Ku është Shtëpia? Kush është Shtëpia? - Bota Sot
Ku është Shtëpia? Kush është Shtëpia?

Kultura

Ku është Shtëpia? Kush është Shtëpia?

Nga: Milena Selimi Më: 15 maj 2020 Në ora: 10:14
Milena Selimi

Kemi ngecur. Në kohë dhe në hapësirë. E shkuara ka përfunduar. E ardhmja është ngushtuar. Koha ka ndryshuar, ne e kuptojmë se nuk është një dimension fizik sepse është shpirti që e mat atë.

Sot

Zgjimi i çdo mëngjesi nis me mirënjohje për gjërat e thjeshta që janë me të vërtetë gjëra jashtëzakonisht të mëdha çdo ditë tani: u zgjova, marr frymë, kam jetë përreth, jam gjallë, dua dhe më duan !!!

Karantina e shëmtuar, e tmerrshme, e cila na privon nga shumë liri, na jep mundësinë të heshtim dhe të shikojmë brenda vetes (sa kohë kemi që nuk e kemi bërë?). Të lidhur në një zinxhir komunikimi virtual, në kohë dhe hapësira të ndryshme fituam një bashkësi të re  globale, universale, që autori im i dashur Georgi Gospodinov e pat krijuar tek “Fizika e Trishtimit” : Unë-Jemi/I Are.

Përse e patëm të vështirë të heshtim?  Sepse ishim të vonuar edhe në heshtje. Sepse heshtja mësohet në bark të nënës na kujton poeti maqedonas Nikola Madzirov.  

Shën Pjetri në boshësinë e lutjes fitoi një dimensionin të ri, atë të pranisë në mungesë. Prania e një fryme që është ajo e komunitetit, -NE- që këndojmë nga ballkonet dhe duartrokasim për heronjtë e vijës së parë. Që ndihmojmë të pamundurit, të dobëtit. Që jemi pranë secilit me zemrat e pikëlluara në këtë dhimbje kolektive për humbjen e Jetës në mbarë globin. Jemi bërë solidarë, apo sillemi në mungesë të lirisë?  Papa kumtoi se "Ka ardhur koha për të zgjedhur atë që ka rëndësi, për të ndarë atë që është e nevojshme nga ajo që nuk është". Duket si një ftesë që tingëllon si thirrje për t'u rikthyer në atë që është e domosdoshme, duke u kthyer për të parë Brenda vetes . Por është gjithashtu një ftesë  për t'u rikthyer tek esencializmi. Nuk është koha, siç argumentoi filozofi Slavoj Žižek disa ditë më parë, për t'u rikthyer në një "komunizëm të ri", por tek prekja e vlerave të humbura.

Andrea Bocelli na tronditi me koncertin solo në Duomo, Music for Hope, ku magjia e zërit përplasej në boshësinë e katedrales dhe zbrazëtinë e sheshit.

Në ditën e Ringjalljes së Jezusit, kur jeta triumfon mbi vdekjen dhe dashuria tejkalon urrejtjen. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë që fjala SHPRESË të trondiste qytetin e zbrazur. Historia do ta shënojë këtë çast.

Nesër

Kur të mbarojë epidemia, nuk mund të përjashtohet që do të ketë nga ata që nuk do të duan të kthehen në jetën e tyre të mëparshme.

Burrat dhe gratë do të nxiten për të vendosur përparësi të reja. Për të bërë më mirë dallimin midis të vlefshmes dhe të kotës. Epidemia na ndërgjegjësoi për brishtësinë dhe fundin e jetës.  Kush, nëse është e mundur, do të lërë një punë që me vite e ka mbytur dhe ia ka marrë frymën. Kush do të vendosë të braktisë familjen, t’i thotë lamtumirë bashkëshortit, ose partnerit. Kush do të jetë në dilemën të lindësh një fëmijë, apo të mos duash të lindësh.  Do të ketë nga ata që do të fillojnë të besojnë në Zot dhe ata që do të ndalojnë së besuari në Zot. Do të ketë nga ata që, për herë të parë, do të pyesin veten për zgjedhjet e bëra, për heqjen dorë nga objektivat, për kompromiset, për dashuritë që nuk guxoi të dashuronte. Do të ketë gjithashtu nga ata që do të ridimensionojnë mendimet e tyre politike, bazuar në ankthet ose vlerat që do të shpërbëhen gjatë epidemisë.

Nuk do të mungojnë ata që do të venë në dyshim arsyet që e shtyjnë një popull të luftojë kundër një armiku për breza, apo të besojnë se lufta është e pashmangshme. Uroj të zgjohen edhe nacionalistët, të rishohin pozicionet nacionaliste apo gjithçka që na ndan, na tjetërson e na çon në urrejtje ndaj Tjetrit, ndaj të Ndryshmit.

Dje

Në këtë kohë të pakohë kudo në çdo ekran, të vogël, apo të madh, shfaqen hashtaget#qendronështepi #stayhome #restiacasa # quédateencasa #呆在家里

Po shtëpia ku është?  Ne i humbëm shtëpitë, i lamë pas për të kapërcyer kufijtë. Lamë zemrën , tokën, atin dhe mëmën dhe rigjetëm, rikrijuam  toka të reja,  në Europën e Bashkuar apo përtej oqeanit, në emër të lirisë dhe shpresës. Ngritëm shtëpi me mure të lartë, ku harruam të shohim qiellin dhe të kujdesemi për lulet. Në emër të fëmijëve që do të lindnim.

Një foto interneti sot më trishton sërisht: fëmijët e Evropës së shekullit XXI po luajnë ‘shtëpirash’ përmes kuadrateve të vizatuara nga mësueset e shkollës, në hapësira të distancuara, pa u prekur dhe pa u takuar, pa e kaluar kufirin. Po rihumbim edhe shtëpitë që rikrijuam? Ato që i ngritëm me sakrificën e humbjes së shtëpisë së parë  për të prekur kufijtë e asaj bote që bashkon njerëz dhe jo të kësaj që distancon.

Kohë e pakohë

Ku është shtëpia?

Kujtesa më trand me tregimin magjepsës të nënës sime të shtrenjtë, Jankës,  për shtëpinë në kodër, mbi fushat e arta të Dobruxhës, ku vetëm 5- vjeç kërkonte të kapte diellin që zhdukej pas kodrës. Ngjiste shkallët një e nga një, në pritje të habisë, kërshërisë, zbulimit të madh se ku shkonte dielli.  Çfarë kishte pas kodrës ku zbriste dielli? Shtëpi, njerëz, toka të tjera? Dhe dielli nuk humbtte. Dhe shkallët nuk mbaronin çdo pragmuzgu…

Kush është shtëpia?

Më ngroh një shprehje që më pëlqen shumë ta shkruaj…shtëpia mbron ëndërrimtarin.. atë që sheh dhe kërkon  diellin...

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat