Nuse e gjelbërt mbi ujërat e pranverës

Kultura

Nuse e gjelbërt mbi ujërat e pranverës

Nga: Mustafa Spahiu Më: 17 maj 2020 Në ora: 15:53
Mustafa Spahiu

Duke u mbajtur duarësh,

(së kaluarës dhe së ardhmës)

si të mos rrëshqasim

nga lumenjtë qiellor në argjil shkumak,

në raki rrushi të pjekur dy herë

ne (s)jemi qenie me (pa) themel.

Vithisur është bota e furrave

përplot majanë në klepsidrën e kohës,

me tre grushta dhè mbrumet dashuria, e

vetëm bluarja e amshimit –

pas kupës me verë – Aja Sofia medalon.

Hëna i shquan kandrat dhe frymët e vdekura

mëkatarët shëndrisin si malet në mot të lig,

me tentakulat e veta i kuptimësojnë bimët

dhe bagëtinë mbikëqyr, në shkorret –

kënaqen me ditën të varur në gushë.

E, ëndërrova; vështirë do të njihja

derisa sytë e qiellit ndriçojnë, dhe gumëzhijnë.

Fytyrën e kam ngulitur në vatrën e adhuruar,

por aty përherë shpurris koralet – prushin e

ëndrrës, hala i papenguar në lëvizje

i pahetuar në paqë, retë përthithin

lotin e parë të Evës.

Largësinë e kam ngulitur në vatrën e adhuruar,

prej të cilave pijmë dritën, me ag duke u

zgjuar nga gëdhirjet në tre dete.

- Thonë secili e ka yllin e vet,

zbret ai në krahët e shqetësuar, a ka mort?!

Për lumenjtë qiellor të vrullshëm

(kundërmimet e ngrohta dhe magjepse të detit)

mbuluar nga strehët e padukshme,

si ngriten digat e dashurisë së amshuar

lypset gjetur majanë.

Bari fshehurazi,

(me shpirtin e luleve)

është rritur zjarrshëndritës,

ne gjurmojmë puthjet e pakmëparme.

Pa kulm mal’i Bërshenit me themele muzgu.

Derdhet një tufëzë zambakësh,

fustanella e shiut e mbështjellë stomakun

dhe e shtrëngon fort me harqe guri

duke iu drejtuar dashurisë –

shpirtkeqit të verbërt zemërftohtë

mbi brigje të padukshme.

Sytë tu kërkojnë vendshtrojerë

ku do të qëndrojë gjatë fierit të egër.

Shkëlqim i rërës e zbut rrugën tonë,

unaza mollake, çerdhe e thellë zogu.

Gjëllijmë në shtratin qiellor,

rreth nesh frutet, lëngjëve jetëdhënëse

gëzueshëm rrjedhin palcës, curril vaji pranverak.

Hija heshtake kapton sipërtrupore,

derisa nga mëndafshi i kallamboqit

e thur mjekrrën e Anamoravës.

Qumështi këndshëm grafullon

në zemrën tënde, dielli ulet mbi fyell

i jap ujë bagëtisë – kopeja e bardhë.

Vjen zonja nunciatë erëmirë.

Të puthsha afshëm – zhaurimë e luzmës,

sikurse guacat që mblidhen kalavesh

në kohën e volitshme, bariu përdëllestar.

Gjinjtë tua janë kupolë e verdhë, e

(Rozafa mëkon shekujt)

luleve të marsit, afrim i paprekur

mbi to fluturat – mund të bjerë shi

i kaltërt i ardhjeve – gëzimpakta.

Grua e tejdukshme, flakruese, e

rritur tinëz nga drishti e bukuria,

dritareve të parajmërimit,

në livadhet e amësimit shtrihemi.

Shkritore e gjetheve të mesditës,

flatra zogu shtangur në shtyllë kripe.

Nëndetëse e shiut të prillit.

Mbi vrima blu të qiellit.

Në mes të bajraqeve me rozmarinë,

në mes të kavakëve me amalgam,

fërshëllen kalliri i grurit i teptisur.

Kush shikon, i shëndrisin sytë!

S’mund t’i përsias kësaj fatbardhësie,

s’ia gjejë dot kuptimin në rrënjë kaktusi.

I jap uratën e Kudretmadhit.

Fjala, dhembje në kind të dritës.

(duhet pjekur si pema)

Kallëzë i shkarkuar në shtëpi diellore,

në te vallëzojmë “Shotën”.

Rrënja me borë mbuluar në kodrën e hënës,

shtati yt – dimiski, përsëri pritje.

Degëzën e ullirit me ankth ta dhuroi,

yllin e plasaritur, dashuria ime, dritë zjarri

me unazë djerrine n’udhëtim fatcub.

Ne të dy jemi tufku i bimëve, nënkresë

që lëshohet, poshtë, në truall

pa njolla të puthjeve për kijamet.

Bulkthi hap dritaret kur ndërmendej

përgjatë zgripit të fushave.

Bukureza e stërholluar

në korrëset grash beronja,

qëndisin diellin për skeptrin.

Nga mjegulla e hollë, kah uji kërshëri

në të gjitha drejtimet lëvizim –

nëpër Anamoravën dashurindjellëse.

Zdirgjen përposhtë kodrecit, në gurgullinë,

(koha dhe udha)

Ti me lëvizje të dredhur me duar tregon perëndimin.

Pamjaftueshëm, frika ne na tërheq tutje,

nuk di kah t’ia mbajmë, matanë detit –

deti në sytë tonë dallgëzohet.

E njejta dashuri kur kapet dhe kur ndërrohet,

frika ka lindur para trimërisë.

Nëna e ëndrrës sime në saraje prej fildishi,

në shkumak, në themelet e përgjumura

kur të ripërtërij si historinë.

(Aty është gjarpëri më i moçëm paq ka lundruar,

gjarpëri pellazg).

Je në penjuarin qumështor, nëpër qiparisa,

kurajoze, rioshe si mëngjeset.

Prej teje më ndante lumi i bigëzimit

ylli sipër malit të largët të përgjumur.

Asnjëherë s’kam pasë plagë vdekjepruese.

Kush merr guxim ta kalojë lumin

s’do ta sheh, e kush vendos e përfshinë gjumi

si gjilpërën pa vrimë.

Më mbeti vetëm të të përcjellë, sall të të shoh!

Po aktron si gjelbërimi i prillit mbi vetulla

(dikush banon në ballin tim...)

derisa të puthi si zymbylin.

Qielli, sot është këmbanë, në te kripa vëlon.

(Unë ia ruaj dritën).

Të pëlciturit e hënës së plotë,

i ka kthyer buzët e krojeve,

nuse, në gjirin tënd i gjejë yjt, agimet.

Pranvera po shndërrohet në pulëbardhë

(buzët e tua e shërojnë blerimin).

Sa e ngrohtë dashuria në shpirtin e sorkadheve,

gostia e agimit iu dha gji të kapiturëve.

Askush se ka kuptuar kur trazohen kujtimet,

lëngu vrujon në djepin e syrit të gëzimit.

Trupi është para kupës së shpatës së flakës,

shporta e shpresës lëvaret në ujëvarë.

Në mëngjes, u tregua udhëzimi

i rrugës qarkore, prizma e barit pranverak.

Derisa deltina veson lule virgjërie

në lojën e kafshëve syshkëndia algjeve.

Gjithësia, shkapërderdh kristale nostalgjie,

kur 5 prilli e pikturonte portretin tim,

derisa lundrat e kohës rremojnë damarëve.

Në atë mbrojtje të vemëzës kumbon qetësia

udhëton mbi mëndafshin e grisur të rrufesë!

Fyelli shqirrë me një kurorë bleruar,

derisa të mbrojë si birin e artë të agimit,

(kurrë pendestar, ta thithi nektarin).

Nuse e gjelbërt mbi ujërat e pranverës,

mos u fsheh në zemrën e guacës!

Shportat bëhen lakore argjendi.

(në krahun e bilbilit)

Shkrepat e kanë magjinë, gra të lagura.

Dy zogj në kashtën tymjake nuk njihen

zjarrmisë i afrohen rretherrotull

premtojnë diell, ylbere dhe korale.

Kjo neve na shpie në pjerrësinë.

Liqeni, pasqyrë sa një thundër kali,

ia rrafshonim rrugën kopshtit – sinorët.

Të ndjek pas nëpër krahët e erës së detit,

fshehurazi mijëra ngjyrave të reja.

Me asgjë zgjëndrra s’është e ngjashme.

Rrugëton kumbimi i dritës, trëndafili i këputur

sikur ia ka ëndja shtati i nuses stoli.

Udhëtimi, vis deri tek e cila shtrihet

shkretëtira dëshirëmbjellëse...

Fëmijëria nëpër pjepëra e prerë amëson

Dhe s’do të përfundojë asnjëherë.

Shportat bëhen lakore argjendi,

unaz-o, i kapitur etje.

Zemër e lirë, degët e kallajta.

(këndon zogu i dashurisë),

Në mes të çapokëve së fundit frikanjoz

e rizbuloi vendlindjen.

Buzët delikate të shterura, përtej

kupës qiellore stolisur me fletë smeraldi.

Vaj parfumi prapa vazos

dy vetmitar gjerbin gjakun e lulëkuqes.

Nëpër ujëra kam kërkuar dritën

Ngjyrë mëllage,

Lëkurën tënde – këmishën e zemrës.

Mbrojtëse, nuse, hëpërhë tregohesh, e

çdo gjë të takon kënga dhe trishtili,

Sapo tani pash nga gryka jote agon.

Fjalët, gërsheta në perin e gjerdanit.

Duvaku fluturon nën qiell nëpër grunaja.

Para ujit të bekuar vallëzojmë,

derisa qenia ime e panjohur n’inxhi

në trupin gjethembajtës shplodhet.

Përgjërimi vrapues përtej rrafshinës

dredhëzat e buzëve tua i çik.

Bari thot meshë

për nusen e ikur në mesditë...

Nëpër blu hedh hapat, gjurmët i largoi,

(syri vëlla i vogël deti)

me shiun e imët frymëzohem,

nën cedrin e fortë vij, në zemrën tënde.

Përplot vite dhe vërgëllim.

sikurse dora e përflakur e nuses

(gishtat me bajraqe).

E dashura, emiton rreze, e pashprehshme

bëhet bregore e vendlindjes – Itaka ime –

s’rrëfehet as me vargje...

Je e stërbukur nga ditët e tejdukshme,

valë kurrë e papërfunduar

(padjegshmëri)!

Ngarendim, me hap të lehtë stine

drejtë lindjes – kandilit që ndritë.

Në ne, katërgjyshi tjetër fat kërkon,

lindjesimin e pagjurmueshëm.

Nusja me buzagazin e agimit,

në buzë të burimit.

Dritë, moj më e dashura ime!

(në ishull zemër).

Po vjen peshku i rërës.

Patjetër do të nisemi.

Flokët tona rriten, nënkresa të buta.

Pranvera lind hënën, ai vjen.

Me barkosh të verdhë të verës,

ngrihet fajkoi dhe shkon.

Mburoja e dimrit gjallesat e dimrit i mbron,

ajo vjen si metaforë e bukur –

Ngrihet kojrrilla nga shtëpia e vjeshtës,

shtrin flatrat dhe shkon.

Tingujt e vastakëve trondisin

shtëpinë tonë me dritare gjelbërimi

me dyer blu mëngjërashe.

Prehnajë, pasqyra në fier

bëhet shportë mëngjesi – baticë gjelbërimi,

Nga lëkura jonë kullohen pikat e djersës.

I fanitur, dashuria ime qëndisur

në mëngë shpërndan dritën,

frutet i bartim në kasollë.

O, çfarë gëzimi po ngallitet gjallëria

derisa pinë ujë kopeja –

retë po e mprehin shikimin pas sirenave.

Nuse e gjelbërt mbi ujërat e pranverës.

Në vendlindje,

E enjte, 28 mars,

E martë, 9 prill 2013.

(Rruga – me fytyrë kah zoti)

Në rrugën asnjënëse si gurët e etshëm

nisur burimeve me gjakim pas metaforave

nxjerr mësim ilirisht përsëri kredhem thekshëm:

nga hiri himnet e lashta shprushi amforave

Vë unazë vashëzës ullinjore blerohet pranvera

me pamje madhështore – ashti ynë – tingëllon

rruga do rrugëzgjidhje shteg mbi hithëra e kaçaferra

ikin sytë e azurtë engjëllorë qielli me zogj këndon

Rruga s’do mëdyshje me fytyrë rri kah zoti, tej

merr mugullim ura me shtatë harqe pa krajatë

fytyrën e lanë me amësim sa i mbarë vjen moti

ata që zbulojnë dhiatë larg nga ne lëngatë

as çerdhet e përmalluara fshehur lart në bredh

rruga zbret nga mali me potkoj rrufe të shpejt, dhe

dritën nëpër kupa, o perëndi dikush i mbledh

ëndërrat e mia nëpër vazna me ditët e verës krejt

Brenda natës rrugës rrudhat ju kishin shtuar

rronte me kujtime kur kishte vajtë në garramete

reshin yjësi në rrugën e gjatë pragun lypset kaluar

dhe monopatet i zbardhin shtregët e një komete.

E diel, 6 maj 2012

Në Shkup

(Rrënjët lutje për mëkatin)

Sonte shpirti më këndon në heshtim rri pylli

dikush futet i padukshëm mëkatin e gjurmon

u nxjerr rrënjëve lëng kanë dalë xhezdi hëna e ylli

garojnë me ujëvaren mëkatin për shkrepi gozhdon

as gëzim, as fat, as mëkat, as mallkimi s’bëhen lojë

se zogjtë e kaltërt si në ëndërrime për kumt n’agim

gishtat prushin e mbledhin pa kryefjalë në gojë, dhe

shkëmbinjtë janë nisur si kariatidet në udhëtim

e mëkati më nuk është tuhamë as i hyjnueshëm

dhe kalorësit pa tfillim e flakën si brirë të thatë

n’agshole telat e harfës diellore jehojnë kumbueshëm

ngadhnjimi mëngjesor mbi terrin e treti këtë natë

Lutje për mëkatin rrugët e duan kurbanin e vet

përtokëshëm i përkulem ajazmës mëngjesore

ditën e tkurrur ndër grushta vargu seç e thërret

thellësisë së blerimit zemrës bien lodrat dasmore

Mençuria se duron lutjen e mëkatit të pagrishur

hapësirave të panjohura gjuhë e një gruaje vrerë

po nxjerr sharje mërie prapa këmbanës së prishur

i rraftë mëkati humbellës rrënjët dalin tjetër verë.

E shtunë, 5 maj 2012

Në Shkup

(Llogaritja me vetvetën – mbledhja)

Llogaritja me kokrra mbledhja rri mbi binarë

niset treni i paqenë me vagona plot imagjinarë

fare s’më del mbledhja as kohëmatësi dhe pështyma

në meskohë po më shfaqen pemët djegur nga bryma

Llogaritjen ekzakte e vendosi në veprimin e vet

anatemë e blasfemi, zbritje e pjesëtim një det

shtrati i lumit te mbledhja më del i luhatshëm

bëhem vig e urë se gjejë tjerrjen rri parehatshëm

spostohem para numrave shndërrohem në fosile

etja e përjetshëme njeriut i ringjallet me hile

katër vepriemt themelore ngapak janë me këllirë

Në mua përzjarret aritmetika ëndërr ose dëshirë

numrin e harrueshëm ta shpik mbetëm i vetmuar

logjikën e llogaritjes se gjejë në shkjekën e arnuar

në gjysmë të rrugës ngeli kaptellit sillem fruljetë

gabimisht ngatërrohem në numrin nëntëmbëdhjetë

ndërdyshem me vetvetën futur lepur në thekër

ishte njëherë një datë ndryshkur gozhd’e vjetër

fund i llogaritjes së jetës doli i pakuptueshëm

jo për vlerësimin tim as për numrin e harrueshëm.

E martë, e diel, 1/6 maj 2012

Në Shkup

(Mësim i pjesoreve – kam shpresë)

Bimë shëruese cepit të rrugës – radhiqet

me gjethe të gjata pafund të dhëmbëzuara

kryeartëza vallëzon me muzikë digjen gardhiqet

cikalore thëllëzat pa maska rrin të zgjuara

nën trëndafilat e egër të mezhdave larg nga syri

i mëhorrit të pashtjelluar nga shpezë të lidhura

fshehur kaçubash të mos i zen laku as druri

në udhëtim ju prijnë rrudhat me stinë të hidhura

qepallës ngjitur lart kam gjelbërimin e dendur

të buzëve të shkokluara derdhur në ujëvare

që pikojnë trishtë thembrave të verbëra endur

mbi kuaj të verdhë që hingëllijnë si me zamare

jehuese gjeratoreve të thella një lehonë bleron

mësimeve të pjesoreve kam javët epshet i ndjekin

në kulprat e lifqerit foleja mbi ujë lulëzon, e

vazhdimisht peshqit pa frenjë rrezet fare si djegin

deri në mëngjes algjebrën mes vetës stinët e motit

grinden herezisht me nënkresa trishtimi shpresën

e mbëltojnë pa rrënjë, pa degëza, pa mëkatin e Zotit

qumështit t’etshëm me gur hobeje shkundin vesën.

E martë, 1 maj 2012

Në Shkup

(Vashëza ullinjore fsheh ishullin)

Si foshnjëzë bonjare kacafytur me vërshime

se kërkova me ngulm gurin e verbët të urtësisë

rri menduar kredhur në shkithje e përdëllime

e kaluara vezëthyer zemërçelur i them poezisë

ardhshmëria është vezë nën squkë zogu do çukitje

në ishullin e fshehur vajti nimfë vashëza ullinjore

sërishmi më morri me tufëzë drite dolëm shëtitje

atëherë e tanishmja është zemra ime virgjërore

ritmi i sime zemër është ritëm i përjetshëm zeni besë

dashuria që i vë në lëvizje diellin dhe yjtë e tjerë

në pikturë futet ditë e bukur Kuarnerit[1] plot shpresë

kullëndriçuese me fjalët e brigjeve ndizet përngaherë

ullinjtë me gjethe i gafrrojnë degët e paqes me kurorë

mosha u shihet në trung vaporëve u japin qëndresën

zhduket frika palma me gjethe fëmijët pehasin me dorë

nga rrebeshi i shiut pulëbardhat ishullit marrin kthesën

brofin njëra pas tjetrës pëllumbeshat ikin me trimëri

prore oleandrat me ngjyrë trëndafili përzier si ylberi

vashëza po vjen nga deti ndanë rrugës qiparisi stoli

si bashkë e artë fshehtas fsheh ishullin Kuarneri.

PSE MOJ FLAKË E FJALËS...

Dy sytë te t’ligtë /

Një sy te miqtë (Enver Gjerqeku)

Pse moj flakë e fjalës, po më djeg pa të lindur

Si fjalë e paepur me një zjarr të paparë fshehtësie

S’jam një gjumash i gurëzuar ende s’jam bindur

Në ninëzat e mallit, as n’ gjurmat e jetës degëlashtësie.

Pse moj flakë e fjalës, më krodhe në një mugëtirë,

Gjakun ma hollove si bisht qershie. S’pati nevojë

Të më rrahin erërat si drurin e thatë në shkretëtirë;

Prapatokës së kësaj bote shpesh m’vure në peshojë?

Pse moj flakë e fjalës, ma nise këngën e mjellmës?!

Kush më vuri samar – kush m’i bëri gati frenjtë?

Nga uria e hershme ma korrën elbin e së mbjelljës,

Thua qenkam zgjëndërr pse po dënesin lumenjtë?

Pse moj flakë e fjalës, për ty shita plëng’ e shtëpi!

Mu qasën njerëzit mediokër me fytyra mëndafshi,

Se hetova mjeshtrin e përsosur më dehi pa raki,

Ma thau palcën blerake – seç m’u përtëri ashti! -

Pse moj flakë e fjalës, që në ty jam magjepsur,

Po më sulesh si lisit të pamposhtur pa pikë njerëzi...

Me këngën ballëkrenare eja fjalë kurrë e molepsur! -

S’bie në prehër të rrejshëm me ty prijatare, o poezi!

E mërkurë, 22 gusht 2012

Në Shkup

RRETHUJËZAT E LUMIT

Rrethujëza të lumit jemi lulëzojmë

dhe nuk jemi arpaxhik të mbjellura

prapë, tek shtrihemi kurmgjelbëruar

nuk guxon të anashkalojë sepse s’jemi rrica,

ne jemi mburrja dhe krenaria e lumit

në mes dy brigjeve poleni përgatit

shpërthimin e pranverës fati na tfilloi

gratë e lumtura në brigjet rënore. Lumi

i pagjumi na formëson e na mban dhe

atë e kemi baba dhe ulemi në prehërin

e diellit ndjellim dashurinë, ndjellim

fytyrat e lumtura dhe derisa është ai –

do jemi edhe ne rrethujëzat e lumit...

***

Rrethujëzat të lumit t’jemi dhe jo burime

të tij nuk e lakmojmë bregun e detit

si gjerdan rradhitur – qëndresa është

tradita jonë me vlerë të diellit të mirë

edhe pse nuk lëvizim në diellin që tjerr

rritën tonë – ëndrrat tona nuk ja falim

askujt as rëra që këmbët na i gudulis

amëza rrymon ne jemi me shkëmbinjtë

Guralecat, cektinat – baticat dhe zbaticat

nuk shembemi, nuk derdhemi, urrejmë grronat,

as nuk rrjedhim, poqese rrjedhim ajme

për ne do të shndërrohemi në zaje

të zhbihemi si rrethujëza,

të zhdukemi pa shenjë, pa nishan

të çrrënjoset rrënja e rrënjës tonë

kokërriza – kokërriza të humbasim

në përrua të thatë – çapraz

të turbullohemi si moçale me ujin

tonë, ta përlyejmë vetveten

të bëhemi lym e baltinë!

***

Rrethujëza të lumit jemi – vetullëdredhur

jo, ky s’është mallkim, fatlumturia jonë.

Jemi vashëza të lumit në kraharorin e tij

duke rrjedhur na bashkon me tokën amë

ai është lidhësi i pantofles në mes nesh

dhe stërmbesat tona të tokës.

***

Mos u ndal, mos u ndal, o lumë, të rrjedhësh

Plëngu që e fituam – e fituem prej trualli

ti spërndrise atë, uroje, bekoje, falënderoje

e nëse beftë kur bëhesh idhnak,

ku çmeritesh me ose pa vetëdashje

kumbon si kumbanore në mesnatë bymehesh,

vrullohesh rrëmbyeshëm, i vërshon brigjet

nëse shndërrohesh në rrjedhë të hatashme

virdhemi me dallgët e lumit, vdekjen

nuk e duam fare – jemi truphedhur.

***

Kur nuk do të shndërrohemi në rërë

Dhe do të shpërndahemi si poleni,

si fara e fjetur mijëvjeçarëre. Rishtas,

rishtas do të lëshojmë rrënjë të forta,

do të vargohemi si margaritarë –

Rrethujëza mespërmes lumit paraqitemi

do të shihen fytyrat tona, do të lartësohemi

si bregore nga fundi shkrep rëre

si breg ku do të vijnë profetët,

engjujtë e lumit, engjujtë e kaltërt

O, baba lumë! Ti rishtas je shumë

më i bukur, na mbaj si sejsena mbuluar

me sixhade të gjelbërta, kështu siç jemi

të formësuar – rrethujëza të lumit,

nuk jemi gnostikë...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat