Filozofia e pajtimit dhe e faljes

Kultura

Filozofia e pajtimit dhe e faljes

Nga: Gjon Keka Më: 2 prill 2020 Në ora: 17:12
Gjon Keka

Akti i pajtimit gjithëpopullor të gjaqeve kishte dy domethënie: shpëtimin nga e keqja dhe jeta në liri të atyre që ishin në gjak me hasmin e vet.

Vetë filozofia e pajtimit dhe faljes së gjaqeve ishte realisht edhe filozofi e shpëtimit, e ruajtjes së ekzistencës dhe e qenies së shoqërisë, familjes dhe tërë popullit shqiptar të Kosovës. Siç dihet, pajtimi si koncept është i lashtë dhe sigurisht që ka origjinë të vjetër, ndaj dhe rrjedhimisht akti i pajtimit gjithëpopullor të gjaqeve tregon vazhdimësinë dhe nevojën e popujve, njerëzve, shoqërisë dhe familjeve për pajtim dhe falje. Ky akt human ishte edhe rezultat i mbrojtjes, i ruajtjes, i ndaljes së krimit dhe urrejtjes që kishte triumfuar nga brenda te disa individë, familje, klane, palë apo shoqëri. Ky akt i pajtimit gjithëpopullor të gjaqeve përbënte edhe një lloj bindje se vetëm triumfi i së mirës, i së drejtës, i shërimit, faljes dhe pajtimit mund ta sjellë dritën dhe jetën e përbashkët duke ecur në rrugën e paqes dhe të së ardhmes.

Iniciativa e prof. Anton Çettës ishte një akt bujar për ngritjen e popullit dhe shoqërisë në shkallën e lartë të civilizimit dhe kulturës së jetës normale në paqe e liri. Nga realizimi i kësaj ideje dhe vënien së saj në praktikë u pa qartë se ata u bënë roje që presin mbi bedena të kohës së pajtimit të njerëzve, familjeve dhe shoqërisë, për t’u dhënë atyre arsyen e të kuptuarit të një bote të re, të një kulture të moderuar, të njohjes së një mendjeje që sheh përtej mureve të urrejtjes dhe që i shemb ato. Ata vendosën që me anë të këtij akti populli të ngjitet në shkallën e tij të arsyes, të lirisë dhe të shikimit të së ardhmes, larg urrejtjes, vrasjeve dhe frikës nga njëri-tjetri. Ata bënë të mundur që parimi i pajtimit gjithëpopullor të gjaqeve të vendoset jo vetëm te fjalët e të pajtuarve dhe të atyre që falnin, por për më tepër të vendoset edhe në mendjet e njerëzve, familjeve, shoqërisë dhe mbarë popullit, që ky shembull të ndiqej edhe nga të tjerët. Kjo do të bënte të mundur që të ndalen mes popullit shqiptar të Kosovës vrasjet për gjakmarrje e hakmarrje. Gjithashtu, duhet nënvizuar se akti i pajtimit të gjaqeve nënkuptonte edhe ndjenjën e nevojshme të unitetit të popullit me veten, me njëri-tjetrin etj. Kështu që nga kjo nismë u hodh edhe fara e pajtimit dhe paqes jo vetëm mes atyre që ishin në gjakmarrje apo hakmarrje, por edhe midis mbarë njerëzve, familjeve, shoqërisë dhe popullit në pajtim me udhën e Zotit.

Për ta përforcuar këtë ide, vlen të citoj në këtë studim edhe Anna Di Lellio, e cila shkruan mbi pikënisjen e këtij projekti drejt luftës me sfidat, padrejtësitë dhe arsyet e ngadhënjimit mbi to, kur thotë se “këto sfida dhe padrejtësi çuan në lindjen e tri lëvizjeve të mëdha popullore:

1. Lëvizja për pajtimin e popullit shqiptar apo lufta kundër gjakmarrjes, një zakon i vjetër i shekullit të bazuar në të drejtën zakonore të Lekë Dukagjinit: “Gjaku nuk humbet, as nuk falet”. Kjo lëvizje për pajtim ishte shtysë nga të rinjtë dhe intelektualët shqiptarë, të mbështetur nga të gjitha bashkësitë, ku 1275 raste të gjakmarrjes janë pajtuar me ceremonitë që janë mbajtur kudo. Rreth gjysmë milioni njerëz morën pjesë në këto ngjarje. Kishte turma shpesh të mëdha, si për shembull më 1 maj 1990 në “Verrat e Llukës”. Kjo lëvizje për paqe dhe falje është udhëhequr nga prof. Anton Çetta, katolik shqiptar dhe kreu i këshillit qendrore në Prishtinë.

2. Lufta kundër analfabetizmit, me krijimin e sistemit paralel shkollor, në mënyrë që të ruhet gjuha shqipe, kultura dhe tradita, nisur nga shkolla fillore deri në universitet. Po ashtu, në këtë kohë u ngrit një sistem shëndetësor paralel me më shumë se 150 klinika, duke siguruar kujdes shëndetësor falas për të gjithë.

3. Lëvizja humanitare e solidaritetit, si Shoqata Humanitare “Nëna Tereza”, e themeluar më 10 maj 1990 për të shpëtuar njerëzit nga uria, varfëria ekstreme dhe masakra. Për 10 vjet (1990-1999), shumë njerëz ishin në gjendje të mbijetojnë në sajë të Shoqatës “Nënë Tereza” dhe krijimit të rrjetit të shoqatave në fshatra brenda Kosovës në partneritet me të gjithë qytetarët nga jashtë vendit, si dhe me shoqata të ndryshme joqeveritare, të tilla si Caritas dhe të tjera. Në këto 15 vitet e fundit është dhënë ndihmë për të gjithë, pa dallim etnik ose fetar, në stilin e jetës dhe veprës së Nënës Terezës, duke treguar edhe një herë se kjo grua e madhe shqiptare tani ishte rrënjosur thellë në mendjet dhe zemrat e popullit shqiptar, si dhe është shprehja më e mirë e kombit human të krishterë të shqiptarëve, si dhe të kulturës dhe traditës. Nënë Tereza është “ambasadori” i shqiptarëve. Pas vdekjes së saj në vitin 1997 janë organizuar “Ditët e Nënës Terezë”, nën kujdesin e Presidencës së Kosovës, një ngjarje e rëndësishme kulturore në Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Serbi, Kroaci, Slloveni, Itali dhe Zvicër. Nëna Terezë është shfaqur si një model kulturor, fetar dhe humanitar për tërë Ballkanin dhe botën.

Pra shihet se pikërisht këto tri lëvizje u bënë bazë për strategjinë jo të dhunshme të udhëhequr nga dr. Ibrahim Rugova, duke konsoliduar kështu vëllazërinë dhe ndihmën apo solidaritetin, si dhe duke krijuar një dialog ndëretnik dhe ndërfetar”.

Prof. Anton Çetta dhe të tjerët, me anë të këtij projekti kombëtar u bënë edhe predikuesit më të mëdhenj shqiptarë të pajtimit dhe faljes mes njerëzve, familjeve, shoqërisë dhe popullit shqiptar të Kosovës. Njëzëri, ky mision i pajtimit dhe faljes tanimë ishte shtrirë edhe në shumë vende dhe kishte marrë jehonë si brenda popullit shqiptar të Kosovës edhe jashtë tij, kudo ku jetojnë shqiptarët. Kështu filozofia e pajtimit dhe faljes ishte e rëndësishme për faktin se mes popullit lindi drita e re që u bëri të mundur individëve, familjeve dhe shoqërisë e popullit ta analizojë gjendjen e tmerrshme të jetës nën gjakmarrje e hakmarrje, ta urrejë atë dhe të hedhë hapat e përbashkët drejt të ardhmes dhe jetës së qetë në paqe e bashkësi.

Filozofia e pajtimit dhe e faljes ishte gjithë dinjitet dhe e mbështetur në njohuritë e plota të situatës dhe inteligjencës së popullit. Koncepti i pajtimit dhe përmbajtja më e spikatur e tërë kësaj historie të pajtimit të gjaqeve në Kosovë, si filozofi e pajtimit ishte gjetja më inteligjente e zbuluar nga Anton Çetta dhe shumë intelektualë të tjerë atdhetarë të kohës. Kjo nevojë e pajtimit dhe faljes ishte ngritur tanimë lart me dhënien e Besës njëri-tjetrit. Kështu u pa qartë se si dikur midis shqiptarëve mendja ishte kthyer kundër natyrës njerëzore, pra si një mëkat kundër vetvetes, porse kjo e keqe duhej të ndalej dhe se ndërgjegjësimi i palëve, familjeve dhe shoqërisë duhej të shkonte drejt thelbit të jetës, kah kulturës, respektit dhe paqes me njëri tjetrin. Akti i pajtimit u njoh si akti kundër së keqes, si një akt i parandalimit dhe i ndaljes së gjakut që derdhej nga vetë shqiptarët, si rezultat i veseve dhe zakoneve të huaja të mbetura kanunore, por tepër të dëmshme për kombin mbarë.

Kështu që filozofia e pajtimit dhe e faljes u quajt një filozofi e domosdoshme që e parandaloi të keqen, shpëtoi shoqërinë, familjet e individët nga shuarja.

Më duhet të nënvizoj se në këtë projekt të rëndësishëm nacional të pajtimit të gjaqeve u bënë tri besëlidhje në një akt të:

Besës me Zotin – Pajtimi dhe dhënia e besës nga individët, familjet, shoqëria dhe populli me Zotin.

Besës me njëri-tjetrin – Pajtimi apo falja, duke ia shtrirë dorën njëri-tjetrit, duke lidhur kështu edhe besën në mes tyre, se nuk do të ketë më gjakderdhje të reja.

Besës publike për liri dhe pajtim – Pajtimi me një zë të përbashkët publik i të gjithëve, duke ua dhënë dorën organizatorëve të pajtimit, si prof. Anton Çettës dhe bashkëshoqëruesve të tjerë në këtë projekt të pajtimit gjithëpopullor të gjaqeve.

Vendet ku bëhej pajtimi gjithëpopullor i gjaqeve u bë një lloj altari i jashtëm që shfaqte pamjen e madhe të këtij akti njerëzor, por edhe hyjnor, sepse akti i pajtimit dhe i faljes nuk ishte vetëm vepër e një njeriu, por edhe e Zotit, i cili donte që shqiptarët të mos vriteshin me njëri-tjetrin, si pasojë e dukurive të trashëguara negative.

Prandaj edhe vepra e pajtimit kishte filluar të fliste në brendësinë e popullit dhe shoqërisë, dhe se kështu zë fill thelbi i njohjes së këtij akti dhe kuptimit të përbashkët se pajtimi gjithëpopullor i gjaqeve ishte i domosdoshëm dhe shumë i rëndësishme në shpëtimin dhe ruajtjen e jetës, lirisë dhe paqes mes shqiptarësh.

Gjatë ceremonive u pa se pajtimi dhe falja e gjaqeve ishte siguria e domosdoshme që ngriti vetëdijen e popullit për pajtim gjithëpopullor dhe aprovimin e të gjithëve për liri, gjë që u konfirmua në praktikë me anë të besës së dhënë me ndërmjetësimin e prof. Anton Çettës dhe bashkëshoqëruesve dhe intelektualëve të tjerë. Mbi të gjitha, ky ishte një hap drejt fitores kundër së keqes brenda vetë shqiptarëve që ishin ende nën gjakmarrje e hakmarrje.

Pajtimi i gjaqeve kishte efekt të dyfishtë: në njërën anë të ndaljes të kësaj të keqeje, të këtij vesi dhe dukurie negative dhe, në anën tjetër, i përgatitjes së rrugës për liri dhe njohjen e të ardhmes së përbashkët si popull. Zakonisht, raca arbnore nuk ka qenë e shurdhër, ajo i ka dëgjuar mendjet dhe gojët e urta që u kanë folur atyre për shpëtimin dhe rreziqet edhe në kohën e projektit të pajtimit gjithëpopullor të gjaqeve, me në krye prof. Anton Çettën. Populli u besoi dhe ra dakord që ky projekt, kjo iniciativë, kjo ide ishte e dobishme, sepse i shërbente të mirës dhe të ardhmes së përbashkët të të gjithëve, duke e shpëtuar popullin nga kjo e keqe kanunore.

Sido që të jetë, në lidhje me këtë, siç theksohet edhe këtu dhe siç thoshte edhe vetë prof. Anton Çetta, “frika nga sulmet hakmarrëse shumë shpesh i kishte detyruar burrat shqiptarë të largohen jashtë vendit, ose për të mbetur brenda shtëpisë së tyre familjarë të rrethuar me mure për dekada të tëra”. Duke shtuar më tej se në disa raste vetëm gratë dilnin jashtë shtëpisë së tyre. Tradicionalisht, ishin pleqtë nga dyja familjet armiqësore që zyrtarisht e zgjidhnin konfliktin e hakmarrjes që kërkohej. Por ka pasur raste kur hakmarrjet apo gjakmarrjet nisën si një zinxhir vrasjesh që nuk arrinin të përfundonin dot; nga të dhënat, 25 deri në 30 jetë njerëzish vriteshin nga hasmëria.

Në lidhje me këtë, prof. Anton Çetta shprehet se kjo “praktikë, e cila shtrihet edhe në Malin e Zi, ka pasur edhe atje një lloj fushate nga qeveritë, por që kanë dështuar për t’i dhënë fund kësaj praktike”. Gjyqtarët zakonisht u jepnin dënime nga 10 deri në 20 vjet burg burrave të dënuar për vrasje të gjakmarrjes apo hakmarrjes, por gjithnjë sipas fjalëve të tij, “dënimet e tilla nuk i kanë penguar vrasjet. Ata mendonin se kanë për ta ndalur këtë, por, siç dihet, ky është një zakon që është rritur në një kult”.

Po ashtu, prof. Anton Çetta thoshte se “grupi i tij ishte duke u përpjekur për të ndryshuar sjelljen, duke apeluar më tepër për instinktet patriotike në një kohë trazirash, kur shumë shqiptarëve u duhet një rezistencë në atë që ata pretendojnë, sepse shihej një rritje e presionit nga regjimi qendror në Beograd. Regjimi i Serbisë, i cili sundonte Kosovën, është duke përgatitur një program ambicioz për t’i konsideruar serbët brenda Kosovës si vendas, ndërsa në anën tjetër bëhej një përpjekje që shqiptarët t’i konsiderojnë si kolonialistë”. Prandaj Anton Çetta nënvizonte, në lidhje me iniciativën e tij, edhe përpjekjet e mëdha të pajtimit gjithëpopullor se “qëllimi ynë është një përpjekje vullnetare për ta shkatërruar krejtësisht hakmarrjen apo gjakmarrjen si një e keqe, sepse ne nuk duam që ta mbajmë këtë stigmë më gjatë”.

Megjithatë duhet ditur se kur një popull është mësuar që të kujdeset për interesat e veta dhe për t’i trajtuar ato praktikisht, fuqia dhe e drejta kurrë nuk mund t’i rrëmbehen nga duart. Edhe popullit të Kosovës asnjëherë, edhe pse ishte nën pushtime barbare, nuk arritën t’ia marrin fatin nga duart, sepse kishte njerëz, personalitete të rëndësishme intelektuale dhe të tjerë që u kujdesën për interesat e vendit, për çlirimin e tij, për lirinë dhe shtetndërtimin mbi parimet demokratike. Porse sot ky fat ka tendenca për t’iu rrëmbyer popullit të Kosovës, si rezultat i pushtetarëve të verbër apo mbetjeve osmane dhe të tjerëve, të cilët, duke lidhur “vëllazëri” me turqit duan ta shkatërrojnë dhe ta shtrembërojnë identitetin dhe historinë e këtij populli të lashtë dardano-ilir. Porse duhet ditur se një gjë e tillë nuk do të realizohet asnjëherë, sepse si çdo herë edhe tani do të ketë arbnorë të vërtetë që do ta ruajnë fatin e këtij populli nga ky rrëmbim i armiqve të vjetër dhe vëllazërisë me ta.

Siç dihet, shpesh kombet apo popujt kanë pasur një problem të madh përgjatë udhëhistorisë së tyre, ngaqë në mes tyre kanë mbirë farëra të këqija ose ato janë mbetje të së kaluarës, rezultat i pushtuesve barbarë. Edhe populli ynë ka pasur nga këto lloj barërash të këqija, që kanë mbirë nga kjo tokë apo që i sollën me vete pushtues

ndryshëm. Madje edhe sot këto ferra po i rrinë nëpër këmbë popullit tonë, duke e dëmtuar, duke i bërë dëm të madh kombit dhe gjithë shoqërisë sonë shqiptare. Rrënjët e këtyre dëmeve janë të thella dhe duhet shumë mund e sakrifica për t’i shkulur njëherë e mirë nga gjiri i popullit, sepse mund të dalin si djalli në fushë të hapur.

Në lidhje me këtë, do të përmend këtu shkurtimisht një fabul. Një kopshtar e pyeti Aesopin se pse bimët për të cilat ai kujdeset me aq zell nuk rriten në mënyrë të shëndetshme e të kënaqshme, ashtu si edhe barërat e këqija. Aesopi i shpjegoi atij kopshtari se fara e keqe është një fëmijë i veçantë i tokës mëmë, se bimët e saj janë “fëmijë” jetimë, të cilët nuk i donin bimët e tjera, për shkak se nuk u ngjanin atyre. Kështu ato i llogaritnin si të lëna pas dore. Pra kjo e keqe për njeriun, kjo bimë ndryshe të tjerave, fatkeqësisht rritet më tepër sesa e mira dhe përhapet ngado pa asnjë lloj përkujdesje. Ndërsa toka do të ishte më e pastër, më e begatë dhe e mbushur me bimë të dobishme sikur të mos e kishte në mes tyre këtë armik, këtë bimë të harlisur keq, farën e së cilës e hedh armiku për ta shpërndarë kudo e për të dëmtuar bimët e nevojshme e të dobishme.

Nëse Aesop do të ishte gjallë në ditët e sotme ndoshta ai do të mund ta shpjegonte fabulën e farës së keqe dhe të mirë. Prandaj njeriu duhet të bëjë vetëm të mira dhe të jetë i durueshëm, derisa bimët e këqija të thahen vetë. Vetëm atëherë bimët e dobishme do të mund të lulëzojnë lirshëm.

Në kuadër të kësaj do të veçoj se fjala e pajtimit ka qenë në qendër të vëmendjes edhe të filozofëve, madje për gjuhën e Hegelit kjo ishte një çështje e rëndësishme, sidomos te trajtesa e tij mbi fenomenologjinë. Për të është thelbësore që pajtimi të arrihet së brendshmi, të jetë adhurim i njeriut, se vetëm kjo gjë do t’i sjellë siguri dhe ai më pas do ta marrë shpërblimin e pajtimit.

Pajtimi dhe “falja e gjakut ishte një trimëri kulmore, kërkesë, nevojë dhe domosdoshmëri e kohës sonë, sepse pa flakjen e kësaj dukurie, kancerit shpirtëror shqiptar, nuk ka liri dhe demokraci të mirëfilltë.

Me shumë bindje dhe kënaqësi mund të them se pata fatin, rastin, dhuratën dhe hirin e Zotit që të isha një ndër bashkëpunëtorët e të palodhshmit, të papërtueshmit dhe të pavdekshmit prof. Anton Çetta në lëvizjen e madhe të pajtimit të gjaqeve. Gjatë tërë jetës dhe veprimtarisë së tij të mëhershme ai ishte “bleta” që mblodhi “nektarin” më të mirë të popullit shqiptar, me letërsinë dhe traditën gojore, etnografike dhe folklorike, me grumbullimin dhe sistemimin e thesarit të rëndësishëm dhe të çmuar popullor për ne dhe për brezat e ardhshme.

Kështu, prof. Anton Çetta kishte zbuluar dy damarë të rëndësishëm të komunikimit me popullin shqiptar, atë të mendjes, arsyes, kulturës dhe traditës, si dhe atë të zemrës, ndjenjave, përjetimeve. Pikërisht për këtë mendoj se ishte një ndër njohësit më të mirë të “gjakut tonë të shprishur”, siç thonë arbëreshët, të mendjes dhe zemrës arbërore.

Nga ana tjetër, Jakob F. Reiff shprehet se uniteti i përjetshëm i parimit jetësor qëndron mbi bazën e pajtimit (...) Liria dhe drejtësia janë motra. Vetëm familja rritet së bashku dhe vuan së bashku (...).

Kështu që, në kuadër të kësaj duhet ditur se “ka vetëm një virtyt; dhe ky virtyt është drejtësia... Liria – është e vlefshme si ari, nëse ajo zotërohet në vatrën e saj dhe nuk teprohet e abuzohet me të. Sepse shpesh nga historia e popujve dhe e njerëzve kemi mësuar se liria e tepërt ka sjellë më pas pendim, dhe se delja e lirë dhe pa bari, kur ndahet nga tufa e ha ujku.

Gjithmonë për popujt liria ka qenë një fjalë e dashur. Por aty ku liria është kufizuar, mohuar apo aty ku ajo mungon atëherë ka gjithnjë përpjekje të gjakosura për ta rifituar atë apo për ta fituar si të drejtë të natyrshme. Qenia njerëzore është ajo që ka dinjitetin më të lartë; ndryshe nga kafshët njeriu e kupton lirinë dhe i di kufijtë e saj të natyrshëm. Kur tejkalohen këta kufij njeriu bie nën nivelin e kafshëve. Nga kjo, shkurt mund të nënvizoj se nuk ka fjalë me të cilën është abuzuar më shumë sesa me emrin e shenjë Liri. Vetëm liria e plotë mund të banojë mes njerëzve të mirë. Liria është frymëmarrja jonë, është fati i njeriut, është ndjenja më e lartë e tij, është urdhër qiellor, është ligj që prodhon barazinë, demokracinë dhe që i shemb të gjitha barrierat e pasionet, që tek ato që i kanë zënë frymën asaj, pushtetarët, despotët e tiranët, e gjer tek ata që veçse vegjetojnë në këtë botë. Prandaj liria duhet të lulëzojë, sepse është e natyrshme lulëzimi i saj te një popull, te një shtet demokratik, te një shoqëri e qytetëruar që punon me dashuri e përpjekje të vazhdueshme për të ardhmen, të mirën dhe të bukurën. Por duhet nënvizuar se edhe vendosja e lirisë civile dhe politike është e rëndësishme për perfeksionimin e racës njerëzore dhe të popujve e kombeve, si dhe të shoqërisë mbarë. Liria politike është themeli i çdo progresi tjetër, prandaj duhet që kjo liri të promovohet më tej te gjithë njerëzimi, edhe nëse shpesh hasen pengesa në rrugën e progresit dhe të lirisë politike. Për më tepër, liria e vërtetë dhe e arsyeshme mund të imagjinohet vetëm në bazë të edukimit të njeriut dhe shoqërisë.

Paraardhësit e lirisë duhet t’i zgjidhin të gjitha detyrat e popullit, si në lidhje me fenë, zakonet, mënyrën e të menduarit dhe të jetës. Sigurisht, vetëm atëherë shteti do të udhëhiqet drejt një qytetërim të qetë, të sigurt dhe të garantuar të progresit, demokracisë, drejtësisë dhe barazisë. Për kombin shqiptar s’ka shpëtim më të mirë sesa imitimi i të mirës së vet që ka trashëguar ndër shekuj, të ndjekë vizionin e Gjergj Kastriotit dhe të paraardhësve të tjerë të shumtë, në mënyrë që t’u shmanget tmerreve që ka përjetuar.

Paqja – ushqyen paqe dhe stabilitet. Mungesa e paqes shkatërron. Një fjalë e mirë e gjen një vend të mirë.

Njerëz të shquar dhe personalitete të ndryshme në botë, duke qenë paqësorë e kanë promovuar paqen kudo. Vlen të theksohet personaliteti i liderit vizionar të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, që e dha qartë një shembull të tillë dhe arriti të promovojë paqen në Kosovë, duke u nderuar nga shumë vende e organizma ndërkombëtare për kontributin e tij të jashtëzakonshëm. Por ka edhe shumë personalitete të tjera në botën e civilizuar që kanë dhënë kontributin e tyre në promovimin e paqes në botë. Është gjë e madhe dhe detyrë e lartë nëse ruhet dhe rivendoset paqja, dhe nëse kjo mund të bëhet pa degraduar vetveten apo lënduar të tjerët. Pa shpirtin e paqes një popull nuk mund të jetojë, veprojë dhe mendojë në mirëqenie dhe të ecë në mënyrë të begatë drejt të ardhmes. Ndërsa mungesa e paqes apo konfliktet, grindjet, mosmarrëveshjet etj., i djegin të gjitha të mirat e kështu aplikohet jeta e hidhur, shkatërrimi i pasurisë, i jetës normale etj.

Thjesht, një e keqe e tillë e madhe shpesh e ka fillesën nga një e keqe shumë e vogël, por që më vonë mund të ketë pasoja dhe shkatërrime të paparashikueshme. Prandaj paqja është e domosdoshme, sepse ndërton, gjallëron të mirën dhe ushqehet po nga e mira, nga liria dhe nga vlerat e njëri-tjetrit. Paqja është zhvillim, energji. Paqe do të thotë mundësi për orientim të drejtë, për të parë diellin, për të ecur nëpër dritë dhe për t’u gjallëruar. Ata që kërkojnë të prishin paqen nuk e njohin progresin; prishësit e tillë i ngjasojnë kokrrizës së pluhurit që të hyn në sy dhe që nuk të lë rehat, derisa syri të pastrohet mirë e ta nxjerrë jashtë. Megjithatë, kur dëgjojmë shprehjen e urimit “Paqja midis jush”, ajo gjithnjë ka kuptimin e frymës mbrojtëse për të gjithë dhe nga të gjithë, pasi dihet se aty ku mbretëron paqja aty mbretëron fuqia e lirisë, aty ndrit shkëlqimi i diellit mbi fytyrën e atij kombi, populli, njerëzve dhe mbarë shoqërisë. “Përmes ndryshimit duhet të vijë paqja e shpirtit”, nënvizon Krug. v. Nidda.

Gjithashtu, përvoja jetësore është diçka tepër e dobishme. Në lidhje me këtë, Plutarku shprehet se “nga një njeri i vjetër dhe i urtë që nuk ka dalë nga shtëpia, ende mund të përfitojmë shumë duke mësuar disa nga këshilla e tij”. Po kështu, edhe Shtëpia e Aristides së urtë ishte një shkollë publike e virtytit, e urtësisë dhe artit të shtetit. Ajo ishte e hapur për të gjithë të rinjtë e Athinës, të cilët kishin një mendje të ndritur. Porse duke qenë i vetëm nuk është e lehtë të pritet një ndryshim i madh në kushtetutën e sapo themeluar në Kosovë dhe të largohen zakonet e vjetra të kohës për shkak të gabimeve. Është e njohur se të vjetërit kanë më shuamë dëshirë të qëndrojnë tek e vjetra. Por gjithashtu përvoja është mësuese e mirë. Një njeri me shumë përvojë është më i vyer se dhjetë dijetarë. Ai qe sheh një herë është më i zoti se dhjetë të tjerë që dëgjojnë. Kështu që përvoja është një shkollë e shtrenjtë.

Prandaj me shumë bindje e dinjitet për veprën e tij, mund të them se prof. Anton Çetta ishte një njeri me përvojë të madhe, njeri i urtë dhe i dobishëm për kombin, sepse i shërbeu atij me tërë qenien e tij, pasi nuk ishte i lehtë realizimi i projektit të pajtimit të gjaqeve. Gjithashtu, ai ishte një mbledhës i folklorit dhe njohës i thellë i rrënjëve tona kombëtare, identitare dhe kulturore e historike.

[Fragment nga Libri :“Anton Çetta dhe filozofia e pajtimit të gjaqeve”,autor Gjon Keka ,Botues Botart,Tiranë 2014]

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat