Të kërkosh kuptimin e jetës, përmes të shkruarit

Kultura

Të kërkosh kuptimin e jetës, përmes të shkruarit

Më: 14 maj 2020 Në ora: 15:24
Karl Ove Knausgardit

Një shkrimtar i kultit apo një narcis i mërzitshëm?

Vepra monumentale e Karl Ove Knausgardit, me gjashtë vëllime dhe mijëra faqet që përshkruajnë jetën e tij të përditshme deri në detajin më të imët (vepra “Min Kamp”/”Beteja ime”), ka ndarë kritikët dhe publikun, por e ka shndërruar atë në një lloj rokstari të letërsisë botërore. E gjithë vepra, me përpjekjen e tij për të përshkruar jetën në të gjitha detajet e saj, të kujton e Hartën e Perandorisë në tregimin e famshëm të Borgesit që e riprodhon realitetin me të gjitha veçantitë e tij, aq sa në fund rezulton i padobishëm.

Edhe ju vetë e pranoni se në fund dështuat. Po çfarë ndodh më pas? Pas dështimit, në cilin drejtim do të vazhdoni të ecni?

I gjithë arti është një dështim. Ai është një përpjekje për të shkuar diku, por në fund nuk ia del dot. Dhe, pastaj provon qasje dhe mënyra të reja. Ajo që mbetet është arti, dhe jo jeta. Kur mbarova librin “Beteja ime”, doja të mos shkruaja më, por pastaj vazhdova sërish.

Pra, gjetët një mënyrë për ta kapërcyer atë dështim ?

Tani shkruaj “fiction” dhe jam duke punuar mbi një roman. Jam ende duke e shkruar, por në një mënyrë tjetër: edhe pse po kërkoj të njëjtën gjë. Kur shkrova “Betejën time”, isha në kërkim të jetës time. Dhe, tani po përpiqem ende të gjej një kuptim të saj.

Ideja e gjetjes së një mënyre për të përshkruar tërësisht jetën reale, bazohet në idenë e artit si një imitim, sikurse përkufizohej dikur nga Platoni. “Beteja ime” ishte pika më e lartë e artit mimetik. Por, deri në çfarë pikë arti është imitim?

Në librin e fundit ka një pjesë shumë e rëndësishme, gati 60 faqe, mbi një poemë të Paul Celanit, që fokusohet mbi atë që mund të thuhet dhe atë që s’mund të thuhet, çfarë mund të thuhet me vërtetësi mbi Holokaustin, tanimë që duket sikur gjuha ishte shembur.

Gjuha është komunikimi i bazuar në një marrëveshje, por kjo marrëveshje nuk ekziston më pas asaj që ka ndodhur në Aushvic. Është pika ku ndahen gjuha dhe bota. Gjuha është lidhje – lidhje me veten tone – dhe të kuptosh botën do të thotë të kuptosh këtë lidhje. Por, bota është gjithnjë atje jashtë, e pagjuhë.

Aty mund të shkojnë vetëm poetët, por jo romancierët. Dhe, unë nuk mundem. Jam shumë i interesuar mbi këtë ndarje midis gjuhës dhe të botës, mbi përbashkësinë që përfaqëson gjuha dhe mbi mënyrën se si ajo i ndryshon gjërat. Le të shohim çfarë ka ndodhur në Evropë gjatë 10 viteve të fundit dhe në Britaninë e Madhe në pesë vitet e fundit.

Rritja e populizmit, është një problem i gjuhës?

Po, në kuptimin që ka ndryshuar ajo që është e mundur të thuhet.

Ju keni folur për një “ndotje” të gjuhës…

Po, është një helmim. Kur ndryshon gjuha, ndryshojnë edhe veprimet.

A është e mundur kjo përballë asaj, që është një “ekologji” e gjuhës ?

Këtu hyn në lojë letërsia. Ajo çfarë kërkon në letërsi, është kompleksiteti dhe diversiteti. Dhe, kompleksiteti është e kundërta e atyre parullave të thjeshtëzuara. Problemi është se jo shumë njerëz lexojnë romane. Letërsia nuk zë më atë vend, që kishte disa breza më parë në shoqëri.

“Beteja ime”, ka qenë sfida kryesore për ju. E keni quajtur një çështje për jetë a vdekje. Në çfarë kuptimi?

Është një vepër që ka nisur me ndjesinë time se gjithçka ishte pa kuptim, se jeta ime nuk kishte asnjë kuptim. Përmes shkrimit, doja që të ringjallja vetë jetën time.

Ishte ndërkohë edhe një përpjekje për të njohur veten, nëpërmjet metodës sokratike?

Ekziston edhe ky element. Ajo çfarë ti mendon se di për veten, të mësuarit e asaj që të ka ndodhur, ne kemi pra një version. Dhe, s’ka asnjë tjetër mënyrë për të dhënë një tjetër version, përveçse duke shkruar. Sepse gjuha letrare nuk është ti, por një tjetër, dhe nëse zhytesh në të sheh diçka tjetër.

Në veprën tuaj ka një rol qendror kujtesa, ajo e ndërgjegjshme dhe e pandërgjegjshme. Përveç jehonës frojdiane, në të ka një referencë të dukshme ndaj Marcel Proustit…

Ka shumë ngjashmëri me Pruostin dhe mënyrës së tij të të menduarit mbi kujtesën. Kam qenë shumë i ndikuar prej tij qëkur isha 20-vjeç. Ka shumë gjëra që kanë dalë në procesin e shkrimit, dhe që nuk ishin kujtime të kohëve të fundit. Shkrimi është gjithashtu një proces i përkujtimit të ngjarjeve të vjetra.

Përfshirja e njerëzve realë në një vepër letrare ka ngjallur polemika të cilat ju detyruan të hiqnit dorë nga mbiemri i babait tuaj. Në fakt, çfarë është një emër, po të shprehemi sipas Shakespearet?

Emrat kanë qenë gjithnjë një temë delikate në familjen time. Babai im e kishte në realitet mbiemrin Pedersen, që është mbiemri norvegjez më i zakonshëm. Kur shkoi në universitet e ndryshoi në Knausgard. Është një mbiemër i shpikur vetëm për t’u dukur më elegant; është një mbiemër ambicioz. Një mbiemër bart shumë fuqi.

Pra, mbiemri juaj nuk duhej të ishte Knausgard?

Jo, duhet të jetë Pedersen!

Në qendër të këtij libri voluminoz ka një ese 400 faqe mbi Hitlerin. Hija e themeluesit të nazizmit ndihet që në fillim, që nga titulli i veprës që në gjuhën norvegjeze ka të njëjtin kuptim me ”Mein Kampf” . Ju tregoni se si hulumtimi i autenticitetit solli Holokaustin, por është i njëjti hulumtim që ju nxiti edhe ju…

Po, kështu e mendoj. Sepse kam të njëjtën dëshirë që e kishte edhe Hitleri; çdo gjë në botën tonë është sipërfaqësore dhe komerciale, dhe kjo çon në ëndrrën e një shoqërie bazike. Për shkak se i ndjej këto gjëra vetë, kjo më bën të aftë që të shkruaj mbi nazizmin pasi i njoh ato ndjenja, për shkak se i kam dëgjuar vetë. Dhe kjo është mënyra e duhur për t’i përshkruar, përndryshe do thuash vetëm që ata ishin njerëz të ligj. Në fakt duhet shkuar shumë më pranë, dhe kjo është shumë e frikshme.

Pjesa e fundit e veprës merret me ndikimin që ka sjellë libri tek njerëzit që ju rrethojnë përreth, duke nisur nga bashkëshortja juaj. A ka letërsia pasoja në jetën reale?

Po shkruaja vëllimin e tretë kur u publikua i pari, dhe vëmendja e mediave ishte shumë e madhe. Isha shumë i frikësuar, pasi po shkruaja mbi njerëz realë, dhe nuk e dija se çfarë mund të ndodhte. Ishte një eksperiment mbi ndryshimin midis jetës dhe letërsisë. Ishte një lojë e rrezikshme. Por në fakt nuk ishte një lojë, ishte jeta ime.

Leksioni fundor, është se e vërteta e ka një kosto. Cili është çmimi që duhet paguar?

Pyetje e mirë. Nuk e di, është një zonë gri. Njerëz të tjerë, kanë paguar një çmim shumë më të lartë se unë. Unë kam zbuluar gjëra të jetës sime, por ky ishte një vendim i mi, ndërsa për të tjerët nuk ka qenë kështu. Letërsia është e rrezikshme. Ajo na nxit të sfidojmë konceptet tona, mbi atë është e mirë apo e keqe. Ky është edhe roli i letërsisë dhe artit në përgjithësi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat