shakave apo gënjeshtrave janë francezët. Me ardhjen e Krishtërimit në Perandorinë Romake festat e këtij lloji, me vullnetin e Kishës, u zëvendësuan me festat e tjera fetare, në mënyrë për të zhdukur përgjithmonë zakonet dhe traditat pagane.

Kështu dhe festa e 1 Prillit të zëvendësohej me atë të Pashkëve. Njerëzit që këmbëngulnin në festimin e ritit të vjetër pagan ishin objekt tallje dhe shakaje të të gjitha llojeve. Të dyja hipotezat, megjithatë, konfirmojnë origjinën pagane dhe gazmore të festës, e cila vazhdon edhe sot, megjithëse me nuanca të ndryshme, për të qëndruar gjallë në pjesën më të madhe të botës.

Ata që e kanë bërë edhe më të këndshme ditën e gënjeshtrave janë edhe mediat. P.sh. rrjeti televiziv “BBC” në 1 Prill 1957 publikoi një kronikë sipas së cilës fshatarët zviceranë korrnin makarona nga pema. Edhe ne vendin tonë faqet e mëdha të internetit herë pas here nxjerrin lajme shumë të çuditshme, apo në televizione dëgjon diçka që s’të mbush mendjen, kur me pas kujton se është thjesht një shaka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat