Pak fjalë për romanin “Rrugës së përjetësisë” të shkrimtarit Qazim Berisha

Kultura

Pak fjalë për romanin “Rrugës së përjetësisë” të shkrimtarit Qazim Berisha

Nga: Zymer Mehani Më: 9 maj 2020 Në ora: 19:08
Kopertina e librit

Njëra ndër temat e trajtuara shpesh në romanin historik shqiptar është edhe raporti i shqiptarëve me regjimin serb dhe jugosllav. Mund të themi se nuk ka roman historik në Kosovë që në një mënyrë ose tjetër nuk ka prekur elemente të jetës të popullit tonë nën pushtetin jugosllav. Dhe, meqë secili krijues këto raporte i ka kundruar sipas lupës së vet, ai përherë ka shprehur e theksuar diçka të veçantë, diçka tjetër nga ato që janë thënë nga të tjerët, dhe kësofare është pasuruar letërsia jonë përgjithësisht, e në veçanti romani ynë duke sjellë prurje të reja, që kanë për temë raportet e shqiptarëve të Kosovës me regjimin serbo-jugosllav.

I tipit historik është edhe romani “Rrugës së përjetësisë” i shkrimtarit të talentuar Qazim Berisha. Ky krijues temë bosht të romanit e ka situatën politike të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ’80 dhe ‘90 të shek. XX, apo që të jemi më të saktë, shpërthimin e demonstratave të rinisë studentore dhe të klasës punëtore të Kosovës në mars e prill të vitit 1981, sikurse edhe shpërthimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër sundimit serb.

Ky roman na imponohet si vepër me rëndësi letrare dhe historike për periudhën e përmendur më lart, ngase në faqet e tij, autori Berisha ka përcjellur zhvillimet e ngjarjeve në Kosovë sipas kronologjisë. Pra, në thelb të sistemit kuptimor, ky roman i kushtohet dëshmorit të kombit, Prof. Selim Berisha, si dhe dëshmorëve tjerë që ranë nga radhët e UÇK-së në luftën çlirimtare. Gjithashtu romani “Rrugës së përjetësisë” i shkrimtarit Qazim Berisha është edhe një monument letrar për rininë studentore të Kosovës dhe fatit të saj, shpesh edhe tragjik, që për kauzën e drejtë i lau rrugët e fshatrave e të qyteteve me gjak.

Tashmë është e kuptueshme se liria përmbyll vuajtjen e çdo populli në botë, për të cilën ai bëhet i vetëdijshëm se duhet sakrifikuar, ashtu siç ndodhi edhe me popullin tonë, që për liri i fali bijtë dhe bijat më të mira. Të tillë janë edhe kryepersonazhet e romanit të shkrimtarit Berisha, Iliri e Besa, personifikim i të rinjve studentë të Universitetit të Kosovës të viteve ’80 e ’90 të shekullit të kaluar, të cilët e nisën Pranverën e Zgjimit dhe e përmbyllën me Epokën e Lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarë të së cilës ishin.

Shkrimtari Qazim Berisha ngjarjet i shtjellon në tri linja: 1. rezistenca e studentëve, e punëtorëve dhe e bujqve ndaj padrejtësive të regjimit serb 2. dënimet e shqiptarëve, sidomos të rinisë studentore dhe të intelektualëve shqiptarë dhe 3. mobilizimi i të rinjve shqiptarë përë luftë të armatosur, duke u rreshtuar në radhët e UÇK-së. Këto pastaj integrohen duke e ndërtuar edhe kompozicionin e romanit në fjalë.

Si i tillë, romani na imponohet edhe me idetë dhe si një sistem i ngritur kuptimor e shprehës, që komunikon me botën tonë ndjenjore.

Vetë martesa, vuajtjet në burgje, pastaj edhe rënia në fushë të nderit dhe varrimi në një varr të përbashkët i Ilirit dhe i Besës është më shumë se simbolik. Te bashkimi i tyre ne e shohim idenë për unitet të tërë atdheut tonë.

Shpirti liridash i popullit tonë, sidomos i të rinjve atdhetarë personifikohet në figurën e Ilirit dhe të Besës. Këta ishin vizionarë, prandaj e përcaktuan edhe fatin e popullit që i përkisnin dhe të Kosovës. Këtë fat të mirë popullit tonë ata ia përcaktuan me qëndresën, guximin dhe me sakrificën e tyre. Prandaj këta lirisht mund të quhen zëri kryengritës i popullit të Kosovës.

Ide e fuqishme që përshkon romanin e Berishës është edhe mendimi se pengesat mund të kalohen vetëm me besim në vetvete dhe tek kauza e drejtë, prandaj në saje të tyre mund të fitohet çdo luftë kundër së keqes. Të këqijat mund të jenë të shumta, por e keqja më e madhe do të ishte po të ishim të kënaqur nën regjimin antikombëtar të Serbisë.

Le t’ua lëmë lexuesve që të futen labirintheve të romanit “Rrugës së përjetësisë”, ndërsa shkrimtarit, Qazim Berisha i urojmë nga zemra për këtë xhevahir të kulturës sonë kombëtare!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat