Piramida - Bota Sot
Piramida

Kultura

Piramida

Nga: Agim Desku Më: 6 maj 2020 Në ora: 11:13
Agim Desku

Jam bërë sonte Piramida e Keopsit

Pranë më rri në murin tim prej shpirti

Udhëtojmë me deve, herë marrim shpirtin të ecim bashkë

Puthjet na shuajnë etjen e furtunave të Saharës

Është dielli përvelues sa bukur shkëlqen

sikur dielli im që kam në krah.

Nganjëherë lajmë sytë me lotin e njeri_ tjetrit

që për sa vite është bërë burim ujë

ku pinin udhëtarët e dashurive e të krisurit e kësaj bote,

këtu pushonin e pinin,

E shuanin etjen për mall,

që kishin për princeshat e tyre.

Sa bukur sonte më flet Piramida,

më tregon përrallat e njëmijë e një nëtëve.

Të atyre nëtëve pa gjumë

kur ngritnin vetëm dolli me verë antike.

Sonte jam bërë kalorësi i mikes sime,

e mbartë në supe, në shpirt

shëtitim bashkë me zemrën time

Ia pastroj rrugën nga rëra

dhe nga vetmia e shumë viteve sa një shekull.

Sonte edhe natën bëjnë dritë

dashuritë tona plot puthje,

buzët ushqejnë

edhe shpirtin e marrin më vete

e shetisim pallateve ngjyrë blu

Sa bukur duken bashkë.

Dua të pi verë Çamërie

...Për ditë

grindem me perënditë,

kafshoja veten,

thithja gjak gjarpri.

Atdheun e mora me vete,

herë në tokë e herë në qiell.

Zbrita Purgatorit të Dantes

u ngrita legjendave të Mujës e Halilit

aty ku zanat i dhanë gji të pijë

bacë Ademit.

Në Rozafat u grinda edhe me Zeusin,

kur e gjeta shpatën e Skënderbeut,

të shkruar me shkronja shqipe,

dymijë vjet para Krishtit.

Kalova andej Dyrrahut

të takoja Homerin, ditën me fenerë.

Edhe pak verë të pi në Çamëri,

t’i puth mbesat e nipat e mi.

Dëgjoj zemrën time

të mpaket çdo ditë nga pak,

për vëllezërit e mi çamë

pikëpyetje ngre në çdo varg!

Pse në shekullin e njëzet e një

dashuria ime rri varur n’çengel t’kohës?

Pse s’i ndiej bukuritë e tua Çamëri,

dhe të fillojë epoka e ligjshmërisë

tek varret e vëllezërve të mi,

që janë tretur nëpër shi e stuhi...?!

Hija e tyre çohet nga varret,

me lot më përshëndesin:

-Hajde bujrum në kullën e të parëve,

në qilar kam ruajtur verë të mirë,

ta pimë për Çamërinë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat