Perandoritë letrare të veprave të Ismail Kadaresë

Kultura

Perandoritë letrare të veprave të Ismail Kadaresë

Nga: Ndriçim Kulla Më: 21 maj 2020 Në ora: 13:41
Ismail Kadare

Raporti sundimtar-skllav në qenien e shkrimtarit që jeton nën diktaturë nuk është i njëjtë me raportin sundimtar-skllav në qenien e shkrimtarit që jeton në një vend të lirë. Shkrimtari që jeton nën diktaturë duhet të shtiret sikur i bindet një tirani që nuk është brenda tij, tiranit të vendit të tij. Shkrimtari që jeton në një vend të lirë nuk e ka këtë detyrim. “I vetmi tiran që unë pranoj në këtë botë  është zëri i brendshëm”, ka thënë Mahatma Gandi. I tillë duket se është edhe tirani në qenien e shkrimtarit për të cilin flet Kadare.

Pavarësisht se shkrimtari i madh mund të jetojë në një vend ku ka një tiran, i cili mendon se i binden të gjithë, duke përfshirë edhe shkrimtarin e madh, në fakt ky i fundit bën sikur i bindet tiranit të jashtëm, diktatorit në botën reale, por vetveten e tij të dyzuar e ndjen vetëm skllav të tiranit brenda qenies së tij. Por, ai është gjithmonë i përgjuar dhe i rrezikuar, sepse ky qëndrim përbën krim të rëndë shtetëror, jo vetëm faj letrar. Shkrimtari i madh që jeton nën diktaturë rrezikon të shkelë në fushë të minuar, kur zgjeron hapësirën gjeografike të veprës së tij letrare. Çdo qytet apo krahinë e shkelur jashtë kufijve të shtetit, në shtete e kontinente të tjera shihet me dyshim nga zyrat shtetërore që mbikëqyrin veprën e tij, si një akt tradhtie e mundshme ndaj regjimit. Si shumë po endet nëpër botë ky shkrimtar me imagjinatën e tij, nuk i mjaftojnë viset tona, qytetet, fshatrat me kooperativat bujqësore, minierat, pyjet ku masat punonjëse të ndërtojnë të ardhmen e lumtur nën udhëheqjen e Partisë dhe të shokut Enver?

Në kapitullin e librit “Ftesë në studio”, ku Kadare flet për gjeografinë e veprës së shkrimtarëve të mëdhenj, na sjell shembuj të ndryshëm për   perandoritë letrare, të krijuara nga shkrimtarët e mëdhenj. Për Balzakun, ai thotë: “Perandoria e Balzakut, ndonëse e ngritur mu në Paris, zonës më të shfrytëzuar në botë nga letërsia, vazhdon të jetë përherë mahnitëse. E ngushtë për nga kufijtë, një mbretëri në pamje të parë monotone, tamam mbretëri apartamentesh, sallonesh, zonjash në tryezën e tualetit të të cilave ka përherë nga një kambial, me karrocat që venë e vijnë nga ballot në zyrat e policisë, ose në pensione pikëllimtare, kjo është një mbretëri pa qiell e sidomos pa mister. Ajo i ngjan kështu një ngrehine pa bodrume. Por kur zhytesh pastaj në të, e kupton se edhe qielli, edhe ferri gjenden aty, të tretura në jetën e përditshme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat