Instituti Arkeologjik i Kosovës përballet me telashe të mëdha, paralizohet puna në terren

Kultura

Instituti Arkeologjik i Kosovës përballet me telashe të mëdha, paralizohet puna në terren

Më: 17 maj 2020 Në ora: 12:41
Kalaja e Harilaqit

Pandemia dhe problemet me shfrytëzimin e buxhetit e kanë paralizuar krejtësisht punën në terren të Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Janë mbi 10 projekte të mëdha për të cilat, sipas planeve, duhej të niste puna qysh në mars. Lokaliteti arkeologjik i Ulpianës dhe ai i Harilaqit janë veç dy prej projekteve ku është dashur të nisë puna.

Në të parin do të bëheshin gërmime brenda e jashtë mureve rrethuese. Incizimet gjeomagnetike dhe konsolidimi i strukturave do të rrumbullakonin planet e sivjetshme në hapësirën që është edhe park arkeologjik.

E në Kalanë e Harilaqit nevoja për restaurime e konservime është shumë e madhe.

Drejtori i Institutit Arkeologjik, Enver Rexha, thotë se sikur sivjet të realizonin vetëm 30 për qind të planeve do të ishin të kënaqur.

Sipas tij, edhe sikur të mos ekzistonte pandemia, problem në vete do të ishte dalja në terren.

Qysh prej qershorit të vitit 2018, kur edhe janë mbyllur llogaritë e institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës, vështirësitë janë shtuar.

Në vitet e kaluara, veprimtaria e Institutit është cunguar shkaku i pamundësisë së shfrytëzimit të buxhetit.

Gërmimet arkeologjike në Kalanë e Harilaqit kanë nisur qysh në vitin 2005. Viteve të fundit, fokusi ka qenë në konservimin, restaurimin dhe krijimin e një plani të menaxhimit që kalaja të shndërrohet në një pikë arkeologjike për vizitorë.

Vitin e kaluar, për shkak të buxhetit, është punuar shumë pak.

Kalaja llogaritet të jetë unike në Ballkan e më gjerë. Muri rrethon një sipërfaqe prej 1.3 hektarëve. Janë zbuluar kulla të jashtme dhe të brendshme, objekte profane dhe sakrale.

Arkeologu Arben Hajdari, i cili ka bashkudhëhequr me punën në këtë lokalitet që gjendet afër Fushë-Kosovës, thotë se martiriumet janë në gjendje aspak të mirë. Ishin restauruar më 2009, por Hajdari thotë të janë shkatërruar e jo konsoliduar.

Sipas tij, nëse nuk punohet as këtë vit, strukturat e kalasë do të dëmtohen edhe më.

Në vitin 2016 ishte planifikuar që për tre vjet lokaliteti që daton qysh nga periudha e Neolitit, të hapej për vizitorë. Por, një gjë e tillë të paktën tani del të jetë veç plan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat