Vargje romantike

Kultura

Vargje romantike

Nga: Jan Kosova Më: 27 prill 2020 Në ora: 09:44
Jan Kosova

E në emër të dashurisë sonë të bekuar
Do të shkruaja sonte vargje romantike
Edhe pse drita e hënës më ka munguar
E unë nuk dua vargje me fjalë retorike

Një poezi sonte dua, një poezi ndryshe
Që përshkruan bukurinë tënde të rrallë
Një poezi që fluturon sikur dallëndyshe
Që del nga shpirti i mbushur plot mallë

Sonte kur era degët e pemëve po i tund
Fjalët rrjedhin lumë e strofat bëhen varg
Se malli i shkretë prap shpirtin e shkund
Malli për bjeshkët e bekuara atje larg

Një poezi më ndryshe sonte unë e dua
Me strofa diverse si figura gjeometrike
Një poezi të veçantë për ty e për mua
Do të shkruaja sonte vargje romantike

Sonte kur në fyt po më mbetet fjala
E dua një poezi si asnjëherë më parë
Një poezi për stinët që unë ty t'i fala
Dy fjalë në gjurmën e lotëve të tharë

E sonte kur edhe hëna më ka braktisur
Dhe yjet në qiell nuk shihen fare me sy
Kur ëndrra përfundon ende pa u nisur
Unë dua të shkruaj për dashurinë për ty

E në emër të dashurisë sonë të bekuar
Do të shkruaja sonte vargje nostalgjike
Për dhimbjen, një këngë të pakënduar
E unë nuk dua vargje me fjalë retorike

E vargjet e fundit do t'i shkruaj vonë
Sonte kur Ëngjujt sikur ranë në gjumë
Dy vargje magjike për dashurinë tonë
Ty të dua pa mbarim, ty të dua shumë

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat