Përurohet kinemaja “Maks Velo”

Kultura

Përurohet kinemaja “Maks Velo”

Më: 28 maj 2020 Në ora: 13:45
Foto Ilustrim

 Mask Velo u nda nga jeta 3 javë më parë, por ëndrra e tij, për të cilën punoi gjer në ditët e fundit, para se të sëmurej, u bë sot realitet. Ajo ishte kinemaja e Laprakës, që e kishte projektuar që në vitet ’70, por pas viteve ’90 ishte lënë në harresë, e më pas ishte shkatërruar, për t’u zaptuar e kthyer në një hedhurinë.

Arkitekti punoi deri vonë për rikonstruksionin e saj, për ta kthyer në identitet, e vetëm sot ajo u hap. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, motra e Maks Velos, Diana, dhe miku i ngushtë i tij, regjisorit Kujtim Çashku, inspektuan përfundimin e punimeve të kinemasë, e cila tanimë mban edhe emrin e arkitektit të mirënjohur.

“Kur shtohet një kinema në Tiranë, për qytetin është një ditë e mrekullueshme, por është dy herë më e mrekullueshme kur i shtohet një kinema e projektuar nga Maks Velo, e cila nga sot, në nder të tij, do të quhet kinemaja “Maks Velo” në Laprakë. Sa ishte gjallë, Maksi e ndoqi këtë projekt me miqtë italianë dhe kolegët shqiptarë, madje mbaj mend një nga bisedat në atë kohë më të, kur thoshte: ‘Shiko, shumë mirë që po i bëni këto kanalizimet e ujërave të bardha e ujërave të zeza, rrugët dhe trotuaret, këndet e lodrave, por qyteti nuk jeton vetëm me llaç e tulla, qyteti jeton edhe me art, me kulturë, me filma, me teatër dhe nevojat e tjera për ushqimin shpirtëror”, u shpreh Veliaj.

Kinema “Maks Velo” do të shërbejë edhe si qendër për aktivitete kulturore dhe artistike. Ajo do t’u vijë në ndihmë artistëve të rinj, të cilët mund t’i përdorin këto mjedise për të shfaqur prodhimet e tyre.

E emocionuar nga përfundimi i projektit, motra e Maks Velos, Diana, tha se kujtimi i tij dhe vepra artistike që la pas, do të mbeten të paharruara. “Jam shumë e emocionuar, e gëzuar, e mallëngjyer, për këtë nder të madh që i bëni vëllait tim. Falenderoj kryetarin e bashkisë, faleminderit miqve italianë, falënderoj Ministrinë e Kulturës. Kujtimi i Maksit, vëllait tim, do të mbetet i paharruar”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat