Ku jeni o artistë të muraleve mos keni frikë nga koronavirusi

Kultura

Ku jeni o artistë të muraleve mos keni frikë nga koronavirusi

Nga: Ilir Muharremi Më: 15 prill 2020 Në ora: 18:32
Ilir Muharremi

Po largohem, i klithi në vesh nata mëngjesit dhe u avullua e gjitha. Dita filloi ta puth diellin, pemët të mbushura me behar çliruan oksigjenin e freskët dhe i gjithë qyteti është i heshtur duke thithur oksigjenin e vonuar të pastër pas shumë vitesh. Prishtina çdo mëngjes zgjohet nga cicërrima e zogjve dhe ulërima e qenve. Sa mirë që mileti tashmë është i strukur dhe qyteti po rigjenerohet. Muret e ndërtesave koten nga muralet e vjetra monotone të cilat tashmë nuk i ha pazari. Artistët janë në gjumë, gjumë të thellë.

Mbishkrimet e shumta, grafitet, muralet gjithmonë rujanë një porosi qoftë ajo protestë, bile në qytete e mëdha ato shfaqeshin natën, ndërsa autorët e tyre për shumë arsye mbeteshin anonimë. Ky art shprehë ndjenjat e momentit, respektin ndaj personalitetit, cinizmin , qëndrimin afirmativ apo humorin ndaj ndonjë dukurie, ose thjesht ta japin një mesazh. Arti mural sot është legal, edhe në Kosovë para se të shfaqej kjo pandemi shumë organizata joqeveritare i tubonin artistët e rinj të cilët zbukuronin hapësirat gri të objekteve gjysmë të rrënuara, nënkalimet, rrethojat e vrazhda prej betoni, muret e institucioneve ose kafeterive.

Por, tash në këtë kohë krize derisa sëmundja ka frikësuar secilin qytetar e si duket më së shumti artistët, artistët janë strukur nëpër atelietë ose shtëpitë e tyre. Zëri i tyre nuk dëgjohet, janë të heshtur ose u mungon guximi të dalin në rrugë të ndryshojnë pamjet gri të godinave dhe rrugëve, t’i jepnin humor dhe satirë me tema nga koronavirusi. Të tallen me këtë mortje, ose ta paraqesin serioz deri në eskalim të përqeshjes. Ta lërgojnë këtë depresion monotonie , t’i mbushin muret me maska dhe dorëza, ose Kosovën në hartë ta mbulojnë me maskë. Oksigjeni i pastër i luleve të freskoj mushkëritë përmes maskës ngjyrë të bardhë. Puthjet e çifteve dhe dashuritë e ndaluara të mos jenë të ndaluara nga kjo kolerë, lulet e së keqes të shndrrohen në lulet e së mirës. Dashuria është më e madhe se pandemia, Covid 19 nuk mund t’i ndal artistët.

Si duket artistët tonë kanë gjetur rahatinë më të lehtë përmes telefonit t’i shfaqin veprat e tyre individuale. Fundja nëse mungon ideja nuk mungon guximi, thjeshtë dil në rrugë dhe në mur “Futja” ngjyrë spontane si Xhekson Polloku mos harro ta vendosësh maskën. Muret palidhje prej betoni të vrazhdë që ja prishin hijeshin qytetit ktheni në vepër artistike si mospërfillje ndaj koronavirusit, aty kanë m’u ndal njerzit dhe kanë me shkrep “selfie”.

Mos harroni muralet paraqesin mundësinë më të mirë të shpërndarjes së mesazheve të rëndësishme.

Shoqëria jonë e varur nga frika e mortjes dhe teknologjia, humbja e emocionit, përsëritja e ditëve të njëjta. Tash vetëm murali merr vëmendje krahas gjithë arteve. Artist mos nguro dil në rrugë krijo art të së tashmes dhe të ardhmes, injoro sëmundjen çliro ndjenën artistike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat